Lajme

Taksistët ilegal bllokojnë Prishtinën, komuna ankohet se ka pak inspektorë

Autori: Gazeta inFokus 09:52 | 18 November 2018

Naim Hajdari nga Prishtina, i cili është në karrocë nuk po arrin të ketë qasje në trotuaret e kryeqytetit, si shkak i taksive ilegale.

Ai tregon se hapësira e cila është e dedikuar për këmbësorë po zihet nga taksistët ilegal.

“Taksistët ilegalë shumë e bllokojnë rrugën, për shkak të transportit publik, që është këtu shumë e konfrontume, por edhe si person me aftësi të kufizuara nuk kam qasje në trotuar prej tyre, a nuk kom ka shkoj, për momentin e kom të thyer  këmbën,  ma ka shkel kerri midis rrugës, e me pas trafik urban qysh duhet, nuk ka me pas edhe taksistë ilegalë”, tregon Hajdari.

-Advertisement-

Fajtor për këtë problem, ai e lë inspektoratin e komunës.

E Hajdari nuk është i vetmi që ankohet.

Probleme këta taksistë po i shkaktojnë edhe Muhamet Rracit, i cili thotë se ata po e bllokojnë tërësisht qarkullimin nëpër qytet.

Megjithatë, ai thotë se taksistët janë të detyruar të dalin e të punojnë.

“Sikur të ishte çdo gjë në rregull, të ishte punësimi në nivelin e duhur të qytetarëve, atëherë  me të vërtetë do të ishte shumë e drejtë, mos me pengu, se po e pengojnë, po e bllokojnë. Mirëpo, një pjesë e madhe e qytetarëve, janë me të ardhura të vogla, janë me skame, janë të detyruem me dal edhe me punu”, thotë Rraci.

E vetëm vitin e kaluar, inspektorati i komunës së Prishtinës ka inicuar rreth një mijë lëndë drejt gjykatës.

Një situatë e njëjtë ka qenë edhe këtë vit.

Alban Ymeri, udhëheqës i sektorit të rendit komunal në komunën e Prishtinës thotë se këtë vit u shqiptuan 400 gjoba.

800 euro është gjoba për taksistët ilegal.

Kërkesa për leje në komunë, Ymeri tregon se është shumë e madhe.

“Komuna e Prishtinës, e ka numrin e caktuar të lejeve të punës, të cilat lëshohen. Aktualisht janë 700 leje legale që janë lëshu. Kërkesa është shumë e madhe. Kemi shumë taksistë ilegalë të cilët vijnë nga komunat tjera, përfshirë Fushë Kosovën, Podujevën, Lipjanin, Vushtrrinë, Mitrovicën. Dhe është e pamundur që të gjithë këtyre, tu plotësojmë kërkesat për taksi me leje”, tha Ymeri.

Numri prej 25 inspektorëve, ai thotë se është shumë i vogël.

Ymeri e pranon se për shkak të taksive ilegale Prishtina është duke u ngulfatur, e madje çdo ditë ka probleme në qarkullim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera