Lajme

Taksa 100%, Benefit për Ekonominë e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 11:32 | 16 May 2019

Në shkrimin e datës 12 Maj 2019, nga Instituti GAP, në temën: “Taksa 100%: A po e ndihmon a po e dëmton ekonominë e Kosovës?”, publikohen shumë të dhëna të cilat parcialisht janë të diskutueshme!

Gazmend Abrashi

Në raport të GAP-it thuhet që të dhënat nuk tregojnë rritje të përshpejtuar të industrisë përpunuese, gjenerimit të vendeve të punës dhe prodhuesit vendor nuk kanë arritur ti shfrytezojnë mundësitë e taksës siç është menduar!

-Advertisement-

Të dhënat që vijnë nga terreni dhe Oda Ekonomike e Kosovës, konfirmojnë që efektet pozitive të taksës janë manifestuar në rritjet e shitjeve të produkteve vendore, rritje të prodhimtarisë, rritje të lehtë në punësim (sidomos në sektorin e prodhimit), rritje të kapaciteteve prodhuese, rritje të vetëdijës së konsumatorëve për konsumimin e produkteve vendore, zëvendësimin e një përqindje të konsiderueshme të produkteve të Serbisë dhe Bosnjës me produkte vendore dhe planet e kompanive vendore per ti zëvendësuar produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja.

Rreth 67% e kompanive të anketuara kanë deklaruar se janë rritur shitjet e produkteve vendore pas vendosjes së taksës. Rritje më të madhe të shitjeve ka shënuar sektori i prodhimit dhe tregtisë me pakicë. Ndërsa, 33% kanë deklaruar se shitjet kanë mbetur të njëjta dhe taksa nuk ka patur ndonjë ndikim.

Nga shënimet që kemi marrë nga rrjeti i pakicës dhe i shumicës, konsiston në rritje të shitjeve të produkteve vendore krahasuar me periudhen e njejtë të vitit të kaluar:

rritje prej 1–10% kanë shënuar 27% te kompanive; rritje prej 11–20% kanë shënuar 32% e kompanive; rritje prej 40% të shitjeve kanë pasur vetëm 16% e kompanive.

Gjersa nga sektori prodhues kemi rritje rapide të prodhimit dhe shtimit të turneve të punës, respektivisht të turnit të dytë dhe të tretë. Nga të dhënat që kemi marrë nga kompanitë prodhuese, Liri në Prizren ka rritur kapacitetin në 100%, Vipa Chips në 30%, Floil në 100%, Elkosi me Pi&Ki ka siguruar shtrirje të madhe me një gamë të madhe të artikujve, Apetit me produkte te mishit, MEKA me produkte të industrisë së mishit etj.

Sipas një analize që e ka organizuar OEK, 33% e kompanive kanë deklaruar se si rezultat i taksës 100%, kanë rritje të lehtë të numrit të punëtorëve.

Të dhenat e Entit Statistikor të Kosoves tregojnë që viti 2018 shënon zvoglim të papunësisë për 16132 persona.

Rreth 53 përqind e kompanive që operojnë në sektorin e prodhimit kanë rritur numrin e punëtorëve si pasojë e rritjes së kërkesës dhe shitjes së produkteve vendore. Përderisa i njejti trend është manifestuar edhe në sektorin e ndërtimit.

Rreth 56% e kompanive të sektorit të prodhimit kanë investuar në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe këto kompani synojë të mbushin boshllëkun e krijuar në treg nga mungesa e produkteve të Serbisë dhe Bosne Hercegovinës.

Perkundër vështirësive në zëvendësimin e lëndës së parë të importuar nga Serbia dhe Bosna, mbi 80% e kompanive te anketuara kanë arritur që të zëvendesojnë me sukses lëndën e parë të importuar nga këto shtete.

Pothuajse gjysma e kompanive Kosovare kanë arritur që të zëvendësojnë me sukses edhe importin e produkteve të brendeve ndërkombëtare të prodhuara në Serbi dhe në Bosnje me ato të vendeve të tjera.

Kompanitë janë treguar të suksesshme në gjetjen e partnereve të rinjë biznesor pas vendosjes së taksës. Konkretisht, mbi 70% kanë deklaruar se nuk kanë pasur fare vështirësi në këtë aspekt.

Gjatë muajit Shkurt 2019 importi prej vendeve të BE-së është rritur për 26% në krahasim me muajin Shkurt të vitit 2018. Rritje më të madhe ka shënuar importi nga Sllovenia, Hungaria, Rumania dhe Britania e Madhe.

Gjatë muajit Shkurt 2019 importi prej vendeve të CEFTA–së ka rënë për 37% në krahasim me muajin Shkurt të vitit 2018. Kjo rënie është shkaktuar nga rënia e importit prej vendeve ndaj të cilave është vendosur taksa 100%. Importi prej Serbisë ka rënë për 98%, ndersa importi prej Bosnjës për 80%. Kosova ka rritur importin nga të gjitha vendet e tjera të CEFTA-së, vetëm me Shqipërinë 73%.

Gjatë muajit Shkurt 2019 importi prej vendeve të tjera evropiane është rritur për 31% në krahasim me muajin Shkurt të vitit 2018. Rritje ka shënuar dhe importi nga vendet tjera joevropiane (24%) dhe vendet nga Azia (12%).

Rreth 95% e kompanive kanë theksuar se taksa ka ndikuar në rritje të vetëdijes së konsumatorëve për produktet vendore.

Efekti me i madh i takses 100% është ngritja e rritjes së vetëdijes së konsumatorëve për produkte vendore që e konfirmojnë të dhënat e sipërpërmendura.

Vendosja e flamujve mbi origjinën e mallit ka ndikuar pozitivisht tek konsumatorët në përzgjedhjen e produkteve vendore për të blerë, këtë e vërteton fakti që afër 90% e kompanive kanë potencuar se ka pasur një ndikim pozitiv.

Përkunder faktit që kemi patur obligime ndaj marrëveshjes së CEFTA-s për aplikimin e tregtisë së lirë në mes shteteve te Ballkanit Perendimor, Kosova në vazhdimësi ka raportuar shkelje të rëndë të nenit 18 të CEFTA-s, si rezultat i mos respektimit të më se 65% të marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë që nga fillimi i negociatave në Bruksel. Vendosja e barrierave jo tarifore, mos implementimi i marrëveshjes së menagjimit të kufijve të integruar, mosnjohja e çertifikatave, tranziti i kamionëve, mosnjohja e vulave doganore, mosimplementimi i marrëveshjes për energjinë, bllokimi kontinuel i Kosovës në forume rajonale, moslejimi i kompanive kosovare në pjesëmarrjen e tenderëve publik në Serbi, pengimi i zyrtarëve të lartë qeveritarë gjatë udhëtimit në Serbi e shumë e shume argumente tjera që cenojnë interesin nacional të Kosovës.

CEFTA parasheh trajtimin e njejtë të shteteve anëtare në interes të palëve e kurrsesi diskriminimin e tyre.

Analizat tutje tregojnë që Kosova shënon rritje te buxhetit, nga 2.104 miliardë EUR në vitin 2018 në 2.365 miliardë EUR në vitin 2019, gjegjësisht plus 261 milion EURO.

Borxhi publik vazhdon të jetë në nivelin 17% që është dukshem më i vogli në regjion, përderisa asnjë shtet i Ballkanit Perëndimor nuk e ka borxhin publik më të vogël se 50%.

Në vitin 2019 pritet të fillon ekzekutimi i marrëveshjes me Contur Global për konstruktimin e termocentralit të ri në vlerë prej 1.3 miliardë euro. Investimi në energji me erë nga investitorë privat pritet të ndodhë në Shalë të Bajgorës, investim ky që kapë shumën prej 170 milion EURO, gjersa në komunë të Dardanës kompania Gyrish është në fazën përfundimtare të implementimit të projektit të energjisë me erë.

Nga pikëpamja e infrastrukturës, Kosova vazhdon të luaj rolin e liderit në shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke implementuar investime kapitale si rruga Prishtinë – Hani Elezit (inaugurimi 29 Maj 2019) investimi 608 milion EUR, Prishtinë – Gjilan (inaugurimi në vitin 2020) investimi 88 milion EUR, Prishtinë – Mitrovicë (inaugurimi në vitin 2020) investimi 53 milion EUR; Kijevë – Pejë fillon në Qershor 2019 investimi 193 milion EUR; Dollc – Gjakovë investimi 50 milion EUR. Vetëm në vitin 2018 janë asfaltuar 291 km rrugë rajonale e në krahasim me vitin 2017 vetëm 148 km.

Në të njejtën kohë ka filluar faza e rehabilitimit të hekurudhës Prishtinë – Hani Elezit dhe Prishtinë – Leshak, investim ky që kapë shumën prej 209 milion EUR. Ky projekt ka filluar implementimin në muajin Prill 2019.

Nga samiti i Londrës u sigurua një përkrahje prej 100 milion EUR që do të dedikohen në trajtimin e ujërave të zeza në komuna si Gjilani e Mitrovica dhe unazës së jashtme të qytetit të Prishtinës.

Aprovimi i ligjit për investime strategjike është një vendim strategjik që mundëson negocimin efikas me investitorë të mëdhenjë dhe thithjen e investimeve të huaja.

Sipas Bankës Botërore Kosova ka rritje ekonomike prej 4.6% në vitin 2018. Në periudhën afatmesme pritet që kjo tendencë të jetë e njejtë, gjersa në vitin 2020 mund të arrijë 4.7%.

Mbi bazën e këtyre projeksioneve ekonomike janë bërë projeksionet fiskale respektivisht të hyrat dhe shpenzimet buxhetore. Sa për ilustrim, të hyrat buxhetore qeveritare Janar – Prill janë tejkaluar për 1.8%, në perkthim 10.4 milion EUR më shumë, ndërsa krahasuar me periudhen e njejtë të vitit 2018 është regjistruar një rritje prej 11.4% ose 59.5 milion EUR.

Të hyrat nga dogana për periudhën Janar – Prill janë 330.1 milion EUR, duke realizuar 100.6% të planit për periudhen raportuese ose 8.2%, përkatësisht 24.9 milion EUR më shumë se viti paraprak.

Ky trend i të hyrave krahasuar me vitin paraprak vlerësohet se ka ardhur si rezultat i vazhdimësisë së gjallërimit të ekonomisë, përmirësimit të kushteve dhe ambientit të të bërit biznes, aktiviteteve që reflektojnë rritje ekonomike, performancë në rritje të sektorit privat, një dinamikë më të përshpejtuar të realizimit të investimeve (private dhe publike) si dhe aktiviteteve shtesë nga agjencionet mbledhëse.

Qeveria e Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve kapitale që premtojnë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në partneritet të vazhdueshëm me të gjitha organizatat jo-qeveritare dhe palëve të tjera të interesuara.

Koordinator Nacional për Ballkanin Perëndimor (WB6) dhe Këshillin për Bashkëpunim Rajonal (KBR)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera