Lajme

Takimi “konsultativ” në Kuvend, opozita pret të rekomandohet shkarkimi i bordit të ZRRE-së

Autori: Gazeta inFokus 13:10 | 23 May 2022

Takimi “konsultativ” në Kuvend, opozita pret të rekomandohet shkarkimi i bordit të ZRRE-së

Opozita po pret që shkarkimi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të rekomandohet nga Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti. Deputetët e këtij komisioni aktualisht po e zhvillojnë një takim “konsultativ” me anëtarët dhe kryesuesin e bordit të ZRRE-së, raporton Gazeta Express.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se bordi i ZRRE-së “e ka qitë në lajthitje Kuvendin dhe institucionet e tjera”.

-Advertisement-

“Po presim që sot, komisioni përkatës funksional, i cili besoj është ende në mbledhje të marrë vendim, pra t’i rekomandojë Kuvendit shkarkimin e këtij institucioni”, tha ai.

Në rast se ky komision nuk e rekomandon shkarkimin e bordit të ZRRE-së, Gashi tha se do të tentojnë ta arrijnë këtë në rrugë tjera.

“Ne presim që sot komisioni përkatës ta rekomandojë shkarkimin. Nëse nuk e rekomandon komisioni, atëherë do të shohim rrugë tjera”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri njoftoi se e kanë dorëzuar kallëzim penal kundër bordit të ZRRE-së. PDK-ja e cilëson vepër penale atë që ZRRE-ja dhe kryesuesi e bënë.

“Kemi marrë njoftim zyrtar nga Prokuroria Speciale që një çështje e tillë është duke u trajtuar”, tha Tahiri.

Ndërsa deputeti i LVV-së, Armend Muja tha se gjykata nuk e ka kundërshtuar vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës.

“Gjykata e ka aprovu kërkesën e PDK-së që të pezullohet vendimi deri sa të ketë aktgjykim të formës së prerë”, tha ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai pati koment edhe lidhur me kërkesën e opozitës për shkarkimin e bordit të ZRRE-së.

“Është në vazhdën e traditës së tyre. Çdo bord që s’iu shkon për shtati këta lypin me e shkarku”, tha Muja.

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti është duke diskutuar me bordin e ZRRE-së, pas situatës së krijuar nga aktvendimi i Gjykatës së Apelit për tarifat e energjisë elektrike.

Kryesuesi i komisionit, Ferat Shala tha në fillim të mbledhjes se “kërkesa e bordit të ZRRE-së ka qenë që ta kemi një takim konsultativ”, ndërsa tregoi se kërkesën e tyre e kanë pranuar. Më pas i ftoi mediat të dalin jashtë.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reguar për këtë, duke pyetur se “pse raportimi i ZRRE-së në Komisionin për Ekonomi duhet të jetë me dyer të mbyllura?!”.

Në Kosovë pritet të rikthehen tarifat e vjetra të energjisë elektrike, pasi Gjykata e Apelit para 5 ditësh vërtetoi një vendim të Themelores në Prishtinë që pezullonte vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për tarifat e reja.

Apeli ka vendosur pas ankesës së ZRRE-së, duke thënë se ishte e pabazuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 prill kishte marrë vendimin për pezullimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera