Lajme

Tahiri për programin e Qeverisë Kurti: Kjo është hajgare, ky është dështim

Autori: Gazeta inFokus 17:04 | 12 May 2021

Ish-zëvendëskryeministri dhe zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri e ka quajtur hajgare dhe dështim programin e Qeverisë Kurti të miratuar të premten e javës së kaluar.

Ai tha se që në vështrimin fillestar të programit qeveritar bëhet e qartë se “Qeveria Kurti është dorëzuar”. Ai tha se Ekzekutivi e ka pranuar se nuk mund t’u përgjigjet pritjeve të qytetarëve.

“Qeveria po na e ‘shet’ një Deklaratë Politike, si Program Qeveritar”, ka shkruar Tahiri.

Postimi i plotë e Besnik Tahirit:

Programit me x-a, t’i bihet X!

Pas një vështrimi fillestar të Programit të vonuar të Qeverisë, na është bërë e qartë që Qeveria Kurti është dorëzuar. Kështu e ka pranuar hapur se nuk do të mund t’i përgjigjet pritjeve dhe synimeve të qytetarëve të cilët i dhanë besimin.

Nga cilido që ka eksperiencë në qeverisje dhe planifikim, ajo çfarë mund të konstatojmë është kjo:

Qeveria po na e ‘shet’ një Deklaratë Politike, si Program Qeveritar.

Programi në vend se të artikulojë caqe specifike, në funksion të të cilave do të tregonte për masat, veprimet dhe indikatorët konkret, ajo i ikë kësaj metode. Kështu i ikë edhe angazhimit dhe përgjegjësisë. Pra, flet për veprime pa caqe të matshme.

Qeveria flet me hamendje, për synimet anti Covid, sikurse bënë edhe me rritjen ekonomike. Kjo, sepse nuk ka asnjë ‘forecasting’ (parashikim), e të mos flasim fare qasje reale për këto sfida të mprehta.

Programi flet për struktura, krijimin e disa prej tyre, shkrirjen e ngrirjen e disa të tjerave. Kështu shtrohet terreni, që dështimin e vitit të parë në qeverisje, ta mbulojnë me plane për prish-e-ndreqje, të strukturave. Këtu kanë një ‘Plan’: planin që në emër të reformave, t’i sistemojnë militantët e tyre, në një shtet të ‘fryrë’ me struktura e fonde pa qartësi për zhvillim.

I gjithë Programi, nuk ka pothuaj asnjë referencë dhe mbulueshmëri financiare. Në fillim, ai mjaftohet duke pohuar që do të shikohen mundësitë, veçmas përmes qasjes në financa ndërkombëtare. Në fund, kur lexuesi e harron këtë pohim, Programi ofron një ‘disclaimer’, duke pohuar që realizimi i tij, do të mbështetet dhe monitorohet, konform KASh-it dhe planifikimit buxhetor. Kjo i bie, nëse mund të bëhet diçka, mirë! Nëse jo, kurrgjë-kërkujt!

Dhe në një rrafsh tjetër, për lexuesin e kujdesshëm, shihet se Programi është një tablo e disa copëzave e pjesëzave, tekste të shkruara nga disa duar, madje të shkruar e rishkruar nga disa raporte, qofshin ato edhe të entiteteve joqeveritare dhe individuale. Harrohet se ato nuk janë projektuar për Program Qeveritar,…

Pra, ky nuk është Program,
Kjo është hajgare,
Ky është dështim!

Të tjera