Lajme

Tahiri për dialogun: Pa ShBA-të në dialog do të ketë vetëm zvarritje të procesit

Autori: Gazeta inFokus 17:39 | 25 May 2021

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka folur për prioritet e qeverisë “Kurti”, përfshirë edhe dialogun. Tahiri ka thënë se Kurti është duke vepruar pa ndonjë plan në këtë proces.

“Nuk bën me dhënë premtime dhe zotime e mos me i realizu. Ka thënë që dialogun nuk e ka prioritet e tani si duket e ka kthyer të parin. Ai nuk ka ndonjë dokument se për çfarë do të diskutojë. Shohim një rrëshqitje në dialogun teknik e me gabime që mund të përfitojë vetëm Vuçiqi”, deklaroi ai në emisionin “Frontal”, në T7.

Duke folur për takimin që ka zhvilluar sot vartësi i tij Ramush Haradinaj, me kryeministrin Albin Kurti, Tahiri tha se është theksuar se për AAK-në roli i amerikanëve në dialog është i rëndësishëm.

-Advertisement-

“Për ne roli amerikan është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Marrëveshja me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë është jashtëzakonisht e rëndësishme por pa i prekur konturat e Kushtetutës së shtetit. Me 6 maj ne i kemi dërguar kërkesat tona. Roli ynë është në Kuvend. I kemi thënë se do të bashkëpunojmë për interesa nacionale dhe se kemi nevojë për raportim dhe njoftim. Pan ShBA-të në tavolinë dhe pa një plan të qartë do të ketë vetëm zvarritje dhe asgjë tjetër”, tha më tutje ai.

Sipas Tahirit aty ku nuk kanë qenë ShBA-të të përfshira nga fillimi ka pasur zvarritje të procesit.

“Aty ku nuk kanë qenë ShBA-të në fillim është zvarritur puna dhe nuk është kryer puna. Bashkërendimi është i rëndësishëm për shkak se BE-ja ka treguar jokonsistencë dhe ka folur njëanshëm”, tha më tutje ai. /Express/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera