Lajme

Tahiri: Nëse ka diçka të paligjshme e të pavend, është shpenzimi i 11 milion eurove për pagesën e rrymës në veri

Autori: Gazeta inFokus 10:34 | 05 May 2021

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se qeveria Kurti nuk është duke e parë si problem pagesën prej 11 milionë eurosh të faturave të papaguara nga serbët në veri, teksa sipas tij po bëhet temë pagesa prej 1 milion euro për mbrojtjen e ish-ushtarëve të UÇK-së në procesin gjyqësor në Hagë.

Përmes një postimi në “Facebook”, Tahiri ka thënë se  qytetarët nuk e kanë për obligim t’i paguajnë 11 milionë euro nga taksat e veta për serbët në veri.

“Nëse ka diçka të paligjshme e të pavend, është shpenzimi i 11 milion eurove për pagesën e rrymës së shpenzuar nga serbët në veri të vendit, sepse për të jo vetëm që nuk ka ligj, por ka edhe vendim gjyqësor që e shpallë të jashtëligjshme. Por ligjshmëria nuk është qëllimi i Kurtit. Përbaltja e UÇK-së, po”, ka shkruar Tahiri.

-Advertisement-

Postimi i plotë:

Sa ishte opozitë, Albin Kurti dhe Vetëvendosja kanë qenë të ashpër kudo që iu është dhënë rasti, ndaj pagesës së rrymës së papaguar të qytetarëve serbë.

Sot, me një lehtësi të jashtëzakonshme e me arsyetime të pabaza, qeveria e tij nuk e sheh si problem pagesën prej 11 milion eurosh të faturave të papaguara të serbëve në veri të vendit. Në vend të kësaj, ajo e bën temë shpenzimin e 1 milion eurove për mbrojtjen e ish luftëtarëve të lirisë në procesin gjyqësor në Hagë.

Pra, 11 milion euro që qytetarët nuk e kanë për obligim t’i paguajnë nga taksat e veta, qeveria po i paguan pa bërë zhurmë dhe kjo nuk qenka kurrfarë problemi, ndërsa 1 milion euro që Kosova i ka marrë si obligim me Ligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të të Akuzuarve nga Dhomat e Specializuara, u dashka të bëhen temë e problem.

Nëse ka diçka të paligjshme e të pavend, është shpenzimi i 11 milion eurove për pagesën e rrymës së shpenzuar nga serbët në veri të vendit, sepse për të jo vetëm që nuk ka ligj, por ka edhe vendim gjyqësor që e shpallë të jashtëligjshme. Por ligjshmëria nuk është qëllimi i Kurtit. Përbaltja e UÇK-së, po.

Kjo është logjika e mbrapshte e kësaj qeverie që përdhosë dinjitetin e luftës sonë për çlirim, përderisa amniston makro zhvatjen e vërtetë të parave të taksapaguesve kosovarë.

Nuk dua dhe nuk kam dashur të besoj se qeveria e vendit tim, do të vihej në linjën e njëjtë me ata që duan ta rishkruajnë historinë e lavdishme të UÇK-së. Fatkeqësisht ajo po e dëshmon këtë me këmbëngulësi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera