Lajme

Tahiri në 20 vjetorin e OSBE-së: Gjatë luftës ishte shpresë dhe mundësi për paqe

Autori: Gazeta inFokus 00:05 | 13 December 2019

Besnik Tahiri, koordinator Nacional për reformën shtetërore, në 20 vjetorin e OSBE-së ka folur për ndihmën të cilën i ka dhënë OSBE shtetit të Kosovës gjatë vitit 1998-99.

Ai ka treguar ndër të tjera fillimet dhe angazhimin e tijë në këtë organizatë, shkruan gazeta inFokus.

Tahiri ka thënë se në vitin 2004, nëpërmjet këtij misioni, ka shërbyer në kabinetin e Kryeministrit Ramush Haradinaj, në detyra që lidheshin me procesin e tranzicionit dhe reformave që ishin ndërmarrë aso kohe.

-Advertisement-

“Është nder që me rastin e 20-të vjetorit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, në emër timin dhe shumë kolegëve të mi që kemi qenë pjesë e këtij misioni, të ndaj me ju rrëfimin për hapat e parë të kontributit tim në demokratizimin dhe konsolidimin e institucioneve të Kosovës.

Në memorien time, besoj edhe qytetarëve të Kosovës, OSBE, apo figurativisht misioni i veturave portokalli do të mbahet mend për ndihmën që i ka dhënë vendit tonë në rrugëtimin drejt Lirisë me monitorimin dhe raportimin e saktë dhe korrekt të situatës në Kosovën gjatë viteve 98-99. Në atë periudhë, paraqitja e këtij misioni, ishte shpresë dhe mundësi për paqe dhe siguri ne vendin tonë

Në përfundimin e luftës, misioni i ri i OSBE-së merr një rol tejet të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe prosperuese. Në atë këtë kohë, unë, si shumë të rinj, vendosa të bëhem pjesë e këtij Misioni, fillimisht në detyra dytësorë.

Megjithatë, e veçanta e këtij angazhimi nuk ishte thjesht puna apo paga, por mundësia dhe perspektiva që OSBE më dha mua dhe një brezi që ishte rritur nën zymtësinë e kohës që kishim jetuar.

Ky Mision ishte një kapitull i ri për shumë prej nesh, por edhe për Kosovën dhe institucionet e saj demokratike që po ndërtoheshin. Pra, kjo ishte një mundësi që përvojën e fituar në ketë mision ta kthenim në shërbim të qytetarëve.

Kështu, në vitin 2004, nëpërmjet këtij misioni, shërbeva në kabinetin e Kryeministrit Ramush Haradinaj në detyra që lidheshin me procesin e tranzicionit dhe reformave që ishin ndërmarrë aso kohe. Më pas, në secilin angazhim apo detyrë, e them me nderë që barta e ndava përvojat e mësimet e jashtëzakonshme që kisha marrë nga angazhimi ne OSBE.

Andaj, në këtë 20-të vjetor më lejoni t’ju falënderoj për kontributin që keni dhënë jo vetëm në aspektin institucional, por edhe në ndërtimin e një mendësie e brezi të ri të profesionistëve në Kosovë. Pothuajse të gjithë kolegët tashmë janë pjesë e një rrjeti të profesionistëve që në segmente e angazhime të ndryshme i japin Kosovës një perspektivë të sigurt në përpjekjet dhe synimet e përbashkëta për një vend demokratik.

OSBE padyshim do të mbetet në historinë e vendit tonë si organizatë që ndihmoi në lirin dhe procesin e krijimit të institucioneve demokratike të vendit, rrjedhimisht shtet-ndërtimin tonë. Në këtë linjë dua që sonte të rikujtojmë me respekt të gjithë ato zyrtare dhe zyrtar ndërkombëtarë që shërbyen përgjatë gjithë kësaj kohe”, ka shkruar Tahiri në facebook./Gazeta inFokus/.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera