Lajme

Tahiri – Mustafës: Për 10 vjet shtet do mbahesh mend për pengimin e ushtrisë

Autori: Gazeta inFokus 22:12 | 05 September 2018

Abelard Tahiri ka akuzuar Isa Mustafës dhe partinë e tij se janë pikërisht ata që kanë mundësuar diskutimet për krijimin e një republike serbe brenda territorit të Kosovës, përmes krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në një status në rrjetin social Facebook, Tahiri ka shkruar se LDK me marrëveshjen që e kishte nënshkruar më 2015, kishte shkelur parimet e nënshkruara më 2013.

“Diskursit politik naiv dhe të papërgjegjshëm të zhvilluar së fundmi rreth dialogut, i ka munguar vetëm edhe firma e Isa Mustafës, i cili sonte u përpoq të vulosë me duart e veta logjikën e shfajësimit për përgjegjësitë që ka ai dhe partia e tij, për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Se si ka nisur ky dialog dhe se si janë arritur marrëveshjet është fakt i ditur botërisht, ngjashëm siç është e ditur botërisht edhe përmbajtja e Marrëveshjes së prillit të 2013-tës. Aty është folur për themelimin e Asociacionit, si një bashkësi vullnetare e themeluar përmes një statuti, të cilës do të mund t’i bashkëngjiteshin edhe komunat tjera mbi baza tërësisht vullnetare. Por ajo çfarë nuk dihet dhe që nuk e shfajëson Mustafën dhe as partinë e tij, është devijimi nga këto parime në gusht të 2015-tës, ku i njëjti ka nënshkruar marrëveshje të veçantë për themelimin e Asociacionit, duke lejuar që parimet e marrëveshjes së prillit të 2013-tës, të deshifrohen sipas mënyrës së të kuptuarit të atyre që këtë asociacion e kanë parë si mundësi për të prodhuar një republikë serbe në Kosovë”, ka shkruar ai.

-Advertisement-

Më tutje ka shtuar se, “nuk është marrëveshja e 2013-tës e Thaçit, por ajo e 2015-tës e Mustafës e cila u bë subjekt i interpretimit të Gjykatës Kushtetuese dhe që mori përgjigjen e merituar nga kjo Gjykatë. Është pikërisht Mustafa që me marrëveshjen e tij i mundëson Asociacionit për t’iu drejtuar drejtpërdrejtë Gjykatës Kushtetuese duke krijuar kështu një linje horizontale ngjashëm si organet qendrore të Republikës tonë. Kjo atëherë, sot dhe gjithmonë është dhe do jetë e pa pranueshme”.

Tahiri i ka kujtuar Mustafës që përveç kësaj shkelje, do të mbahet mend edhe si pengues i themelimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Naivitetin e skajshëm të shfajësimit, Mustafa e shfaqë edhe në pretekstin se ka kërkuar garanci për një gjë që e ka nënshkruar me duar të veta. Fatkeqësisht, nga 17 shkurti i 2008, pas plot një dekade të shtetësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa do të mbahet mend vetëm për dy gjëra: që ka penguar formimin e Forcave të Armatosura dhe që ka vënë themelin e një republike serbe brenda Kosovës”, ka përfunduar Tahiri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera