Lajme

Tahiri: Kurti e ka reduktuar sovranitetin e shtetit të Kosovës në oborret e katër komunave

Autori: Gazeta inFokus 12:07 | 05 June 2023

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka folur për situatën në veri të Kosovës.

Tahiri ka thënë se kryeministri Kurti në këtë periudhë ka krijuar një kaos në veri.

“Fatkeqësisht sikur vërtetë të kishim shtrirje të sovranitetit, angazhim të institucioneve ligj zbatuese do ta kishim përkrahë dhe do të ishte shumë mirë, por ju e shihni se në veri nuk ka kushte për asgjë. Njeriu nuk është i lirë as deri në market të shkoj të blej diçka sepse janë të kërcënuar nga bandat që një pjesë e tyre kanë ardhur nga Serbia”, ka thënë Tahiri.

-Advertisement-

Ai ka shtuar se kryeministri Kurti “e ka reduktuar sovranitetin e shtetit të Kosovës në oborret e katër komunave”.

Lidhur me kërkesat e Listës Serbe për largimin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Tahiri ka thënë se janë absurde.

“Sa i përket kërkesave absurde të Listës Serbe, policia nuk ka ku me shkuar përtej territorit të Kosovës. Njësia Speciale nuk ka shkuar në Serbi as Nish as në Kralevë, ata janë në territorin e Kosovës”, u shpreh ai.

Shefi i deputetëve të PDK-së, tutje shtoi se çdo veprim që bëhet për Asociacionin, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne problem e kemi pikën 7 të marrëveshjes së Ohrit që është çështja e vetmenaxhimit, kjo është një e panjohur për ne”, tha Tahiri.

Ai shtoi se qëndrimi i PDK-së është që të kemi angazhim të përbashkët sidomos me SHBA-të.

“Është e dhimbshme dhe e papranueshme që të na vihen sanksione, të përjashtohet Ushtria e Kosovës nga Defender Evropë 23, si rezultat i veprimeve të pamatshme të kryeministrit të Kosovës. Nëse krijojmë precedent të rrezikshëm të cilat e tejkalojnë rendin tonë kushtetues, mendoj se në thelb po e cenojmë shtetësinë e vendit tonë”, tha Tahiri.

Tahiri shtoi se çdo veprim që bëhet duhet të jetë në përputhje me rendin tonë kushtetues.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Birra të ftohta e me shumë ZBRITJE veç në Viva Fresh!
-Advertisement-

Të tjera