Lajme

Tahiri: E dhamë mesazhin, një ditë pasi qeveria e re hyri në zyre miratoi programin qeverisës

Autori: Gazeta inFokus 21:21 | 05 June 2020

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka folur për objektivat e qeverisë së re.

Tahiri në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se është mesazh i mirë për qytetarët që një ditë pasi qeveria mori detyrën bëri miratimin e programit qeveritarë.

“Sot miratuam programin e Qeverisë Hoti për 2020-2023. Një ditë pasi kryeministri Hoti dhe ministrat u futen në zyre miratuam programin qeverisës… Është mirë që kemi mbajtur sot mbledhjen e qeverisë dhe kemi kaluar programin qeveritar dhe do të ishte shumë më mirë që këto vendime të kenë efekt të drejtëpërdrejt te qytetarët e Kosovës”.

-Advertisement-

Ai ka thënë se shtylla kryesore e kësaj qeverie do të jetë rimëkëmbja ekonomike.

“Mbi 1 miliardë euro janë të planifikuara të hyjnë në program brenda kësaj periudhe qeverisëse. Për këtë vit janë rezervuar 180 milionë euro që të futen në ekonomi drejtpërdrejt me të vetmen arsye që t’i përgjigjen situatës së post pandemisë”.

Zëvendëskryeministri Tahiri thotë se do të ndihmohen korporatat dhe bizneset e vogla pasi sipas tij sektori privat zë vendin kryesor në ekonominë e Kosovës.

Zyrtari i AAK-së thotë se kjo parti ishte përgatitur për të qëndruar gjatë në opozitë por sipas tij Vetëvendosje bëri gabime të mëdha në raport me partnerin qeverisës dhe gjërat ndryshuan.

“Vetëvendosje bëri veprime tepër të papërgjegjshme në raport me LDK-në. Edhe LVV edhe ne tjerët duhet të marrim mësime nga gjithë kjo që ndodhi…Dialogu nuk është arsyeja pse erdhi kjo qeveria e re”.

Tahiri megjithatë e shoh si pozitive kalimin e qetë të pushtetit nga Vetëvendosje te qeveria e re pavarësisht mosrespektimit të protokolleve të pranim-dorëzimit të detyrave.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera