Sport

Tahir Batatina tregon çelësin e suksesit të Llapit në ndeshjet e fundit në Superligë

Autori: Gazeta inFokus 17:45 | 08 November 2021

Gjashtë ndeshjet e fundit, 5 fitore të regjistruara e 15 pikë të arkëtuara e kanë ngritur skuadrën e Llapit nga vendi i dhjetë në pozitën e pestë në tabelë, shkruan Gazeta inFokus.

Ekipi nga Podujeva e nisi mbrapsht sezonin e ri në elitën e futbollit kosovar, por në përballjet e fundit janë rikthyer në formë dhe i janë rikthyer rezultateve pozitive.

Lidhur me formën e mirë të llapjanëve, Gazeta inFokus, ka pyetur trajnerin e Llapit, Tahir Batatina, se çfarë ka ndikuar që ekipi i tij t’i rikthehet fitoreve.

Tekniku llapjan ka përmendur disa nga arsyen që e kanë rikthyer Llapin te rezultatet pozitive.

“Mendoj që çelësi i suksesit është besimi që kam pasur tek lojtarët dhe punën që e kam bërë me skuadër, duke e ditur se jam trajner që nuk dorëzohem. Këtë e kam të lindur jo të fituar dhe lojtarët më kanë besuar se bashkërisht do të rikthehemi fuqishëm dhe kjo falë besimit të kryetarit të klubit, Beqir Batatina, ku edhe kur nuk kemi pas rezultate ka besuar në punën dhe cilësinë e skuadrës dhe gjithmonë na ka qëndruar afër dhe ka besuar tek rezultatet pozitive, por edhe mbështetja financiare nga kryesia shumë korrekte ka bërë që djemtë të luftojnë për çdo ndeshje dhe kanë dhënë maksimumin çdo herë, por ne na ka penalizuar fusha, sepse për ndryshe ne do të ishim shumë më lartë në tabelë”, deklaroi Tahir Batatina për Gazetën inFokus.

Llapi pas 13 xhirove të zhvilluara renditet i pesti me 18 pikë të arkëtuara, gjashtë me pak se Ballkani që kryeson./Gazeta inFokus/

Mund të jetë një imazh i 1 person, në këmbë dhe ambiente të jashtme

 

 

Të tjera