Sport

Tahir Batatina ‘thumbon’ Bylbyl Sokolin pas fitores ndaj Gjilanit

Autori: Gazeta inFokus 15:53 | 21 February 2021

Pas humbjes nga Drita, Llapi e ka shënuar fitoren e parë në stinorin pranveror, shkruan Gazeta inFokus.

Llapjanët kanë triumfuar përballë Gjilanit me rezultat 3-1, në sfidën e vlefshme për javën e 20-të në Superligë.

Në takimin e zhvilluar në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, golat për vendasit i shënuan Prençi (3’), Zhdrella (47’) dhe Shabani (90’) , kurse golin e vetëm për mysafirët e realizoi, Progni (54’).

Pas përfundimit të ndeshjes ka folur trajneri i Llapit, Tahir Batatina, i cili ka thënë se me shumë lehtësi dhe meritë kanë fituar ndaj njërës prej skuadrave me të shtrenjta në Superligë.

“Nga ndeshja e parë në kupë kemi treguar që jemi më ndryshe në pranverë. Na është dashur kohë të komponohemi dhe tashmë jemi në formën optimale. E kemi mposhtur Gjilanin me shumë lehtësi edhe pse është njëra nga skuadrat më të shtrenjta në Kosovë. Megjithatë, ne morëm shumë seriozisht ndeshjen dhe krijuam shumë raste, me ç’rast e dominuam kundërshtarin dhe me plot meritë e fituam ndeshjen”, tha fillimisht Batatina për “Art Sport”.

Tutje ai deklaroi se ka 8 vite që e mposhtë Bylbyl Sokolin, si dhe shtoi se këtë fitore ia dedikon vajzës së ti, e cila feston ditëlindjen e 20-të.

“Tetë vite kam që e mposhti rregullisht Bylbyl Sokolin dhe besoj që do ta vazhdojë këtë ecuri edhe në vazhdim. Këtë fitore dëshiroj të ja dedikoj vajzës time Agnesës, e cila mbush 20 vite”, përfundoi Batatina.

Pas kësaj fitoreje, Llapi ka kaluar në pozitën e shtatë me 23 pikë./Gazeta inFokus/

Të tjera