Lajme

“Ta shkruajmë bashkë me amerikanët”, “Vuçiq do Kosovë jofunksionale”, çfarë thanë Osmani e Kurti për Asociacionin

Autori: Gazeta inFokus 16:55 | 18 October 2023

Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është shndërruar në çështjen kryesore sa i përket vazhdimit të procesit të normalizimit të raporteve me Serbinë. Brukseli dhe Uashingtoni e kërkojnë me ngulm, ndërkohë BE-ja mendon që zbatimi paralel i Marrëveshjes së Ohrit të nis me Asociacionin ndërkohë që Serbia nuk kërkon përdorimin e asteriskut dhe fusnotës apo për pjesëmarrjen e UNMIK-ut në forumet rajonale, shkruan Express.

Megjithatë pavarësisht kësaj thirrje të unifikuar të Perëndimit, krerët e shtetit në Kosovë po shprehin qëndrime të kundërta për Asociacionin.

Hiq më larg se këtë të martë, kryeministri Albin Kurti, gjatë një ligjërate të titulluar “Demokracia kundër autokracisë” ka folur kundër Asociacionit, duke thënë se presidenti i Serbisë dëshiron që të instalojë në Kosovë një etnitet juridiko-etnokratik brenda Kosovës.

-Advertisement-

”Aleksandar Vuçiq, dishepull i Vojslav Sheshel dhe ministër i informacionit (që do të thotë propagandë) i Sllobodan Millosheviçit gjatë viteve të 1990-ta, kërkon të instalojë një entitet juridiko-politik etnokratik brenda Kosovës, në mënyrë që ta bëjë republikën tonë një shtet jofunksional. Ai nuk beson në idenë e qytetarisë liberal-demokratike”, ka thënë të martën Kurti.

Ndryshe nga Kurti, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani vazhdon ta përsëris idenë e saj për shkrimin e statutit të Asociacionit bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë për “Tempus” Osmani ka thënë se propozimi i saj nënkupton rritje të rolit amerikan derisa procesi formal kryhet në Bruksel, shkruan Express.

Shefja e shtetit ka thënë se duhet koordinuar çdo shkronjë e statutit të Asociacionit me amerikanët.

“Kam kërkuar që të rritet roli i SHBA-ve duke kuptuar që procesi formal kryhet në Bashkim Evropian, kryhet në Bruksel, ajo çfarë kam kërkuar unë është që të shtohet edhe një hap, hapi i koordinimit të plotë të çdo veprimi, të çdo shkronje me SHBA-të sepse me ata kemi pajtim të plotë se si do të duket, e ajo është respektimi i çdo norme, çdo shkronje dhe frymës së Kushtetutës sonë”, ka deklaruar të martën presidentja Osmani.

Presidentja ka thënë se mendon që roli i SHBA-së është kyç meqë Kosova ka pajtueshmëri të plotë për parimet, dakordim që Kosova ende s’e ka me Bashkimin Evropian.

“Arsyeja pse unë e shoh rolin e Shteteve të Bashkuara kyç në këtë proces, është për shkak se me SHBA-të kemi dakordim të plotë për katër parimet: Kushtetuta e Kosovës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2015-ës, Letra e Mogherinit dhe Op/Ed-i amerikan nga Escobar. Me BE-në akoma nuk kemi një dakordim të tillë, po flas për ndërmjetësit”, ka shtuar tutje Osmani.

Propozimi i BE-së për zbatim paralel të Marrëveshjes së Ohrit ka qenë zhvillimi i fundit sa i përket procesit të dialogut. Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ka ndryshuar plotësisht situatën dhe mbetet tepër e paqartë se si do të ecet përpara. Kosova insiston se Serbia duhet sanksionuar pas sulmit terrorist ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Në dy forume ndërkombëtare ku kanë marrë pjesë krerët e shteteve të Kosovës dhe Serbisë ka dështuar aranzhimi i ndonjë takimi mes tyre. Presidentja Vjosa Osmani nuk është takuar me presidentin serb gjatë qëndrimit në Granda në kuadër të Komunitetit Politik Evropian, derisa kryeministri Albin Kurti s’ka takuar kryeministren serbe gjatë Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Coffee shkon edhe në Ferizaj – ambient i ngrohtë e risi në menu (VIDEO)
-Advertisement-

Të tjera