Opinione

Ta japësh mbretëreshën për kalë

Autori: Gazeta inFokus 11:37 | 23 December 2019

LDK-ja fitoi 160.000 vota me nominimin e Vjosa Osmanit për kandidaten e tyre për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit. Ndërsa që nga përfundimi i zgjedhjeve, znj. Osmani është shtyrë diku andej nga margjinat e partisë së paku nga këndvështrimi i partisë së saj, e cila e nominoi, dhe tani në terma të lojës së shahut LDK-ja e ka “dhënë mbretëreshën për kali”.

Sa herë e keni thënë vetë më vete se ja iku edhe një vjet, ndërsa unë mbeta aty ku isha edhe vitin e kaluar. Sikur të mund t’i dëgjonim mendimet e Kosovës së shkretë, sigurisht se ne do t’i harronim ngecjet në realizimin e synimeve dhe dëshirave tona.

Historia e trishtë e cila e përcolli Kosovën ndër shekuj, shekullin e fundit në veçanti e përgjakën atë dhe e përdhunuan në mënyrat më barbare të mundshme që qenia e quajtur njeri është në gjendje që t’ia bëjë një njeriu tjetër.

-Advertisement-

20 vjetët e pasluftës ishin bijtë e vetë Kosovës që iu sulën asaj, kësaj radhe duke abuzuar me buxhete publike, prona shoqërore dhe publike, me pasuritë e saja natyrore, dhe çkado tjetër në të cilat mundën që t’i shtrinin duart e tyre.

Se sa e poshtër është politika e bazuar në korrupsion, nepotizëm dhe mm i të mirave publike, si dhe lakmia për pozitat politike, Kosova si një shtet i ri është shembulli më i mirë për këtë gjë.

E cilat do të ishin mendimet e Kosovës në këtë fundvit? Cilat do të ishin dëshirat e saj të heshtura? Cilat do të ishin synimet e saj për të ardhmen? Si e ndien Kosova veten kur bijtë dhe bijat e saj dalin në zgjedhje me premtimet më megalomane të mundshme, duke premtuar jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe një qeverisje me duar të pastra, dhe duke mos abuzuar me të mirat publike dhe me paranë publike, tashmë brengën e vetme të tyre e kanë pozitën dhe copën e pites nga tepsia qeverisëse.

Si është e mundur që të gjithë e shohim dështimin e shtetit me sytë tanë dhe disi thuajse jemi nën ndikimin e ndonjë narkotiku të rëndë dhe ashtu sillemi si zombie, të humbur në kohë dhe hapësirë. Edhe sjellja e dy partive të cilat janë në tentativë për formimin e koalicionit të tyre qeverisës ka zhgënjyer shumë votues të tyre dhe njerëz të cilët ishin në pritje të një qeverisjeje ndryshe.

Duke mos dashur që ta amnistojë asnjërën nga to, prapë mendoj se pesha më e madhe e fajit qëndron me LDK-në me kushtëzimet e saj të pakuptimta dhe me insistimin e tyre që VV-ja t’ua pranojë votimin e presidentit, emrin e të cilit LDK-ja as që dëshiron ta diskutojë. Ku mbetën 400.000 votues? Përse nuk e kërkuat këtë pozitë gjatë fushatës zgjedhore?

Si edhe secilën herë deri më tani, edhe këto zgjedhje nuk dëshmuan asgjë tjetër përveç se egot dhe ambiciet personale politike janë dhe mbesin përmbi interesin e qytetarëve, përmbi interesin e Kosovës dhe përmbi interesin e proceseve nëpër të cilat Kosova është duke kaluar dhe ato të tjerat të cilat e presin.

LDK-ja fitoi 160.000 vota me nominimin e Vjosa Osmanit për kandidaten e tyre për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit. Ndërsa, që nga përfundimi i zgjedhjeve znj. Osmani është shtyrë diku andej nga margjinat e partisë së paku nga këndvështrimi i partisë së saj, e cila e nominoi, dhe tani në terma të lojës së shahut LDK-ja e ka “dhënë mbretëreshën për kali”. Fakti është se “kali” po mbetet anonim dhe gara në të cilën partia dëshiron që ta fusë atë nuk ka kurrfarë garancie se ajo garë do të ndodhë, por ashtu siç është një thënie e vjetër popullore “livadhin e budallës edhe kali qorr e kullot”. E deri më sot politika kosovare ka qenë vetëm një livadh i budallenjve ku kanë kullotur kuajt qorra.

Përderisa unë po i shkruaj këta rreshta në ditarin tim, njëkohësisht u mbajtën edhe votimet mbi dërgimin e presidentit të SHBA-së në gjyqin e Senatit Amerikan (impeachment). Presidenti Trump do të jetë presidenti i tretë në historinë e Amerikës ndaj të cilit ngrihet një procedurë e tillë legjislative. Dy të tjerët ishin presidenti Nixon dhe ai Clinton.

Ndaj presidentit Trump janë ngritur dy akuza: e para, abuzimi me fuqinë, e cila rrjedh nga përpjekja e dyshuar për t’i bërë presion Ukrainës për të deklaruar hetimet ndaj rivalit të tij politik Joe Biden; dhe e dyta, pengimi i Kongresit, pasi që supozohet se ka dyshime se presidenti kishte refuzuar që të kooperonte me “impeachment enquiry” (përfshirjen e implikimit) duke mos i dorëzuar evidencat dhe dokumentacionin, si dhe duke ndaluar ndihmësit e tij kryesorë që të jepnin evidencë.

Se a do ta largojë gjykata e Senatit presidentin Trump është vështirë të thuhet, ajo nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë, por ajo çka dihet është se presidenca e Donald Trumpit tashmë është e njollosur me aktin legjislativ të përfshirjes së implikimit.

E tërë kjo është bërë në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe demokracisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si do të venë gjërat në gjykimin në kuadër të Senatit mbetet të shihet, si dhe implikimet që mund t’i ketë si rrjedhojë në gjeo-politikën botërore.

Në kabllogramet diplomatike nga Republika e Shqipërisë vijnë lajme brengosëse. Kryeministri Rama vazhdon me projektin e tij të “mini-Shengenit ballkanik” ku në Durrës do të mbahet takimi i radhës i vendeve të rajonit.

Pritet edhe ardhja e Aleksandar Vuçiqit në këtë takim. Presidentit Thaçi i është dërguar ftesa për pjesëmarrje, sipas komenteve nga Kryeministria e Shqipërisë, por vështirë se presidenti Thaçi do të marrë pjesë aty. Ky projekt e neglizhon Kosovën, luftën e saj, viktimat dhe të gjitha flijimet e bëra. Ajo çka kjo marrëveshje sjell si arritje është “ngritja e autoritetit” të Edi Ramës në Bruksel, si dhe dalja e Serbisë me duar të pastra ende as pa përfunduar bisedat me Kosovën.

Është shumë e dhimbshme se çfarë rruge e ka zgjedhur Edi Rama, e edhe më shumë fyese është mënyra se si ai e arsyeton këtë iniciativë duke thënë se ajo është në favor të Kosovës dhe është për të mirën e saj. Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, si dhe Mali i Zi të gjithë dolën refuzues ndaj këtij projekti, e në të mbetën Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore. Mikro-Shengen do të thosha.

Kabllogrami i dytë i hidhur nga Shqipëria ka të bëjë me aprovimin e ligjit në Kuvendin e Shqipërisë të pakos anti-shpifje të Edi Ramës. Me paketën e re, Autoriteti i Mediave Audiovizive merr kompetenca për gjobitjen dhe deri në mbylljen e portaleve nëse gjykon se kanë publikuar shpifje apo lajme të rreme. Gazetarët argumentojnë se AMA nuk mund të marrë kompetenca që i takojnë gjykatës.

Me rëndësi që ne të kemi televizionin Edi Rama ERTV, bartësen absolute të së vërtetës, gazetarinë më të “pavarur” në ekranet tona. Nuk jam i sigurt nëse në Korenë e Veriut ekziston një KJTV? Pse do të duhej të ishte lëkura e Edi Ramës më e rëndësishme dhe më e shtrenjtë se e një qytetari të rëndomtë të Shqipërisë.

Njëjtë sikur edhe Kosova, edhe Shqipëria është mbipopulluar nga zombit, të cilët bëjnë sehir derisa shteti u hahet për së gjalli ashtu para syve të tyre. Tërmeti që goditi Shqipërinë e shpërfaqi brishtësinë e atij shteti dhe mosorganizimin shtetëror dhe abuzimet të cilat janë bërë. Epiqendra e tërmetit ishte dhe mbetet Edi Rama, i cili e shfrytëzoi këtë fatkeqësi natyrore për të tentuar ta ngrejë gërmadhën e tij personale dhe ta shpëtojë Edi Ramën e zënë nën të. Edi Rama i ka sjelljet e një ylli hollywoodian, arrogant, i pacipë dhe ekstrovert, i cili me pozitën me përgjegjësi të cilën e mban askujt nuk i hyn në punë për të mirë.

Është interesante se si është katandisur bota me këta politikanë tragjiko-komikë të cilët bartin fatet e popujve të tyre mbi supet e tyre. Disa nga ta në fakt bartin fatet e shumë më shumë popujve, pasi që përfaqësojnë superfuqitë ushtarake dhe ekonomike botërore. Indiferenca e njerëzve është një temë studimi në vete se pse ndodh ashtu dhe si është e mundur se votohen njerëz të tillë?

Fundviti po afrohet, sigurisht se do ta pyesim veten se cilat ishin të arriturat apo ngecjet tona gjatë vitit të cilin po e lëmë pas? Cilat do të jenë rezolutat tona për vitin i cili po vjen? Sa nga këto rezoluta personale do t’i përmbushim?

Të shpresojmë që të gjithë do ta kemi shëndetin, i cili fillimisht do të na shërbejë të gjithëve e me gjërat e tjera siç thotë populli “tu pa e tu bo”…

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera