Lajme

Szunyog: Integrimi i Kosovës në BE është i lidhur me dialogun Kosovë-Serbi

Autori: Gazeta inFokus 13:39 | 13 September 2022

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se procesi i integrimit në BE është i lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, Szunyog në një konferencë për media tha se mënyra e vetme për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin e Evropian është ratifikimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

“Është e qartë se procesi i integrimit në BE është i lidhur me dialogun, dhe mënyra e vetme për Kosovën të hyjë në Bashkimin e Evropian, është duke negociuar dhe ratifikuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve”, theksoi Szunyog.

-Advertisement-

Këto komente ambasadori Szunyog i bëri pas nënshkrimit të marrëveshjes për programin e parë financiar vjetor IPA III, në vlerën 63.96 milionë euro.

Në këtë konferencë për media, pyetjet e gazetarëve nuk i pëlqyen zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Bislimi nuk deshi të komentojë çështjen e raportimeve se “Elektro Sever” nuk e njeh Republikën e Kosovës, dhe i referohet me fusnotë.

“IPA 2021 është marrëveshja financiare më e madhe që ka Kosova, është pak mungesë respekti po kontaminoni takimin me tema që nuk kanë të bëjnë asgjë me arsyen pse jemi takuar. Për informimin tuaj nuk ka pikë kufitare në Breznicë dhe nuk e di nga e keni marrë këtë informacion dhe kur t’ju thërrasim për me fol për dialogun ju përgjigjem në secilën pyetje që mund të keni por sot fokusi duhet të jetë tek marrëveshja më e madhe financiare nga mekanizmi më i rëndësishëm që ka Kosova në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe mendoj që edhe pyetjet duhet të jenë në nivel të marrëveshjes dhe rëndësisë që e ka e njëjta”, tha Bislimi. /kp

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera