Rajoni dhe Bota

“Syri i zjarrtë”, laboratori që bën 1 milion teste të acidit nukleik në ditë

Autori: Gazeta inFokus 09:57 | 14 January 2021

Numri i infeksioneve të konfirmuara dhe asimptomatike të COVID-19 në provincën Hebei të Kinës Veriore ka vazhduar të rritet që kur u raportua një rast i ri i konfirmuar lokalisht më 2 janar. Të martën u raportuan gjithsej 326 raste të konfirmuara lokalisht dhe 234 raste asimptomatike. Si një nga masat e kontrollit, puna e testimit të acidit nukleik po zhvillohet në “Syrin e zjarrtë”, një laborator i lëvizshëm pneumatik, që u ngrit në vetëm 10 orë në Shijiazhuang, kryeqendrën e provincës Hebei.

Laboratori është ngritur për raundin e dytë të testimit në mbarë qytetin e Shijiazhuang-ut. Laboratori, i vënë në funksionim nga Grupi i Institutit të Gjenomikës të Pekinit (BGI), mund të përballojë deri në një milion teste të acidit nukleik në ditë.

-Advertisement-

Laboratorët “Syri i zjarrtë” kanë mbështetur përpjekjet për testime masive në 16 qytete në mbarë Kinën dhe në 17 vende e rajone në të gjithë botën, si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Serbia.

Dhomat e tyre kanë pajisje që respektojnë dizajnin në mënyrë rigoroze. Çdo njësi funksionale përbëhet nga tre dhoma, brenda të cilave bëhet përkatësisht marrja e mostrave, nxjerrja e mostrave dhe testimi i acidit nukleik.

Makineritë e automatizuara të testimit COVID-19 dhe funksionimi i laboratorit mund të përmirësojnë efikasitetin e të gjithë procedurës, duke bërë të mundur që laboratori të përpunojë deri në një milion rezultate testimi në ditë.

“Brenda, ne kemi dizajne që sigurojnë presion negativ të ajrit dhe pastrojnë ajrin. Të gjitha pjesët, të cilat janë të ndara në mënyrë rigoroze, mund të mbrojnë jo vetëm personelin eksperimentues, por edhe mostrat. Prandaj, laboratori është shumë i dobishëm për rajone ku aktualisht ka nevojë urgjentë për testim në shkallë të gjerë të acidit nukleik,” tha Du Yutao, anëtare e bordit të Grupit BGI .

Testimi mund të bëhet në një hapësirë të kufizuar. Krahët robotikë përdoren për të hapur kapakët, kështu që procesi është plotësisht i automatizuar. Teorikisht laboratori mund të testojë deri në 100 000 mostra në ditë individualisht. Nëse kryhet testimi në grup, duke përzier pesë ose dhjetë mostra së bashku për testim, atëherë kapaciteti i testimit këtu mund të arrijë një milion në ditë.

Në Shijiazhuang, kryeqendër e provincës Hebei, ku janë regjistruar mbi 300 të prekur prej COVID-19 që nga fillimi i këtij viti, nisi të martën raundi i dytë i testimit të acidit nukleik të të 11 milionë banorëve të këtij qyteti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera