Lajme

Sveçla: Janë evidentuar shkelje ligjore në deportimin e gjashtë shtetasve turq

Autori: Gazeta inFokus 16:47 | 12 November 2018

Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, ka përfunduar intervistimin e ish-drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni.

Intervistimi i Maxhunit zgjati mbi dy orë, ndërsa komisioni vazhdoi mbledhjen edhe për më shumë se gjysmë ore.

Pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i këtij komisioni Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se deri më tash kanë gjetur mangësi dhe kanë identifikuar shkelje ligjore.

-Advertisement-

Ai nuk ka dashur të flasë në detaje, por ka shtuar se ka institucione të cilat nuk kanë dërguar të gjitha dokumentet që kanë në dispozicion lidhur me rastin.

Ai ka përmendur edhe lëvizjen e disa zyrtarëve nga një pozitë në tjetrën, me ç’rast ka thënë se mbetet të shihet nëse kanë qenë të qëllimshme ose jo.

Policia e Kosovës kishte arrestuar në mars të këtij viti gjashtë shtetas turq, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif, shkollë e cila është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut Fetullah Gulen, i cili kërkohet nga Turqia me akuzën se qëndron prapa puçit të dështuar në këtë shtet dy vjet më parë.

Arrestimi kishte ndodhur pas një bashkëpunimi me inteligjencën turke. Mësuesit e kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina dyshohet se janë pjesëtar të organizatës “FETO”.

Pas arrestimit të shtetasve turq, kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi.

Në fund të muajit tetor, Komisioni Parlamentar për hetimin e depërtimit të gjashtë shtetasve turq të deportuar nga Kosova në Turqi, nisi punën me intervistimin e zyrtarëve policorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Kryetari i këtij komisioni, Xhelal Sveçla, pati deklaruar për media se ky komision dëshiron ta kuptojë të vërtetën se çfarë ndodhi ditën e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq.

Ndryshe, deri më tani janë intervistuar tre zyrtarë policorë të aeroportit, ndërkohë që Sveçla pati thënë se do të vazhdojnë intervistimet edhe të zyrtarëve tjerë policorë./

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera