Lajme

Sveçla: Gjurmët tregojnë se aksioni për rrëmbimin e policëve ka qenë masiv dhe i organizuar mirë

Autori: Gazeta inFokus 09:58 | 15 June 2023

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media të enjten bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se gjurmët tregojnë se aksioni për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës ka qenë mirë i organizuar dhe pothuajse masiv.

Siç ka bërë të ditur Sveçla, gjurmët tregojnë po ashtu se “ka qenë një aksion i dy njësive speciale me numër shumë më të madh se sa që ju e keni parë ose se sa që pjesëtarët e policisë tonë kanë qenë”.

“Mund të them lirisht se në zonat kufitare cilido shtet mund të ndërmarr hapa të këtillë kundër një shteti tjetër. Nuk është diçka e paarritshme. Kjo e bërë nga Serbia nuk ka befason, por për vendet demokratike është absolutisht e papranueshme. Nuk e dimë se ku janë policët tanë duke u mbajtur”, ka thënë ministri, raporton Telegrafi.

-Advertisement-

Ai tutje ka deklaruar se Njësia anti-terror, Forenzika, Krimet e Rënda dhe Prokuroria e Shtetit janë duke zhvilluar hetime.

“Dje isha në vend të ngjarjes për të dëshmuar se bëhet fjalë për kidnapim të zyrtarë policorë. Faktet janë të qarta, ata kanë qenë thellë në territorin e Republikës së Kosovës. Dëshmitë janë të mjaftueshme se ka qenë një operacion mirë i organizuar pothuajse masiv i këtyre njësive speciale”, është shprehur Sveçla.

Ai ka thënë se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për këtë vepër, derisa ka shtuar se përgjegjësia për vijën kufitare është e KFOR-it.

Ministri i Punëve të Brendshme ka deklaruar po ashtu se janë duke bërë përpjekje ta kuptojnë se ku po mbahen policët e kidnapuar.

“Gatishmëria e Policisë është në nivel të lartë. Unë besoj që do të jenë të gatshëm t’i përgjigjen çfarëdo sfide”.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka thënë se të gjitha informacionet që Qeveria e Kosovës i posedon lidhur me këtë rast i ka edhe KFOR-i dhe partnerët ndërkombëtarë, por sipas tij, heshtja e këtyre të fundit nuk I kontribuon as de-eskalimit, as hetimit e as drejtësisë.

“Nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovës, as të nesërmen të mos kemi kurrfarë deklarate zyrtare. Mbrëmë kam pasur bisedë telefonike edhe me të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar edhe me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, me të cilët kemi diskutuar për situatën e sigurisë dhe iu kam thënë se pres që KFOR të na sjell informacion para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, por asnjë informacion”.

“Në mbledhje kemi shkuar vetëm me informacionet e Republikës së Kosovës që qartazi janë të sakta e të vërteta. Jemi në kontakt me ta do t’i takoj edhe sot gjatë ditës dhe po ashtu jemi në kontakt me Zyrën Ndërlidhëse në Beograd për të bërë vizita në burgjet ku po mbahen policët tanë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera