Lajme

Sveçla-Borrellit: A duhet tash çdo ditë ta pyesim dikë për aksionet tona

Autori: Gazeta inFokus 17:01 | 13 October 2021

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka reaguar Joseph Borellit lidhur me deklaratën se aksioni në veri ishte i njëanshëm dhe i pa koordinuar, shkruan Gazeta Infokus.

Ai ka thënë se aksione të tilla ka vazhdimisht, çdo ditë duke përmendur rastin e djeshëm ku u arrestua një falsifikator faturash e që i përkiste nacionalitetit turk.

“Sa i përket Borrellit, aksione të tilla kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal, ne kemi gati për çdo ditë. Dje Policia e Kosovës ka pasur një aksion jashtëzakonisht të suksesshëm ku është arrestuar një falsifikator i faturave të ndryshme me 18 vula të ndryshme falso. Nacionaliteti i tij është turk. Tash a është dashur edhe ne dje ta lajmërojmë dikë apo të koordinohemi me dikë për aksionin tonë. Ky aksion ka qenë puro kundër kontrabandës që është një plagë që po kullon në financa për çdo ditë për shtetin dhe qytetarët e varfër të Kosovës”, ka thënë ai.

Më tutje, ai tha se është qasje e gabuar të mendohet se duhet bashkëpunuar me Beogradin, për ta luftuar krimin dhe kontrabandën.

“Nëse dikush mendon se ne duhet që të koordinohemi me Beogradin që të godasim ata të cilët Beogradi po i mbron në krim, atëherë mendoj që është një qasje e gabuar”, ka thënë ai./Gazeta Infokus/

Të tjera