Lajme

“Superbakteriet e lumit” kroat vendosin ndotjen farmaceutike nën mikroskop

Autori: Gazeta inFokus 12:08 | 29 January 2020

Paralajmërimet për superbakteriet vdekjeprurëse në lumin më të madh të Kroacisë ngrenë pyetje serioze mbi ndotjen antibiotike nga prodhimi i ilaçeve. Po pse autoritetet kanë dështuar të veprojnë?

Nga një rrugë e paasfaltuar në bregun verior të lumit Sava, skena është çlodhëse: gjelbërim i dendur, plazhe me guralecë, qiell që reflektohet në ujë. Pastaj ti sheh një shtrat betoni për shkarkime, gjysmë të fshehur nën shkurre. Ajri është i rëndë si prej kanali ujërash të zeza. Shkumë ngjyrë kafe dallohet në cekëtina.

Për mikrobiologen Nikolina Udiković Kolić, më shqetësuesja për këtë vend 15 kilometra mbi rrjedhën e lumit nga kryeqyteti i Kroacisë Zagreb, nuk është ajo që ti sheh dhe mban erë.

-Advertisement-

Është ajo çfarë është gjetur e fshehur në sedimentet përreth rrjedhës së shkarkimit – një gjë mikroskopike dhe gjithashtu me potencial vrasës.

Ndjehej sikur po bëja një lloj pune policore,” tha ajo, duke rikujtuar orët e kaluara e kërrusur në baltën e lumit më të madh të Kroacisë, duke futur baltë në shishka analizash, gjatë një viti pune kërkimore më 2016.

Udiković Kolić, drejtuese e Laboratorit të Mikrobiologjisë Mjedisore dhe Bioteknologjisë në Institution shetëror Rudjer Bošković në Zagreb, dokumentoi nivele alarmuese të dy antibiotikëve të zakonshëm: azitromicina dhe eritromicina.

Akoma më keq, skuadra e saj tregoi se antibiotikët po shkaktonin zhvillimin e rezistencës antimikrobiale te bakteriet në sediment, njohur si AMR.

Në terma të thjeshtë, balta është bërë djep për superbakteriet – mikrobe imune ndaj ilaçeve të dizajnuara për t’i shkatërruar ato.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh për rritjen e superbakterieve si një kërcënim i madh ndaj shëndetit njerëzor.

“Rezistenca antimikrobiale është një nga shqetësimet më të mëdha që ne kemi aktualisht, është e ngjashme me ndryshimet klimaterike,” thotë Johan Bengtsson-Palme, një ekspert i AMR-së në Universitetin e Goteborgut në Suedi.

“Është një nga ato gjëra që mund të ndryshojë tërësisht historinë e njerëzimit përgjatë njëqind viteve të ardhshme.”

“Rezistenca antimikrobiale është një nga shqetësimet më të mëdha që ne kemi aktualisht, është e ngjashme me ndryshimet klimaterike. Është një nga ato gjëra që mund të ndryshojë tërësisht historinë e njerëzimit përgjatë njëqind viteve të ardhshme.”

– Johan Bengtsson-Palme, Universiteti i Goteborgut

Nuk është sekret që lumenjtë e botës janë të mbushura me antibiotikë, të hedhur aty nga spitalet ose të nxjerra nga trupat tona përmes sistemeve të shkarkimit të ujërave të zeza.

Por shkencëtarët janë ende duke punuar për të kuptuar proceset gjenetike që ndodhin te superbakterier, dhe kërkimi në institutin Rudjer Bošković ka ndihmuar për të mbushur disa boshllëqe në këtë drejtim.

Kjo ka ngritur edhe një pyetje shqetësuese.

Analizat e Udiković Kolić dhe skuadrës së saj zbuluan nivele antibiotikësh 1,000 herë më të larta se sa ndotja e zakonshme. Një përqendrim i tillë mund të jetë vetëm rrjedhojë e prodhimit farmaceutik, thonë shkencëtarët.

Dhe fajtori i vetëm i mundshëm është një fabrikë në fshatin Savski aty pranë, nën pronësinë e Plivës, kompanisë më të madhe farmaceutike të Kroacisë.

Referuar në studimin e Udiković Kolić’s si “Kompania 1”, Pliva ka një histori të mirëdokumentuar të ndotjes së rrjedhave ujore të zonës.

Ajo është gjithashtu e vetmja kompani në Kroaci e licencuar për të prodhuar substancën aktive të Azitromicinës, përmes përdorimit të Eritromicinës si ingredient bazë, sipas Agjencisë së Produkteve Mjekësore dhe Pajisjeve Mjekësore (HALMED), organi shtetëror përgjegjës për mbikëqyrjen e farmaceutikës.

Analizat nga instituti Rudjer Bošković sollën një nga studimet e para që lidhën superbakteriet me derdhjet nga fabrikat farmaceutike në lumenjtë e Europës, një kontinent që supozohet se ka ndërgjegje ekologjike.

Pliva, e cila është nën pronësinë e gjigantit izraelit Teva Pharmaceutical Industries, thotë se testimet e pavarura tregojnë se uji i shkarkuar prej saj është i sigurt.

Autoritetet në Kroaci duken të gatshme për të pranuar fjalën e kompanisë si të vërtetë. Në vend që të pranojnë kërkimin e Udiković Kolić si shkak dhe të kërkojnë hetime urgjente, ata nuk kanë bërë shumë për të rianalizuar rezultatet e saj apo për të hetuar përmasat e AMR-së në lumin Sava.

Ata as nuk janë të detyruar të bëjnë diçka të tillë. Pavarësisht studimeve ndërkombëtare mbi kërcënimet që vijnë nga superbakteriet, asnjë ligj kroat apo rregullore në nivel Europian nuk rregullon nivelet e lejuara të antibiotikëve në mjedis.

Ekspertët thonë se një përqasje e tillë e çlirët është shumë e papërshtatshme përballë rrezikut që përbëjnë superbakteriet.

“Një shkallë e tillë e lartë përqendrimi [që u gjet nga kërkimi i Udiković Kolić] dukshëm [përbën] rast të rezistencës antimikrobiale,” tha Joakim Larsson, një profesor në Universitetin e Goteborgut, Instituti i Biomjekësisë dhe një pionier në këtë fushë.

“Nëse ne e ndotim mjedisin me nivele shumë të larta antibiotikësh, ne rrezikojmë të promovojmë shfaqjen e formave të reja të rezistencës në patogjenë.”

Një rrjedhë shkarkimi prej betoni derdh mbetjet në Lumin Sava, 15 kilometra mbi rrjedhën nga Zagrebi. Ishte përreth këtij burimi që kërkuesit nga instituti Rudjer Bošković zbuluan nivele alarmuese të antibiotikëve në ujë dhe sedimente, si dhe të ashtuquajturar superbakterie. Foto: Vedrana Simičević

Një betejë e humbur

Ndërsa AMR-ja i bën antibiotikët më pak efikasë, spitalet janë gjithnjë e më shumë duke humbur luftën kundër infeksioneve, të tilla si pneumonia, tuberkulozi, helmimi i gjakut, gonorrea apo sëmundjet e bartura nga ushqimet.

Rreth 33 mijë njerëz në Bashkimin Europian dhe në Zonën Ekonomike Europiane vdesin çdo vit për shkak se infeksioneve nga superbakteriet, sipas një studimi të Nëntorit 2018  nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Shkencëtarët thonë se keqpërdorimi i antibiotikëve është shkaku kryesor i AMR-së, për shkak se mikrobet transformohen në superbakterie në trupat tanë ndërkohë që ne konsumojmë në mënyrë të panevojshme ilaçe për të trajtuar, fjala vjen, infeksione virale.

Por provat po shtohen për argumentin se ndotja antibiotike e mjedisit është gjithashtu duke shkaktuar AMR.

Kur antibiotikët përfundojnë në rrjedha ujore përmes jashtëqitjeve njerëzore apo të kafshëve, përqendrimet mbeten relativisht të ulëta – zakonisht më pak se një mikrogram për litër (μg/L).

Këto nivele janë asgjë nga përqendrimet e antibiotikëve nga shkarkimet e trajtuara pak të industrisë së ilaçeve, tregojnë studimet e kryera në Azi përgjatë dekadës së fundit.

Skuadra e Larsson në Universitetin e Goteborgut tregoi më 20007 dhe përqendrimet e antibiotikëve në shkarkimet e rreth 90 njësive prodhuese në qytetin industrial të Patancerut në Indi kapërcenin ato të gjetura në gjakun e një personi gjatë kohës që ai konsumon ilaçet.

Nivelet e ciprofloksacinës ishin një milionë herë më të larta se sa ato që gjenden zakonisht në ujërat e zeza urbane të trajtuara. Nëse mbledh të gjithë ciproflokcacinën që rrjedh në kanalet e Patancerut në një ditë të vetme, atëherë ke ilaç të mjaftueshëm për të trajtuar 44 mijë njerëz.

Shkencëtarët zbuluan nivele të tilla të larta në rrjedhat ujore në Kinë, Korenë e Jugut dhe Pakistan, vende të njohura për kontrolle të pakta mjedisore.

Pyetur mbi kërkimin e Udiković Kolić në Kroaci, Larsson tha se ai ishte “i një cilësie shumë të mirë”.

“Dhe po, ai tregon se ndotje e madhe shkaktohet nga prodhimi i ilaçeve edhe në Europë,” tha ai.

Microbiologia Nikolina Udiković Kolić punon në laboratorin e saj në institutin Rudjer Bošković në Zagreb. Foto: Denis Lovrović

Nuk është aksident

Udiković Kolić, një 41 vjeçare ish studente e Fullbrajtit me flokë me krela, nuk pati në plan të hynte në luftë me kompanitë e mëdha farmaceutike në vitin 2016.

E mbushur me ide nga studimet post-doktorale që sapo kishte përfunduar në Universitetin e Jellit, ku u specializua në një metodologji të njohur si metagenomika funksionale, ajo ishte e etur për të eksploruar lidhjet e mundshme mes antibiotikëve dhe mjedisit si dhe gjeneve rezistente ndaj antibiotikëve.

Ajo nuk e zgjodhi aksidentalisht vendin e kërkimit për ndotje. Kolegët e saj në institutin Rudjer Bošković kishin vërejtur edhe më herët përqendrime të larta të azitromicinës dhe eritromicinës në këtë zonë gjatë kërkimeve të kryera mes viteve 2006 dhe 2008.

Në atë kohë, Pliva dhe dy kompani të tjera në Savski Marof ishin të përfshira në një skandal ndotjeje pas shumë vitesh derdhjesh pa kriter në rrjedhat ujore, përfshirë Gorjakun, një rrëke që derdhet në Sava dhe që kishte marrë nofkën “Rrëkeja e Qelbur” nga vendësit e zemëruar.

Firmat e tjera ishin prodhuesi i majasë Kvasac nën pronësi franceze dhe prodhuesi amerikan i ilaçeve Hospira.

Ruža Katić, një aktiviste dhe ish politikane vendor nga komuna Zapresiç, aty pranë, rikujton betejën e gjatë dhe të ashpër për të detyruar kompanitë të pastronin Gorjakun.

“Ishte kaq e vështirë të bindje autoritetet vendore dhe ministrinë e mjedisit për të përdorur rregullat ligjore të disponueshme për të ndaluar këto kompani nga ndotja e zonës,” tha ajo.

Ishte kaq e vështirë të bindje autoritetet vendore dhe ministrinë e mjedisit për të përdorur rregullat ligjore të disponueshme për të ndaluar këto kompani nga ndotja e zonës.

– Ruža Katić, aktiviste mjedisore

Gjërat më në fund filluan të ndryshojnë pasi ministria e mjedisit dorëzoi një kallëzim penal kundër Pliva dhe Kvasac në vitin 2007.

Kompanitë u detyruan të dërgojnë ujërat e pista të tyre te sistemi urban në Zapresiç, ku ato u përpunuan në impiantin komunal të pastrimit CUP Zajarki.

Impianti nuk është i pajisur për të trajtuar ndotjen antibiotike. Por më 2014, Pliva investoi më shumë se 13 milionë euro për të ndërtuar impiantin e vet të trajtimit, përfshirë një bioreaktor me membranë, teknologjia më e fundit për heqjen e ingredientëve farmaceutikë aktivë nga rrjedhat e ujit.

Që nga ajo kohë, kompania thotë se ujërat e saj të derdhura trajtohen brenda fabrikës para se të shkarkohen në rrjetet e ujërave të zeza, të tërhiqen nga CUP Zajarski dhe të derdhen në lumin Sava nga dy vend-shkarkime në një distancë një kilometër larg njëra-tjetrës.

Udiković Kolić zgjodhi këto du shkarkime për punën e saj kërkimore në terren në vitin 2016. Ajo dhe skuadra e saj testuan ujin dhe sedimentet përgjatë një viti, përfshirë fundjavat dhe ditët e pushimit.

Nëse bioreaktori me membranë në Pliva po e bënte punën e vet, nivelet e antibiotikëve duhej të ishin të ulëta.

Për në shumë raste në dimrin dhe pranverën e vitit 2016, skuadra e saj gjeti përqendrime të azitromicinës dhe të makrolidës, një produkt shoqërues në prodhimin e azitromicinës.

Kompania e ujësjellës-kanalizimeve të Zapreciç konfirmoi se Pliva dhe Hospora janë të vetmet kompani farmaceutike që kryejnë derdhjen e ujërave të zeza në sistemin komunal të ujërave të zeza.

Por për shkak se Hospira nuk e ka prodhuar kurrë substancën aktive të azitromicinës – një fakt i konfirmuar nga agjencia shtetërore HALMED – kontaminimi antibiotik nuk ka nga të ketë ardhur tjetër veçse nga Pliva.

Rezultatet e skuadrës, fillimisht të publikuara një vit më vonë në gazetën Water Research, zbuloi nivele deri 10.5 mg/L — 1,000 herë më të larta se sa nivelet tipike të gjetura në derdhjet spitalore të trajtuara.

Dhe edhe disa kilometra më poshtë rrjedhës, përqendrimet ishin 20 herë më të larta. Testet për kontroll më sipër rrjedhës konfirmuan se ndotja nuk mund të kishte ardhur nga më sipër lumit.

“Këto gjetje bashkë me nivelet e larta të përbërësve organikë, fosforogjenë dhe të nitratit të vërejtura në rrjedha janë tregues të trajtimeve në nivele të pakënaqshme të ujërave të ndotura nga Kompaninë 1 dhe të shkarkimeve të paautorizuara,” shkroi skuadra në kërkimin e tyre.

Edhe diçka tjetër tërhoqi vëmendjen e tyre: koha e çuditshme e gjetjeve.

“Në ditë pune si e Marta apo e Enjtja, përqendrimet ishin të ulëta por kampionët e marra në të Shtunat pasdreke ose gjatë ditëve të pushimit kishin përqendrime shumë të larta të azitromicinës dhe produkteve shoqëruese të sintezës së saj,” rikujtoi Udiković Kolić.

Kjo ushqeu spekulime se Pliva mund të mos jetë duke përdorur bioreaktorin e kushtueshëm me membranë përgjatë të gjithë kohës, ndoshta për të kursyer kostot operative, por kompania e mohon këtë.

Shkumë e kaftë lundron në ujin pranë kanalit të shkarkimit që derdhet në lumin Sava. Foto: Vedrana Simičević

‘Kroatët po na helmojnë’

Më frikësuese se sa antibiotikët ishin superbakteriet e gjetura në sedimente.

Skuadra e Udiković Kolić gjeti ngarkesa të mëdha me bakterie rezistente ndaj azitromicinës, i cili është edhe antibiotiku më popullor në Kroaci e që përdoret për çdo gjë, nga infeksionet e veshit te sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Ekspertët thonë se AMR-ja po e bën azitromicinën më pak efikase në spitalet e Kroacisë dhe aktualisht antibiotikët po dështojnë të luftojnë infeksionet e pneumukozës në 30% të rasteve.

Puna në terren ndihmoi për të shpjeguar se si “përhapet” AMR-ja.

“Aftësia e bakteries për të ndarë gjenet është një nga faktorët themelorë që e bën ekspozimin e antibiotikëve në mjedis të rrezikshëm,”

thotë Bengtsson-Palme nga Universiteti i Goteborgut, duke komentuar mbi kërkimin e Udiković Kolić.

Aftësia e bakteries për të ndarë gjenet është një nga faktorët themelorë që e bën ekspozimin e antibiotikëve në mjedis të rrezikshëm.

– Johan Bengtsson-Palme, Universiteti i Goteborgut

“Nëse ti ke përqendrime të larta të antibiotikëve, siç është rasti në studimin e laboratorit të Nikolinës, speciet e ndjeshme dhe disa lloje bakteriesh do të vdesin. Ata që mbijetojnë do të jenë më rezistent.

“Bakteriet e mbijetuara mund të përhapin gjenet rezistente në bakterie të tjera për shkak se ato janë shumë të mira në ndarjen e gjeneve. Nëse janë në situata stresi, ato përgjigjen duke thënë: ‘hej, fqinjë, doni ca nga gjenet e mia?’

“Dhe nëse këto gjene rezistente përhapen te bakteria e cila shkakton sëmundjen, kjo do të thotë se ne kemi edhe një problem klinik.”

Udiković Kolić dhe kolegët e saj zbuluan pikërisht këtë problem.

Eksperimentet në laborator treguan se mori gjenesh rezistente në sedimentin poshtë rrjedhës ishin duke “transferuar” ARM te patogjenët, të tillë si Eskerikia Koli, shpesh shkak i infektimeve në zorrë dhe në kanalet urinare.

Shkencëtarët thonë se superbakteriet dhe gjenet përgjegjëse për to mund të përhapen te trupat janë nga lumenjtë apo liqenet përmes konsumimit të ujit, të peshkut apo gjatë aktiviteteve dëfryese të tilla si noti.

Ndërsa nuk është e lehtë të provosh një lidhje të drejtpërdrejtë mes infektimeve nga superbakteriet dhe ndotjes së mjedisit me antibiotikë, “raste të dyshuara klinike janë shfaqur,” thotë Christoph Lübbert, kreu i Divizionit të Sëmundjeve Infektive dhe Mjekësisë Tropikale në Spitalin Universitari të Lajpcigut.

Dhe edhe një lidhje indirekte mund të jetë e rrezikshme, sipas Arjana Tambić Andrašević, drejtuese e departamentit për bakteriologjinë dhe infektimet spitalore në Universitetin Spitalor për Sëmundjet Infektive Dr. Fran Mihaljevic në Zagreb.

Tambić Andrašević dha shembullin e bakteries E.Koli e cila po zhvillon rezistencë ndaj një klase antibiotikësh të njohur si cefalosporina pasi ka rënë në kontakt me kluiverën, një bakterie që rrallë herë shkakton infeksione por shpesh gjendet në rezervuarë gjenesh rezistente në mjedis.

Përqendrime më të larta antibiotikësh janë provuar gjithashtu se dëmtojnë ekosistemin. Skuadra e Udiković Kolić gjeti se derdhjet e kontaminuara mund të shkaktojnë anormalitete në, fjala vjen në embrionet e peshqve zebra.

Skuadra e institutit Rudjer Bošković publikoi gjetjet e veta në katër gazeta të ndryshme shkencore përgjatë tri viteve dhe rezultatet u bënë referencë për së paku dy studime madhore ndërkombëtare. Më 2017, media në Kroaci raportoi shkurtimisht mbi këtë kërkim, duke u përqendruar në çështjen e ndotjes antibiotike.

Edhe media në Serbinë fqinje e mori lajmin, e alarmuar nga perspektiva e antibiotikëve që rrjedhin poshtë lumit që kalon në Serbi para se të bashkohet me Danubin në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.

“Kroatët po na helmojnë,” shkruante titulli i një gazete tablloid.

Pavarësisht vëmendjes mediatike, autoritetet kroate nuk kanë ndërmarrë ende asnjë lloj hetimi mbi gjetjet e Udiković Kolić.

Nikolina Udiković Kolić: ‘Ndjehej sikur po bëja një farë pune policore.’ Foto: Denis Lovrović

Monitorim ‘i pavarur’

Instituti Rudjer Bošković nuk ka testuar kampionë nga sedimentet që nga viti 2016 dhe BIRN nuk ishte në gjendje të kontrollonte në mënyrë të pavarur nivelin e antibiotikëve në lumin Sava sot.

Pliva refuzoi kërkesën e BIRN për intervistë por tha në një deklaratë se ujërat e ndotur nuk mund të kenë shkaktuar kontaminim me antibiotikë, siç është gjetur nga skuadra e Udiković Koli.

“Ne theksojmë se Pliva rregullisht merr kampionë të ujërave të ndotur nga fabrika e saj në Savski Marof dhe kryen monitorim të vazhdueshëm që tregon se të gjitha parametrat e paracaktuar janë brenda kufijve të lejuar,” tha ajo.

“Monitorimi kryhet gjithashtu në mënyrë të rregullt nga laboratorë të pavarur sipas metodave të specifikuara në mënyrë të rreptë nga institucionet e autorizuara dhe parametrat e vërejtura plotësojnë normat e paracaktuara dhe janë brenda kufijve të lejuar.”

Ministria e Mjedisit refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve mbi gjetjet e institutit Rudjer Bošković apo politikave të monitorimit të ujit në Kroaci, duke referuar BIRN të fliste me Hrvatske Vode, kompania shtetërore e ujit, si dhe te Inspektorati Shtetëror i Kroacisë, një organ monitorues i qeverisë.

Sipas inspektoratit, inspektimi i fundit i përgjithshëm i sistemit të trajtimit të ujërave të përdorur të Plivës u krye në fund të vitit 2018 dhe në të nuk u regjistruan parregullsi.

Por kur vjen puna te mbajtja e të dhënave mbi nivelin e antibiotikëve në ujë, institucionet e shtetit mbështeten te monitorimi i kryer nga Laboratori Kombëtar i Shëndetësisë, Mjedisit dhe Ushqimeve në Maribor, Sloveni, i cili është komisionuar nga vetë Pliva.

“Nuk ka laborator në Kroaci të autorizuar për të analizuar antibiotikët,” tha inspektorati në një deklaratë.

Nuk ka laborator në Kroaci të autorizuar për të analizuar antibiotikët.

– Inspektorati Shtetëror i Kroacisë

Ekspertët thonë se një varësi e tillë ngre pikëpyetje mbi pavarësinë dhe saktësinë e monitorimit. Sa për fillim, testimi nuk po bëhet në mënyrë rastësore dhe pa paralajmërim.

Sipas inspektoratit, laboratori i Mariborit merr kampionë në dy vende gjashtë herë në vit.

E para është te pika ku ujërat e përdorura të Plivës hyjnë në sistemin komunal të ujërave të zeza. E dyta është pika ku përroi Gorjak nuk përdoret më nga kompania për të shkarkime të ujërave të përdorura gjatë prodhimit farmaceutik.

Asnjë prej këtyre pikave nuk është pranë vendit ku shkencëtarët nga instituti Rudjer Boskovic regjistruan nivele të larta antibiotikësh më 2016.

Pliva refuzoi të japë të dhënat nga laboratori slloven, por tha se rezultatet “konfirmojnë që përqendrimet e antibiotikëve janë gjithmonë më të ulëta se sa kufiri i dallimit”.

Laboratori i Mariborit gjithashtu refuzoi të japë rezultatet. Një zëdhënëse i tha BIRN se për shkak se monitorimi është porositur nga Pliva, të dhënat janë pronësi e Plivës.

Inspektorati Shtetëror i Kroacisë nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për rezultate të detajuara të analizave të laboratorit në Maribor.

“Dukshëm nuk mjafton që kompania të dizajnojë vetë mënyrën e mbledhjes së kampionëve dhe të jetë njëkohësisht pronare e të dhënave,” tha Larsson nga Universiteti i Goteborgut me ironi, kur u pyet se si mund të konsiderohet regjimi monitorues i Plivës në raport me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Ai tha se një sistem më i mirë mund të jetë të vendosësh në ujërat e ndotura të ashtuquajturit kampionues pasivë –  mjete apo organizma të dizajnuara për të kapur ndotësit kimikë në mjedis përgjatë një kohe të gjatë.

“Megjithëse ato nuk janë shumë sasiorë, mund të zbulojnë nëse ka lëshime rastësore gjatë periudhës kur ata janë përdorur,” tha ai duke shtuar se “transparenca e plotë” e metodologjisë për kampionimin dhe analizimin është e domosdoshme.

“Disa lloje inspektimesh në terren duket se janë të nevojshme,” konkludoi Larsson.

Një pamje e fabrikës farmaceutike të Plivës pranë fshatit Savski Marof. Foto: Vedrana Simičević

Nuk ka limite ligjore

Përtej monitorimit më të mirë, ekspertët thonë se problemi i vërtetë është rregullimi për shkak se nuk ka limite ligjore mbi nivelet e antibiotikëve në mjedis – gjë që do të thotë se prodhuesit e ilaçeve mundet që, në teori, të ndotin me pandëshkueshmëri.

“Standardet e cilësisë së ujit në mjedis sa i përket antibiotikëve makrolid [përfshirë azitromicinën dhe eritromicinën] nuk janë të përcaktuara në ligjin kroat apo në rregulloret e BE-së,” thotë Hrvatske Vode, kompania kroate e ujësjellësit në një deklaratë.

Po kështu nuk ka rregullime mbi nivelin e antibiotikëve në ujërat e përdorura nga industria.

Në një raport të vitit 2018 nga Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, nga Rrjeti i Mbretërisë së Bashkuar për Shkencë dhe Inovacion si dhe nga Trusti Wellcome, ekspertët paralajmërojnë për rreziqet mbi nivelin e ulët të informacionit mbi ARM-në në mjedis – dhe të manifakturës së antibiotikëve në përgjithësi.

Jo vetëm që ka shumë pak të dhëna të publikuara mbi volumin e përbërësve farmaceutikë të prodhuar në shkallë botërore çdo vit, apo edhe se ku këto përbërës prodhohen, por nuk ka as standarde ndërkombëtare mbi limitet antimikrobiale në ujërat e përdorura, thonë ato.

“Në mënyrë specifike, më shumë qartësi është e nevojshme mbi rrezikun ndaj shëndetit të njeriut në mënyrë që të mund të priorizohet aksioni,” shkruhet në raport.

Vlerësimi i parë i pavarur se si prodhuesit e ilaçeve po i përgjigjen kërcënimit nga AMR u krye vitin e kaluar nga Fondacioni Akses në Mjekësi, një organizatë jofitimprurëse holandeze që lobon për më shumë përgjegjësi sociale nga industria farmaceutike ndaj njerëzve të varfër.

Studimi tregoi se vetëm tetë nga të 30 kompanitë e vrojtuara kanë limite mbi çlirimin e antibiotikëve në mjedis – dhe asnjë prej tyre nuk publikonte sasinë e derdhjeve.

“Autoritetet rregullatore në BE nuk kërkojnë një informacion të tillë,’ tha për BIRN Suzanne Wolf, drejtoreshë e komunikimit te Fondacioni për Akses në Mjekësi.

Në Suedi, vendi që udhëheq rrugën në Europë sa i përket trajtimit të shkaqeve mjedisore të AMR-së, qeveria ka mandatuar Agjencinë Suedeze të Produkteve Farmaceutike (MPA) të lobojë në nivel europian për të vendosur kontrolle më të rrepta mbi ndotjen mjedisore nga kompanitë farmaceutike.

Rregulloret aktuale mbulojnë sasinë dhe sigurinë e ilaçeve por jo emetimet nga fabrikat, thotë Kia Salin, një stratege mjedisore në MPA.

“Industria farmaceutike është shumë kundër këtij ndryshimi,” tha Salin. “Ata madje thanë se do të kontrollojnë vetë këtë punë vullnetarisht, por ka ende prova për nivele të larta substancash farmaceutike në mjedis përreth fabrikave, jashtë dhe brenda Europës.”

Industria farmaceutike është shumë kundër këtij ndryshimi.

– – Kia Salin, Agjencia Suedeze e Produkteve Mjekësore

Pyetur mbi situatën në Kroaci, Salin theksoi rëndësinë për monitorim të pavarur të emetimeve nga kompanitë e ilaçeve.

“Pavarësia duhet të jetë një nga fokuset kryesore,” tha ajo. “Për shumë vite, ne kemi argumentuar për këtë, në shumë seminare në nivel ndërkombëtar por asgjë nuk ka ndryshuar. Industria është në mënyrë konstante kundër.”

Duke parë vakumin në informacion dhe në politika, i mbetet shkencëtarëve dhe kërkuesve të përpiqen të zbulojnë problemin.

Në maj, studimi më i madh i këtij lloji në botë mati përqendrimet e antibiotikëve në 200 lumenj në 90 vende.

Alistair Boxall, shkencëtar mjedisor në Universitetin e Jorkut që ka koordinuar studimin, i tha BIRN se ndotja nga manifaktura u dallua qartë në disa vende të Afrikës dhe të Azisë, por jo aq shumë në lumenjtë e Europës.

Gjithsesi, disa zona në Europë, të tilla si kanali i Danubit në Vienë, kishin nivele “goxha të larta” të antibiotikëve, tha ai.

“Ne krahasuam përqendrimet me limitet e propozuara të sigurisë në terma të rrezikut për rezistencë antimikrobiale dhe gjetëm disa vende në Europë që i kapërcejnë këto limite,” tha ai, duke shtuar se të dhënat për Europën janë ende në proces analizimi.

Në Mars, Komisioni Europian miratoi Përqasjen Strategjike ndaj Farmaceutikëve në Mjedis duke rekomanduar gjashtë veprime për të ndërmarrë, përfshirë mbledhjen e të dhënave më të mira, reduktimin e derdhjeve nga fabrikat dhe përmirësimin e përpunimit të ujërave të përdorura.

Por Wolf nga Fondacioni Akses në Mjekësi tha: “Për ca kohë veprimet e identifikuara nuk rregullohen, shanset janë që problemi nuk do të njohë përmirësim”.

Për Salin nga MPA, strategjia e komisionit ishte një zhgënjim.

“Nuk ka një propozim real se si duhet të trajtohet problemi,” tha ajo. “Është më shumë se si ne duhet të diskutojmë çështjen edhe për një dekadë.”

Bengtsson-Palme i Universitetit të Goteborgut tha se shqetësimi më i madh është që ndotja mjedisore është pjesa më e lehtë për t’u zgjidhur nga problemi i superbakterieve.

“Shkaku mjedisor luan një rol të vogël te AMR-ja në krahasim me keqpërdorimin e antibiotikëve në shëndet publik dhe bujqësi,” tha ai. “Por çlirimi i antibiotikëve në mjedis pa arsye përveç asaj që është me më pak kosto, nuk sjell asnjë përfitim.”

Më 2015, ai dhe kolegu i tij Larsson krijoi një listë të niveleve përtej të cilave këto antibiotikë mund të shkaktojnë rezistencë antimikrobiale. Lista përmban 100 loje antibiotikësh. Ideja ishte që rregullatorët të ndihmoheshin duke identifikuar nivelet përtej të cilave ndotja me antibiotikë bëhet e rrezikshme.

“Nëse ne nuk mund të bëjmë asgjë për këtë, unë nuk mendoj se do të jemi të aftë të bëjmë diçka mbi mbipërdorimin [e antibiotikëve], ku në lojë nuk janë vetëm paratë, por edhe jetët e njerëzve dhe të kafshëve,” tha ai.

‘Monitorim jointeligjent’

Nëpër të gjithë Europën, vetëm dy antibiotikë – sulfametoskazoli dhe sulfametazina – monitorohen në shkallë të gjerë nëpër lumenj nga autoritetet kombëtare, sipas një raporti të vitit 2018 të Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Europian.

Antibiotikë të tjerë, edhe në rastet kur bëhet, monitorohen vetëm në pak vende Europiane. Kroacia është një  nga vendet që monitorin tri të ashtuquajturat antibiotikë makrolidë: azitromicinën, eritromicinën dhe claritromicinën.

Hrvatske Vode, kompania e ujësjellësit të Kroacisë, thotë se ajo monitoron këto antibiotikë në përputhje me vendimin e Komisionit Europian (2015/495) për të krijuar një listë të substancave potencialisht të rrezikshme në ujë.

Por monitorimi ndodh vetëm deri në katër herë në vit në vetëm dy vendndodhje në Lumin Sava. Pika më e afërt është rreth 10 kilometra më poshtë derdhjeve të fabrikës Pliva.

Në shumicën e rasteve, “nuk ka gjurmë domethënëse të antibiotikëve në ujë,” tha Hrvatske Vode.

Alistair Boxall, koordinator i studimit më të madh botëror mbi antibiotikët në lumenj, tha se praktikë e mirë është që të mbledhësh kampionë në shumë vende të ndryshme në një lum të caktuar, nga gjashtë deri në 20 për çdo qytet.

“Problemi me monitorimet e kryera nga agjencitë rregullatore është se ata janë ende duke parë për vetëm pak kimikate,” tha ai. “Në Mbretërinë e Bashkuar ne po shpenzojmë miliona në monitorimin e kimikateve që ne aktualisht nuk përdorim më dhe jemi duke injoruar çdo gjë tjetër.”

Boxall vërejti se lista e BE-së për substanca të rrezikshme që duhet të monitorohen përmban vetëm disa lëndë farmaceutike.

“Nuk ka shumë inteligjencë në sistemin aktual të monitorimit,” tha ai. “Gjërat mund të bëhen në mënyrë më tërësore, siç bëmë ne në studimin tonë, ose ne mund të përdorim disa metoda të përparuara analitike. Kjo me siguri do të na thotë ne më shumë mbi atë që po ndodh në lumenjtë tanë dhe ndaj çfarë elementësh ne jemi të ekspozuar.”

Foto: Vedrana Simičević

Vedrana Simicevic është gazetare e lirë kroate që është e specializuar në çështje të shkencës, mjedisit dhe shoqërisë. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative. Redaktimi nga Timothy Large.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera