Lajme

Sulmuesit e gazetarëve në veri s’u përballën me drejtësinë

Autori: Gazeta inFokus 12:34 | 02 November 2023

Asnjë rast i sulmeve ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, që ndodhën në muajt maj dhe qershor të këtij viti, nuk është duke u gjykuar.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), 30 sulme të tilla u regjistruan në atë zonë të banuar me shumicë serbe nga 60 gjithsej, sa u raportuan deri më tash këtë vit në të gjithë territorin e Kosovës.

“Ne e dimë se disa prej sulmuesve me maska që i kanë sulmuar gazetarët në veri, janë identifikuar, janë arrestuar, por më vonë janë liruar nga organet e Kosovës. Ne kërkojmë drejtësi, pavarësisht situatës së komplikuar politike në veri të vendit”, thotë kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, për Radion Evropa e Lirë.

-Advertisement-

“Për gazetarët është e rëndësishme që drejtësia të vihet në vend, që sulmet ndaj tyre të mos mbesin të pandëshkuara”, thotë ai më 2 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit për krimet kundër gazetarëve.

Dhjetëra gazetarë u sulmuan në veri të Kosovës derisa mbulonin protestat e grupeve të serbëve kundër kryetarëve të zgjedhur shqiptarë të komunave me shumicë serbe në atë zonë.

Protestuesit i sulmuan fizikisht dhe verbalisht ata, i shtynë dhe i detyruan t’i fshinin pamjet. Automjetet e ekipeve të mediave u vandalizuan po ashtu.

Sulmet u dënuan ashpër nga institucionet vendase dhe ndërkombëtare, të cilat bënë thirrje që “mediat të jenë në gjendje të punojnë pa dhunë dhe pa frikësim”.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, raportoi në qershor për arrestimin e së paku tre sulmuesve të dyshuar të gazetarëve në veri. Por, nuk është e qartë se si janë proceduar rastet e tyre.

Reagime po, por jo edhe të dënuar

Venera Xhoxhaj-Adili ishte në mesin e atyre që u sulmuan. Gazetarja e Radio Televizionit të Kosovës po raportonte nga komuna e Leposaviqit më 16 qershor kur u sulmua fizikisht.

“Unë kam dhënë atë ditë një deklaratë në stacionin e policisë në Leposaviq. Edhe një telefonatë pas disa ditësh e kam marrë nga zyrtarë policorë, për të siguruar se jam deklaruar. Nuk kam informacione zyrtare se çka ka ndodhur, pasi edhe nuk e kam proceduar tutje rastin”, thotë Xhoxhaj-Adili për Radion Evropa e Lirë.

Ajo shton se reagimet ndaj sulmeve ishin të shumta, por se ato nuk u përcollën me ndonjë të dënuar për kryerjen e tyre.

Më 30 maj, një taksi me të cilën po udhëtonte një ekip i Radios Evropa e Lirë u sulmua, po ashtu, në Zubin Potok.

Sulmi ndodhi derisa makina ishte në lëvizje dhe asnjëri nga pjesëtarët e ekipit të REL-it nuk pësoi lëndime.

Pas përfundimit të protestës, vetura me të cilën udhëtonte ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zubin Potok është sulmuar me eksploziv, që dyshohet se ka qenë bombë shokuese, nga banorë të zonës.
Pas përfundimit të protestës, vetura me të cilën udhëtonte ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zubin Potok është sulmuar me eksploziv, që dyshohet se ka qenë bombë shokuese, nga banorë të zonës.

Nga sistemi i drejtësisë i Kosovës thonë se i trajtojnë me prioritet të gjitha rastet e dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.

“Me planin strategjik për qasje në drejtësi, gazetarët gëzojnë mbrojtje të veçantë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Afrim Shala, kryetar i Komisionit për analizimin e Planeve strategjike për përmirësimin e qasjes në drejtësi 2022-2025 dhe për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022-2024.

“Nuk mund të them se rastet e tilla [të gazetarëve] nuk janë trajtuar. Ne kemi disa raste nga praktika jonë gjyqësore që kanë përfunduar dhe të dënuarit i kanë marrë dënimet e merituara, kur gazetarët kanë qenë viktima”, thotë Shala, por pa i përmendur rastet e sulmeve ndaj gazetarëve në veri.

REL-i e pa Planin strategjik për përmirësimin e qasjes në drejtësi 2022-2025, në të cilin përmendet “trajtimi me prioritet të lartë i rasteve penale, ku viktima janë personat e ndjeshëm, përkatësisht gazetarët”.

Për këtë qëllim thuhet se Komisioni për analizimin e Planeve strategjike “e ka parë të arsyeshme dhe të nevojshme që t’i propozojë Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ta shqyrtojë mundësinë e caktimit të një gjyqtari si “koordinator për rastet penale, ku viktima janë gazetarët”. Deri ku ka arritur kjo procedurë, nuk është e qartë.

REL-i kontaktoi pa sukses Prokurorinë në Prishtinë.

Policia e Kosovës, ndërkaq, tha në një deklaratë me shkrim se sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj lirisë së fjalës dhe se, për këtë arsye, ajo vazhdimisht “ka ndërmarrë dhe vazhdon të marrë masa ligjore ndaj kryesve të kësaj natyre”.

Në deklaratë nuk specifikohet asgjë në lidhje me sulmet ndaj gazetarëve në veri.

“Sulmuesit e gazetarëve e kanë vendin në burg”

Juristja e mediave në Kosovë, Flutura Kusari, thotë se mosndëshkimi i kriminelëve që sulmojnë gazetarët, nxit kriminelët e tjerë që të veprojnë njëjtë.

“Sulmuesit e gazetarëve e kanë vendin në burg. Policia, prokuroria dhe gjykatat duhet t’i trajtojnë krimet ndaj gazetarëve me profesionalizëm dhe guxim të njëjtë siç i trajtojnë sulmet dhe kërcënimet që iu bëhen politikanëve të fuqishëm”, thotë Kusari për Radion Evropa e Lirë.

Rexha i AGK-së këmbëngul, po ashtu, se policia dhe sistemi i drejtësisë i Kosovës duhet të punojnë më shumë dhe t’i ndëshkojnë përgjegjësit e sulmeve ndaj gazetarëve.

“Ajo çka ka ndodhur në vitin 2023, paraqet rritje alarmuese të sulmeve dhe krimeve kundër gazetarëve – me theks të veçantë mbi ato që kanë ndodhur brenda pesë javëve, në fund të muajit maj dhe në qershor, në veriun e Kosovës”, thotë Rexha.
Për krahasim, AGK-ja, në vitin 2022, regjistroi 33 raste, ku gazetarët ishin viktima të dhunës fizike, të sulmeve apo kërcënimeve. Në vitin 2021 u regjistruan 29 raste të tilla.

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, AGK-ja organizoi një fushatë online me mesazhe dhe thirrje për rëndësinë e ndëshkimit të kërcënimeve dhe sulmeve kundër gazetarëve.

“Unë edhe sot nuk e kam një përgjigje për fëmijët e mi: Pse për shkak të punës sime, deshën t’i djegin së gjalli edhe ata”, ishte mesazhi i gazetarit të RTK-së, Alban Selimi, i cili hapi fushatën.

Selimit, në mars të këtij viti, i ishte djegur garazhi i shtëpisë.

Për ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili iu bashkua fushatës së AGK-së, “një medie e lirë është thelbësore për një demokraci të shëndoshë”.

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, në raportin e publikuar këtë vit për të drejtat e njeriut në botë, përmendi “reagimin e dobët të organeve të shtetit” ndaj “çështjes së keqtrajtimit të gazetarëve në Kosovë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera