Lajme

Sulmi terorist në Banjskë, Parlamenti Evropian do të kërkojë masa ndëshkuese ndaj Serbisë – votimi të enjten

Autori: Gazeta inFokus 07:11 | 16 October 2023

Grupet më të mëdha politike në Parlamentin e Evropian kanë përfunduar draftet e propozimeve të tyre për një Rezolutë për marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe incidentet e fundit të armatosura në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, në të cilën do të kërkojnë vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë, por kanë qëndrime të ndryshme nëse duhet të prezantohen menjëherë apo vetëm nëse vërtetohet se Beogradi zyrtar ka lidhje me “sulmin terrorist në veri të Kosovës”.

“Popullorët” evropianë nga Partia Popullore Evropiane (EPP), grupi politik më i madh në Parlamentin Evropian, janë të mendimit se duhet dënuar përkrahja që u ka dhënë Beogradi zyrtar autorëve të “sulmit terrorist”, por ata nuk do të insistojë në gjuhë të ashpër dhe dënime apriori ndaj Serbisë, për shkak të kundërshtimit të disa anëtarëve partiakë të grupit, të cilat, siç mëson portali serb “N1”, vijnë kryesisht nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.Siç mëson ky portal, EPP dhe të Gjelbrit (Greens/EFA) janë dakord që Serbia duhet të ndëshkohet, por vetëm nëse hetimi tregon lidhjen e shtetit me incidentin në Banjskë, ndërsa socialdemokratët besojnë se Serbia është de fakto përgjegjëse për ngjarjet e 24 shtatorit dhe se ajo duhet të dënohet menjëherë për këtë, si dhe për veprimet e mëparshme, të cilat sipas tyre nuk kanë shkuar në favor të bashkëpunimit dhe qetësimit të situatës.

Në kampet e ‘popullorëve”, socialdemokratëve dhe të gjelbërve mbizotëron mendimi se masat ndëshkuese ndaj Kosovës duhet të hiqen, ndaj pritet që gjatë harmonizimit të versionit përfundimtar të tekstit të Rezolutës kjo ide do të marrë mbështetje të mjaftueshme, përkundër qëndrimit të deklaruar më herët nga Shërbimi për Punë të Jashtme të BE-së, në të cilin konsiderojnë se ende nuk kanë pushuar të gjitha arsyet që çuan në vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

-Advertisement-

Sipas portalit serb, shumica e deputetëve socialdemokratë (S&D) duan të përfshijnë në Rezolutë një dënim të qartë të retorikës dhe veprimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e konsideruar atë si një “faktor destabilizues”, por kjo, për momentin, nuk ka mbështetjen e grupeve të tjera politike.

Ekziston një konsensus midis grupeve politike që Rezoluta e Parlamentit Evropian për Kosovën dhe Serbinë të dënojë sulmin terrorist në Banjskë dhe kërkon bashkëpunimin e plotë të Prishtinës dhe Beogradit në hetimin e asaj ngjarje, duke përfshirë ndjekjen penale dhe ekstradimin e personave përgjegjës, “apelon fuqishëm” te të dyja palët të bëjnë gjithçka që të ulin tensionet dhe të mos ndërmarrin hapa që do të çonin në përkeqësim të situatës. Rezoluta kërkon që Kosova dhe Serbia të përmbushin propozimet e BE-së që çojnë në de-përshkallëzimin dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve, për të cilat ndajnë mendimin se janë e vetmja mënyrë për të arritur një kompromis që do të zgjidhte të gjitha problemet dhe do të rregullonte në mënyrë të përhershme marrëdhëniet e ndërsjella, transmeton Telegrafi.

Është e paqartë se deri në çfarë mase eurodeputetët do të fajësojnë veten, përkatësisht institucionet e BE-së, për situatën në Kosovë dhe përkeqësimin e situatës, sepse shumica e tyre në debatin e mbajtur dy javë më parë theksuan përgjegjësinë e BE-së. në radhë të parë për mungesën e rezultateve të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të Gjelbrit madje thirrën në përgjegjësi Miroslav Lajçakun, përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, por siç mëson “N1”, ata ranë dakord të mos insistonin që emri i tij të përfshihej në Rezolutë.

Të hënën në mbrëmje në Strasburg, në margjinat e ditës së parë të sesionit të Parlamentit të BE-së, do të mbahet takimi i përfaqësuesve të grupeve politike nga Parlamenti Evropian ku do të paraqesin draft propozimet e tyre dhe do të bien dakord për versionin përfundimtar të tekstit të Rezolutës për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ngjarjet në Banjskë. Votimi në seancë plenare është caktuar për të enjten më 19 tetor në mesditë.

Rezolutat e Parlamentit Evropian përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të atij institucioni, por nuk janë të detyrueshme për institucionet e BE-së apo shtetet anëtare.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ
-Advertisement-

Të tjera