Fokus

Sulmi seksual ndaj nxënëses në Malishevë, Gjykata dërgon në arrest shtëpiak punëtorin teknik të shkollës

Autori: Elvira Haxhiu 11:24 | 22 November 2022

Të premten (18.11.2022) u raportua se një vajzë e mitur, nxënëse në shkollën fillore “Kajtaz Ramadani” në Kijevë të Malishevës është sulmuar seksualisht nga një punonjës teknik i kësaj shkolle, shkruan Gazeta Infokus.

Po në këtë ditë policia njoftoi se i dyshuari është arrestuar nga policia.

Lidhur me rastin Infokus ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ku zëdhënësja e këtij institucioni, Yllka Juniku-Shenu, ka thënë se Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

-Advertisement-

E kjo kërkesë është aprovuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë.

“Më 18 nëntor 2022, me urdhër të prokurorit kujdestarë, është ndaluar një person I dyshuar për veprën penale “Sulmi seksual”, si dhe, brenda afatit ligjorë, ndaj të njëjtit, Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, e cila edhe është aprovuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë”, ka thënë Juniku-Shehu për Infokus.

Derisa ka bërë të ditur se rasti ka kaluar në departamentin për të mitur dhe se janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për grumbullimin e provave materiale, në lidhje me rastin.

Ndërkaq, lidhur më rastin, Drejtoria e Arsimit në Malishevë kanë marrë vendim që të dyshuarit t’i ndalohet puna nga data 18 nëntor 2022.

“Punëtori Naser Hamëz Malisheva nga fshati Kijevë, KK- Malishevë i sistemuar në punë dhe detyra të punës punëtor teknik në SHFMU “Kajtaz Ramadani” në Kijevë i ndalohet puna nga data: 18.11.2022”, thuhet në vendimin e Drejtorisë së Arsimit dërguar Gazetës Infokus.

LEXO EDHE: https: Dyshohet se sulmoi seksualisht një të mitur në një shkollë të Malishevës, Drejtoria e Arsimit merr vendim për punëtorin teknik

Derisa në vendim thuhet se gjatë kohës së ndalimit nga punë të punësuarit i takon e drejta e pagës pa u dëmtuar në të ardhura personale nga data 18 e muajit nëntor.

Ndërkaq, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Malishevës, Arbëreshë Krasniqi, në një prononcim për Gazetën Infokus të premten ka thënë se drejtori i shkollës në momentin që e ka kuptuar rastin e ka lajmëruar atë dhe policinë.

LEXO EDHE: Dyshohet se e mitura u sulmua seksualisht nga punëtori i shkollës, flet drejtoresha e Arsimit në Malishevë

“Ne rastin e kem si të raportum si dyshim do me thënë nuk kem ende prej organeve prova që e konfirmojnë atë dyshimin në një vepër që në realitet ka ndodhë. Rasti është i lajmrum në polici do me thënë në momentin kur e ka kuptuar drejtori i shkollës më ka njoftu dhe e ka raportu në polici”, ka thënë Krasniqi.

E këtë rast e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka thënë se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Me datë 17.11.2022, Stacioni Policor në Malishevë është njoftuar se viktima, femër (e mitur), nxënëse e SHFMU “Kajtaz Ramadani” në Kijevë, ishte sulmuar seksualisht nga një punonjës teknik i kësaj shkolle. Njësitet relevante të policisë ju janë përgjigjur rastit dhe është arrestuar i dyshuari. Me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë”, ka thënë Elezaj për Infokus.

Ndërkaq, rasti është iniciuar si “Sulm seksual”./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera