Lajme

Sulmi në Mançester, rrezikohen hetimet

Autori: Gazeta inFokus 15:10 | 25 May 2017

Këshilli i Krerëve të Policisë Kombëtare në Britani paralajmëroi se rrjedhja e mundshme e informacioneve “minon hetimet e tij”, një deklaratë e lëshuar pak pas publikimit të fotove që tregonin mbetjet e bombës së përdorur në sulmin e Mançesterit.

“New York Times” publikoi foto ku shihej detonatori, bateria, fragmente gozhdësh dhe pjesë të çantës së përdorur nga atentatori. Pa sqaruar se cilët ishin burimet, gazeta thoshte vetëm se aksesin për fotot e marra në vendngjarje ia kishin siguruar autoritetet britanike. Shqetësim ka përcjellë edhe Zyra Kombëtare britanike e Antiterrorit.

“Ne e vlerësojmë marrëdhënien e besimit që kemi me partnerët anembanë botës, por shkelja e atij besimi minon këto marrëdhënie, minon hetimin si dhe besimin e të afërmve të viktimave e atë të dëshmitarëve okularë, tha zëdhënësi i saj.

-Advertisement-

Ankesat erdhën në të njëjtën kohë kur Sekretarja e Brendshme, Amber Rudd, i përshkroi si “irrituese” rrjedhjet e informacionit në SHBA e deklaroi se kjo nuk duhet të ndodhë më. Një sërë detajesh të sulmit vdekjeprurës në koncertin e Ariana Grande në “Manchester Arena” u nxorën nga burime ligjzbatuese amerikane përpara se të bëheshin publike nga policia apo zyrtarët britanikë.

Kryeministrja Theresa May ka ndërmend ta diskutojë këtë çështje edhe me shefin e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump. Një ditë më parë, në Tripoli të Libisë u arrestuan vëllai dhe babai i 22-vjeçarit që hodhi veten në erë në Mançester. Mendohet se vëllai i tij, Hashimi, ishte në dijeni të planeve të sulmit, ndërsa ka dëshmi se ai gjithashtu mund të jetë i përfshirë me Shtetin Islamik.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera