Lajme

Sulmi në Londër, terroristët donin kamion

Autori: Gazeta inFokus 13:43 | 10 June 2017

Detektivët britanikë që po hetojnë sulmin terrorist të 3 qershorit në Londër, kanë publikuar detaje të reja për planet e terroristëve, të cilat nuk u materializuan. Sipas tyre, terroristët kërkonin të përdornin një kamion të tonazhit të rëndë, 7.5 ton, por nuk e morën dot me qira, pasi nuk u funksionojë karta e kreditit.

Në rast se karta e kreditit të terroristëve të sulmeve të fundit në Londër do të kishte funksionuar, ata do të kishin mundur të merrnin me qira jo furgonin që përdorën, por një kamion të tonazhit të rëndë, prej 7.5 tonësh, për të shkaktuar sa më shumë viktima nëpër rrugët e Londrës.

Furgonin e përdorur e të braktistur, terroristët e kishin mbushur me thasë të shumtë me rërë për t’i shtuar peshën dhe për ta bërë më vdekjeprurës automjetin gjatë sulmit të tyre të një jave më parë. Sipas policisë, terroristët përdorën thika qeramike dhe i kishin të lidhura tek kyçi i dorës, ndërkohë që në furgon kishin shumë shishe me bomba molotov. Terroristët kishin marrë me qira një apartament në lagjen Barking, në lindje të Londrës, që e përdornin si bazë ku u gjet edhe një version në anglisht i Kuranit, i hapur në faqen ku flitej për martirizimin.

-Advertisement-

8 vetë kanë humbur jetën dhe disa dhjetra janë duke u kuruar në gjendje të rëndë nëpër spitale nga sulmet terroriste të së shtunës së kaluar në qendër të Londrës. Policia u thirr dy minuta pas sulmit dhe vetëm pas 8 minuatash të tre terroristët ishin asgjësuar nga policë të armatosur që mbërritën me shpejtësi në vendngjarje. Policia  ka arrestuar edhe dy persona të tjerë gjatë kësaj fundjave në lindje të Londrës. Scotland Yard-i britanik kërkon që më shumë dëshmitarë të kontaktojnë autoritetet dhe bën apel pranë kompanive që marrin makina dhe kamionë me qira që të raportojnë çfarëdolloj aktiviteti të dyshimtë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera