Lajme

Sulmi në Barcelonë, kërkim ndërkombëtar për drejtuesin e furgonit

Autori: Gazeta inFokus 14:23 | 21 August 2017

Policia spanjolle e konfirmoi zyrtarisht, atë që raportet në shtypin vendas e artikulonin prej ditësh: drejtuesi i furgonit të përplasur mbi njerëzit e pafajshëm në Barcelonë javën e shkuar është 22-vjeçari Younes Abouyaaqoub, kërkimet për të cilin janë shtrirë tani në mbarë Europën.

Autoritetet spanjolle e lanë të kuptohet që një ditë më parë se, Abouyaaqoub mund të ketë kaluar kufirin me Francën. Pamjet e reja të përftuara nga regjistrimet e kamerave të sigurisë në ditën e sulmit tregojnë se i riu është larguar nga vendngjarja në këmbë.

Gazeta “El Pais” botoi 3 foto, ku 22-vjeçari shihet duke ecur me syze dielli përmes tregut “La Boqueria”, ndërsa kalon mes njerëzve që largohen në panik nga “Las Ramblas”.

-Advertisement-

Policia po heton mundësinë që, gati 90 minuta më vonë, i dyshuari të ketë qëlluar me thikë e vrarë një spanjoll për t’i grabitur makinën. 34-vjeçari Pau Pérez bëhet kështu viktima e 15 e konfirmuar e sulmeve terroriste në Spanjë. 13 persona u vranë kur furgoni i drejtuar nga marokeni Abouyaaqoub u lëshua mbi turmën e njerëzve në “Las Ramblas” dhe një grua vdiq gjatë sulmit të dytë disa orë më vonë në qytetin e Cambrilsit.

Nga 12 personat e dyshuar për organizimin e akteve të terrorit, Abouyaaqoub është i vetmi që mbetet në arrati. Përveç 5 pjesëtarëve të celulës, të ekzekutuar nga forcat e rendit në Cambrils, 4 të tjerë janë në pranga dhe mbetjet e dy personave të vdekur nga shpërthimi në një vilë të Alcanarit të mërkurën, pritet të identifikohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera