Lajme

Sulmi kibernetik, a u hakua shteti i Kosovës?

Autori: Gazeta inFokus 22:15 | 07 September 2022

Për tri ditë me radhë, institucionet e shtetit po përballen me sulme kibernetike të llojit DDoS. Për këtë arsye, edhe sot faqja zyrtare e qeverisë dhe disa të tjera ranë kohë pas kohe nga sistemi.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se shumica dërmuese e shërbimeve kanë qenë funksionale dhe se ekipi i sigurisë i është kundërvënë sulmit.

“Sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës se rrjetit kompjuterik shtetëror. Ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI ka ndërmarrë veprimet konkrete të nevojshme dhe, në bashkëpunim me ekspertë të jashtëm, është duke punuar në tejkalimin e plotë të këtij sulmi”, tha Kryeziu.

-Advertisement-

Por tjetër interpretim ka njohësi i kësaj fushe, Kastriot Fetahaj.

“Fakti që ka pasur problem me internet, i bie që sulmi ka depërtuar deri brenda. A ka depërtuar në serverët me të dhëna të ndjeshme, kjo nuk dihet”, shprehet ai.

Fetahaj tha se nuk është problem përballja me këso sulme, teksa kritikon Qeverinë për infrastrukturën kibernetike që ka.

“Nëse na bie neve një server, po na bie krejt infrastruktura, që domethënë një konfigurim i keq dhe duhet të përmirësohet”, shtoi Fetahaj.

Fetahaj tha se duhet të shtohet kujdesi në mbrojtje, pasi mund të përsëritet skenari si në Shqipëri, që të ketë sulme edhe më të rënda.

“Një lloj karrem sulmi, për me i mashtru dhe me pas kohë edhe mundësi me sulmu në servera tjerë që munden me i dëmtu të dhënat, me i marrë, me i ekspozu, me i fshi”, tha ai.

Ende nuk dihet origjina e saktë e sulmeve të fundit në faqet e institucioneve, por është konfirmuar se ato kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera