Lajme

Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit, BE paralajmëron Elon Musk: Po përhapet dezinformim në platformën “X”

Autori: Gazeta inFokus 10:52 | 11 October 2023

Bashkimi Europian ka paralajëmruar Elon Musk se në platformën e tij “X” po përhapen “dezinformata”, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.

Në një postim në faqen e njohur më parë si Twitter, shefi i industrisë së bllokut tha se “përmbajtja e dhunshme dhe terroriste” nuk ishte hequr, pavarësisht paralajmërimeve, siç kërkohet nga ligji i BE-së.

Në përgjigje, Musk tha se kompania e tij kishte ndërmarrë veprime, duke përfshirë heqjen e llogarive të sapokrijuara të lidhura me Hamasin. Ai i kërkoi BE-së të listojë shkeljet e supozuara.

-Advertisement-

Thierry Breton, Komisioneri për Tregun e Brendshëm të Bashkimit Evropian, nuk dha detaje mbi dezinformimin që ai po i referohej në letrën e tij drejtuar Musk.

Megjithatë, ai tha se raste të “imazheve dhe fakteve të rreme dhe të manipuluara” u raportuan gjerësisht në platformën e mediave sociale.

“Prandaj ju ftoj që urgjentisht të siguroheni që sistemet tuaja të jenë efektive dhe të raportoni për masat e krizës të marra te ekipi im”, shkroi ai në letrën e tij të cilën e ndau në mediat sociale.

Letra e tij vjen disa ditë pasi grupi militant palestinez Hamas nisi një sulm ndaj Izraelit, duke vrarë qindra banorë dhe duke marrë dhjetëra pengje.

Si kundërpërgjigje, forcat izraelite kanë nisur valë sulmesh me raketa në Gaza, të cilat kanë vrarë më shumë se 900 njerëz.

Akti i Shërbimeve Digjitale të BE-së (DSA) është krijuar për të mbrojtur përdoruesit e platformave të mëdha të teknologjisë.

Ai u bë ligj nëntorin e kaluar, por firmave iu dha kohë për t’u siguruar që sistemet e tyre ishin në përputhje.

Më 25 prill, komisioni emëroi platformat shumë të mëdha online, ato me mbi 45 milionë përdorues të BE-së, që do t’u nënshtroheshin rregullave më të ashpra, mes tyre X. Ligji hyri në fuqi katër muaj më vonë në gusht.

Sipas rregullave më të ashpra, firmat më të mëdha duhet të vlerësojnë rreziqet e mundshme që mund të shkaktojnë, të raportojnë atë vlerësim dhe të vendosin masa për t’u marrë me problemin.

Mosrespektimi i DSA-së mund të rezultojë në gjoba të BE-së deri në 6% të xhiros globale të një kompanie ose pezullim të mundshëm të shërbimit.

Musk shpërndau Këshillin e Besimit dhe Sigurisë së Twitter-it menjëherë pasi bleu kompaninë në vitin 2022. I formuar në vitin 2016, këshilli vullnetar përmbante rreth 100 grupe të pavarura që këshillonin për çështje të tilla si vetëdëmtimi, abuzimi i fëmijëve dhe gjuha e urrejtjes.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera