Lajme

Studentëve iu shtohen 2 mijë libra

Autori: Gazeta inFokus 16:03 | 15 March 2018

Përfaqësuesit e Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim i kanë dorëzuar Qendrës së Studentëve 2 mijë libra me 500 tituj të ndryshëm të mbledhur nga donacionet e qytetarëve për bibliotekën e konvikteve.

Rron Gjinovci, përfaqësues i ORCA-së tha se këto libra janë mbledhur për një muaj.

Këta 500 tituj janë të të gjitha fushave që studiohen në Universitetin e Prishtinës, shkruan Infokusi.

-Advertisement-

Arsyeja pse e kanë zgjedhur Qendrën e Studentëve për t’i dhuruar këto libra sipas tyre ishte koncentrimi më i madh i studentëve në këtë pjesë.

“Pas ardhjes së kësaj ideje tek ne, ne kemi parë mundësinë që me e bë një kampanjë që me mbledh libra për studentë dhe kemi menduar që vendi më i mirë për ta bërë këtë është Qendra e Studentëve ku janë të koncentruar me mijëra studentë edhe ku ka shumë nevojë për libra”, tha Gjinovci.

Për këto libra foli studenti i Fakultetit Juridik, Besart Tasholli, i cili tha se librat kanë qenë të nevojshme për studentët dhe tani ka mbetur vetëm që studentët të lexojnë.

“Kjo është shumë e rëndësishme i pashë disa nga titujt të librave që janë jashtëzakonisht të rëndësishëm që unë personalisht nuk kam mundur t’ i gjej këtu në Kosovë dhe jam detyruar me i kërkua disa prej Tiranës disa me i përkthyer nga gjuhët e huaja është jashtëzakonisht kjo”, tha Tasholli

Gjinovci ka akuzuar universitetet se nuk po investojnë në qasjen informative të studentëve.

Sipas tij në bibliotekën e Qendrës së Studentëve do të jetë e koncentruar e gjithë puna e OJQ-ve të Kosovës sepse donatorë të shumtë ishin edhe OJQ-të që veprojnë në vend.

“Tani për herë të parë në Kosovë e kemi në një bibliotekë të koncentruar të gjithë punën e OJQ-ve pra të dhënat që janë bërë nga studimet e ndryshme dhe hulumtimeve të ndryshme në fushat arsimit, ekonomisë, politikës, studentët i gjejnë këtu dhe kanë me pas shumë më lehtë  me i përfundua temat e tyre të diplomës dhe jo duke i kopjuar ato por duke i referuar ato”, tha ai.

Gjinovci tha se me këtë iniciativë i kanë dëshmuar Ministrisë së Arsimit se ata si institucione mund të bëjnë shumë për furnizimin e bibliotekave me libra.

Ndërkaq, Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta tha se librat e dhuruar do të ndikojnë në zgjerimin e njohurive për studentët.

“Fond i cili në Qendrën e Studentëve me thënë të drejtën është  shumë modest dhe sado pak të ndikoj në kërkesën që e kanë studentët për literaturë për lexim dhe kjo kërkesë do të reflektohet edhe në zgjerimin e njohurive për studentët që janë konviktor dhe jo konviktor”, tha ai. /INFOKUSI.COM/

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!
-Advertisement-

Të tjera