Lajme

“Strukturat komuniste themeluan LDK’në”, Mahmutit i vjen reagimi nga Robelli

Autori: Gazeta inFokus 22:58 | 18 May 2022

Publicisti dhe gazetari, Enver Robelli ka dalë në mbrojtje të LDK-së pas një deklarate të ish-përfaqësuesit politik të UÇK-së, Bardhyl Mahmuti, i cili në emisionin “Pressing”, sonte tha se Lidhja Demokratike e Kosovës ishte formuar nga shpërbërja e strukturave të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë.

“Është diçka publike që dihet, LDK është një transformim i strukturave të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë në një forcë politike të caktuar”, tha Mahmuti në emision.

Mirëpo, për Robellin LDK është lëvizja më e rëndësishme politike e shqiptarëve të Kosovës në periudhën e shpërbërjes së Jugosllavisë. Ai ka thënë se tendencat për ta njollosur LDK-në, vijnë nga persona që mungesën e peshës politike duan ta kompensojnë me gënjeshtra dhe përpjekje për revidim të historisë.

-Advertisement-

“Me mbi 700 mijë anëtarë në fillim të viteve 90-të, kjo lëvizje popullore artikuloi në mënyrë origjinale e legjitime kërkesat e shqiptarëve të Kosovës pas heqjes arbitrare të autonomisë së Kosovës nga regjimi i Beogradit. Ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, krijimi i kontakteve të para diplomatike me botën perëndimore, organizimi i jetës paralele si dëshmi e mospajtimit me pushtimin serb dhe përkrahja e nismave të para për rezistencë të armatosur – të gjitha këto bartin vulën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Tendencat për ta njollosur këtë kontribut të LDK-së sidomos në gjysmën e parë të viteve 90-të janë dashakeqëse dhe vijnë nga individë pa peshë politike, të cilët mungesën e peshës politike duan ta kompensojnë me gënjeshtra dhe përpjekje për revidim të historisë”, ka shkruar Robelli, pa përmendur emrin e Mahmutit, i cili pikërisht sonte foli për LDK-në, por edhe për parti të tjera.

Robelli ka thënë se sot LDK është parti politike dhe “si çdo parti i nënshtrohet vëzhgimit kritik nga opinioni publik”.

“Kjo është krejtësisht legjitime. E padrejtë dhe absurde, ndërkaq, është që për LDK-në të gjykojnë bredharakët e frustruar politikë. Fatmirësisht, opinioni publik në Kosovë është mjaftueshëm i pjekur për të bërë dallimin mes megafonave dykëmbësh dhe përçuesve të së vërtetës historike”, ka shkruar ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera