Opinione

Strategjinë Shtetërore të Sportit vendorët e shkruajnë shumëfish më lirë se kroatët

Autori: Gazeta inFokus 19:16 | 15 November 2022

Është për të të ardhur keq se si Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) e Kosovës ka paguar dy ekspertë kroatë në vlerë 130 mijë EUR për ta shkruar Strategjinë Shtetërore të Sportit.

Shkruan: Agron HOTI

Është e papranueshme dhënia e shumave aq të larta të parave për ekspertë të huaj, kur tanimë në Kosovë ka mjaft sosh vendorë që mund ta shkruajnë një të tillë me shumë më pak para dhe për më tepër shumë më mirë.

-Advertisement-

Përparësia e angazhimit të ekspertëve vendorë, përpos leverdisë më të madhe ekonomike është se i njohin rrethanat, mundësitë dhe mjedisin shumë më mirë sesa ekspertët e huaj. Kosova ka nevojë për ekspertë të huaj sa iu përket standardeve të BE-së për të cilat s’kemi ekspertizë vendore, e jo për të shkruar strategji të ndryshme, për të cilat tanimë ka kapacitete të mjaftueshme vendore. Vlen të theksohet që Kosova ka ekspertë vendorë që tanimë shkruajnë strategji të ndryshme jo vetëm në Kosovë, por edhe nëpër vende të ndryshme dhe kjo është fakt.

Personalisht, gjatë periudhës shkurt-maj 2014 me kërkesë të BE-së dhe Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës jam financuar nga UNDP për ta drejtuar ekipin prej tre vetash për ta shkruar Strategjinë për Asistencë për Sektorin e Sundimit të Ligjit në Kosovë 2016-2019, kryerja e së cilës është përmendur edhe në Raportin e Progresit të BE-së për Kosovën të vitit 2014.

Strategjia e lartëpërmendur, e cila është në webfaqe të Ministrisë së Drejtësisë, është miratuar nga BE dhe Qeveria e Kosovës. Zbatimi i kësaj strategjie – ashtu siç kishte kërkuar BE – varej tërësisht nga kontributet e donacioneve të jashtme, prandaj që në fillim të vitit 2015 Ministria e Drejtësisë së Kosovës pati organizuar dhe një konferencë për donatorë për të marrë zotimet e tyre për të kontribuuar në të zbatuarit e kësaj strategjie.

Strategjia e lartëpërmendur është e para e këtij llojit në Kosovë dhe rajon dhe se të gjitha projektet e donatorëve të jashtëm për fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme janë të paraparë në këtë strategji. Qëllimi i BE-së ka qenë që përmes kësaj strategjie të orientoheshin më mirë fondet e shumta të donatorëve të jashtëm në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme.

Ndërkohë, shuma e mjeteve financiare që kam marrë për shkruarjen e kësaj strategjie është shumëfish më e vogël, pavarësisht që gama e strategjisë ishte shumë e gjerë përfshirë limitet e theksuara kohore. Sigurisht që ka dhe strategji tjera që i kam rishikuar apo shkruar dhe ku kompenzimi financiar ka qenë shumë shumë më i vogël sesa ajo që u është ofruar ekspertëve kroatë nga MKRS.

Prandaj, MKRS e ka shumë lehtë që me pak fonde të donatorëve të jashtëm t’i paguajë vendorët për t’ia shkruar Strategjinë e Sportit. Përparësia e vendorëve është se e shkruajnë strategjinë në shqip pa pasur nevojë për shpenzim mjetesh për përkthim. Ka disa donatorë të jashtëm në Kosovë që japin mjete financiare për ekspertë të ndryshëm vendorë për përgatitje të dokumenteve të ndryshme pa pasur fare nevojë që ministritë tona, sikurse MKRS në këtë rast, ta harxhojnë buxhetin e Kosovës në këtë drejtim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera