Opinione

STRATEGJIA NACIONALE E KOSOVËS, PRROCKA UJI QË NUK FORMOJNË NJË PELLG TË VETËM!

Autori: Mehmet PRISHTINA 19:11 | 20 June 2021

Kosova nuk ka nevojë për zgjidhje afatshkurtra që do t’i ndihmonte ndonjë politikani të siguroj pushtet. Kosova ka nevojë për politikanë që nuk mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, por për politikan që  i sigurojnë popullin  mirëqenie afatgjate politike, ekonomike, sociale e pse jo edhe gjeostrategjike.

Nga Mehmet PRISHTINA

Platformat e partive politike, dikush i llogarit si strategji nacionale. Por nuk është kështu. Një shtet del serioz në sytë e botës vetëm atëherë kur arrin të përpilojë një strategji unike nacionale, duke integruar në një platformë të vetme pikëpamjet dhe idetë më autentike nga gjithë spektri politik?
Po, Kosova a e ka një strategji të tillë?
Po t’i pyesni liderët partiakë, ata do të përgjigjen me entuziazëm të papërmbajtur se veprimtaria politike që ata bëjnë , mund të merret edhe si strategji nacionale. Pra, secili prej liderëve partiakë e llogarit veten strateg të çështjeve nacionale. Mjafton të ndiqet diskursi dhe retorika e tyre, dhe do të vëreni këtë vetëmjaftueshmëri të liderëve tanë për t’u paraqitur, secili ndryshe nga tjetri, me ide e mendime të ndryshme. Kjo t’i kujton vijat e prrockave që e bartin ujin në drejtime të ndryshme por që nuk mund të formojnë një pellg të vetëm.

Dialogu Kosovë-Serbi tash e dhjetë vjet nuk po arrin të gjejë një shtrat të duhur nga duhet të lëviz strategjia nacionale e shtetit tonë. Secili lider politik që ulet në kolltukun e kryeministrit, vjen me idenë se punët pararendëse kanë ecur keq, prandaj duhet ndryshuar kursin e bisedimeve me Serbinë.

Këtë po provon ta bëjë edhe kryeministri aktual, Albin Kurti, i cili në takimin e parë që pati me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u mundua të paraqesë një vizion krejt tjetër mbi të ardhmen e raporteve me Serbinë. Ai i prezantoi katër pika në formë propozimesh, të cilat do të shërbenin, sipas tij, si pikënisje të daljes nga ky qorrsokak ku janë futur të dy shtetet. Ndonëse pala serbe nuk u tregua e gatshme të pranojë këto ide-propozime të kryeministrit Kurti, dialogu Kosovë- Serbi, megjithatë, arriti të merr vëmendjen diplomatike e mediatike në botë.
Paraqitja e kryeministrit Kurti me ide të reja, për probleme të vjetra, dëshmon se Kosova nuk e ka një strategji nacionale të parapërgatitur e cila do të shërbente si busull në dialogun me Serbinë.

Në mungesë të kësaj busulle, liderët tanë politikë imponojnë pikëpamjet e tyre që nuk arrijnë pastaj të kenë mbështetje më të gjerë në shoqërinë tonë. Ashtu siç po ndodhë edhe me idetë e prezantuara të Kurtit në Bruksel, të cilat nuk po arrijnë të përqafohen si ide nacionale, por vetëm si ide partiake.

Partitë politike mund të kenë mendime të veçanta për tema të caktuara, kryesisht për çështje që vjen në shprehje edhe orientimi ideologjik e programor i partive. Mirëpo, partitë politike nuk guxojnë të kenë dallime kaq të mëdha konceptuale sa i përket dialogut me Serbinë. 

Nëse ia bëjmë një analizë të shkurtër dialogut të deritanishëm, mund të themi lirisht se Kosova ka humbur kohë të çmuar duke u munduar të bëjë kompromise në favor të një zgjidhjeje përfundimtare, që do të rezultonte me njohjen reciproke. Por kjo nuk ka ndodhur. Zakonisht kanë dominuar dy pikëpamje në raport me zgjidhjen e çështjeve të hapura me Serbinë.
Njëra pikëpamje e përfaqësuar nga liderët Thaçi, Veseli, Mustafa, Limaj, Haradinaj ka qenë për një kompromis që do të bëhet në koordinim me SHBA-të.
Pikëpamja tjetër, e përfaqësuar nga Albin Kurti, ka ndjekur logjikën e qëndrimeve të forta ndaj Serbisë, duke u ndeshur herë- herë edhe me rekomandimet e Washingtonit.

Tani Kosova ndodhet në mes të kompromiseve dhe qëndrimeve të forta, pa harruar faktin se asnjë zgjidhje kreative nuk mund të bëhet pa mbështetjen e administratës amerikane.

Ka plot njerëz që mendojnë se Kosova duhet të ketë qëndrimet e veta, duhet të mbrojë kushtetutshmërinë dhe pacenueshmërinë e sovranitetit të saj, madje edhe me çmim nëse këto qëndrime bien ndesh me Washingtonin.

Ka të tjerë që pretendojnë se Kosova është e pafuqishme të mbrojë parime e qëndrime, nëse kjo nuk bëhet në koordinim me Shtëpinë e Bardhë.

Nëpër dilema të tilla tash e dy vjet Kosova kaloi dhe për pasojë u rrëzuan dy qeveri pikërisht për shkak të mosarritjes së një mirëkuptimi për çështje të caktuara që kishin të bënin me Serbinë e që binin ndesh me pikëpamjet e administratës amerikane.

Sikur Kosova ta kishte një strategji të mirëfilltë nacionale, ky do të ishte një lehtësim shumë i madh për arsye se edhe miqtë tanë ndërkombëtar do të njoftoheshin me kohë për kursin që duhet të ndjek klasa politike. Tani diplomatët ndodhen para dilemave jo të vogla, sepse Prishtina zyrtare nuk flet me një zë. Pushteti ka një qëndrim, kurse opozita dhe një pjesë e madhe e shoqërisë ka një qëndrim krejt tjetër.
Në një situatë të tillë humbëse më e madh është Kosova, ndërkohë që partitë politike garën e tyre mund ta shndërrojnë në arenë ku matet rejtingu i secilës. Zakonisht popullata e gjerë jo gjithmonë ka mirëkuptim për zgjidhje pragmatike të politikanëve, prandaj këta fundit jo rrallë parapëlqejnë formula që u pëlqejnë masave popullore, por që nuk ofrojnë ndonjë zgjidhje përfundimtare.

Përfundimisht, Kosova nuk ka nevojë për zgjidhje afatshkurtra që do t’i ndihmonte ndonjë politikani të siguroj pushtet. Kosova gjithsesi ka nevojë për politikanë që nuk mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, por për politikan që  i sigurojnë popullit  mirëqenie afatgjate politike, ekonomike, sociale e pse jo edhe gjeostrategjike.

Prishtinë, 20 qershor 2021

Të tjera