Sport

Strakosha, përballë “makthit” Berisha

Autori: Gazeta inFokus 07:18 | 06 April 2018

Pas një sezoni të kaluar në formë huazimi te Salernitana, në Serie B, talenti i portës shqiptare Thomas Strakosha do të rikthehej në përfundim të sezonit 2015-2016 te Lazio, aty ku veç konkurrencës me një tjetër shqiptar, Etrit Berishën, që kishte luajtur 11 ndeshje si titullar atë sezon, do t’i duhej të bënte llogaritë edhe me portierin e parë të bardhekaltërve, veteranin Federico Marchetti.

Për t’i dhënë një dorë ndihme mendoi drejtori sportiv Igli Tare, sigurisht me pëlqimin dhe miratimin e drejtuesve më të lartë të klubit, duke larguar në formë huazimi (me të drejtë blerjeje) shqiptarin tjetër Berisha te bergamaskët e Atalantës. Ky i fundit pasi luajti një sezon në Bergamo, u ble përfundimisht nga klubi pas performancave shumë të mira atje.

Siç dihet, tashmë Strakosha është kthyer në gardianin numër 1 të portës së lacialëve, por “makthi” Berisha duket se nuk i ndahet në rrugëtimin e tij tejet pozitiv në karrierë deri më tani.

-Advertisement-

Një tjetër Berisha, këtë herë jo më portieri i Kombëtares shqiptare i lindur në Kosovë, por një futbollist kosovar që përfaqëson edhe Kombëtaren e Kosovës, Valon Berisha, do t’i shënonte gol. Bëhet fjalë për mesfushorin e krahut të majtë të skuadrës së Salzburgut, që barazoi përkohësisht shifrat në 1-1, në takimin mes Lazios dhe austriakëve, e vlefshme për çerekfinalet e Europa League.

Ajo se çfarë mund t’i rezervojë e ardhmja nuk dihet, por deklarata e dhënë nga Igli Tarepërpara ndeshjes së kësaj të enjteje, ku shprehej se e ndiqte prej kohësh Valonin, mund të bashkojë Thomasin me një tjetër Berishë në të njëjtën skuadër, këtë herë pa rivalitet të brendshëm mes njëri-tjetrit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera