Stoltenberg: Putin po e përdor dimrin si armë lufte në Ukrainë
Autori: Gazeta inFokus
14:30 | 29 November 2022
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron “të përdorë dimrin si armë lufte” në luftën e tij në Ukrainë.
Ai i ka bërë këto deklarata pak para takimit mes ministrave të Jashtëm të aleancës, që këtë herë mbahet në Bukuresht.
“Ne duhet të jemi të përgatitur për më shumë refugjatë që mund të hyjnë në Evropë”, si rezultat “i sulmeve të qëllimshme ruse në shërbimet kritike sikurse ngrohja, rryma, uji dhe gazi” brenda territorit ukrainas, ka thënë Stoltenberg.
Sipas tij, aleanca nuk do të heqë dorë nga mbështetja për Ukrainën.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s takohen në Bukuresht për t’u fokusuar në rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën, përfshirë sistemet ajrore për mbrojtje dhe municion.
Diplomatët janë duke shqyrtuar mundësinë e rritjes së ndihmës edhe për pajisje dimërore dhe mjekësore.
“NATO-ja do të vazhdojë ndihmën për Ukrainën aq sa të ketë nevojë. Ne nuk do të tërhiqemi”, ka thënë Stoltenberg në një fjalim në Bukuresht.
“Fokusi kryesor është mbështetja e Ukrainës dhe të sigurohemi që presidenti rus, Vladimir Putin të mos fitojë”, ka thënë ai.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar qytetarët e tij për sulme të reja ruse këtë javë, të cilat mund të jenë po aq të rënda sa ato të javës së kaluar, pasi kanë lënë miliona njerëz pa ngrohje, ujë dhe rrymë.
Rusia e pranon se është duke sulmuar infrastrukturën ukrainase, por deklaron se nuk është duke shënjestruar civilët.
“Do të jetë një dimër i tmerrshëm për Ukrainën, andaj ne duhet të rrisim mbështetjen”, ka thënë një zyrtar i lartë evropian.
Gjermania, e cila udhëheq presidencën e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7), e ka organizuar një takim të këtij grupi për të shqyrtuar mënyra si mund të rindërtohet infrastruktura ukrainase e energjisë.
Grupi G7 përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.
Uashingtoni është duke punuar me disa ofrues amerikanë të shërbimeve të energjisë dhe me disa shtete evropiane për të ndihmuar në rregullimin e stacioneve energjetike të dëmtuara nga sulmet ruse, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit.
Megjithatë, një zyrtar i saj, që ka folur për media, nuk ka bërë të ditur për llojin e saktë të ndihmës dhe shumën e ndarë.
Franca dhe Gjermania kanë thënë se do të dërgojnë më shumë se 100 gjeneratorë të energjisë në Ukrainë, për të ndihmuar në stabilizimin e rrjetit të energjisë.
“Arsyeja pse Rusia është duke vazhduar këto krime lufte është sepse është duke humbur në fushëbetejë”, ka thënë një zyrtar francez, duke iu referuar sulmeve në infrastrukturën e energjisë.
Sfida e prodhimit të armëve
Sa i përket aspektit ushtarak, NATO-ja vazhdon t’iu bëjë thirrje fabrikave të armëve që të rrisin prodhimin, mirëpo një diplomat ka vënë në pah se ekzistojnë probleme në rritje sa u përket kapaciteteve.
“Ne jemi duke bërë maksimumin tonë për të kryer dërgesat, mirëpo ekzistojnë probleme reale. Ukrainasit e dinë këtë gjë. Edhe industria amerikane e armëve është duke pasur probleme”, ka thënë ky diplomat.
Ministrat e vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë edhe aplikimin e Ukrainës për anëtarësim në NATO.
Megjithatë, ata vetëm pritet të konfirmojnë politikën e aleancës për dyer të hapura, pasi anëtarësimi i këtij vendi në aleancë duket larg.
Më 2008, në një samit të NATO-s të mbajtur në Bukuresht, është arritur pajtueshmëri që Ukraina dikur do të mund të bëhej pjesë e aleancës.
Megjithatë, liderët nuk kanë bërë ndonjë hap konkret, sikurse dhënia e planit të veprimit për anëtarësim të Ukrainës, çka më pas do të ndihmonte në afrim me NATO-n.
Përfaqësuesit e Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Bosnje e Hercegovinës do të marrin pjesë po ashtu në takimin e 29 nëntorit, teksa aleanca synon të forcojë lidhjet me këto shtete, pas shqetësimeve se Rusia mund të destabilizojë shtetet përtej Ukrainës.
Ministrat e NATO-s do të bisedojnë edhe për forcimin e qëndrueshmërisë së shoqërisë, disa ditë pasi Stoltenberg ka paralajmëruar shtetet perëndimore që të mos krijojnë varësi të reja ndaj Kinës, teksa ato tentojnë të zvogëlojnë përdorimin e gazit rus si burim të energjisë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Të tjera
-
NATO bie dakord për rritje të shpenzimeve për mbrojtjen, Spanja thotë se heq dorë nga ky objektiv
Anëtarët e NATO-s ranë dakord të dielën për një rritje të madhe të objektivit...
-
Diplomati kryesor i Iranit mbërrin në Moskë për t’u konsultuar me Putinin pas sulmeve të ShBA-së
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka mbërritur të dielën në Moskë p...
-
Starmer dhe Trump bien dakord që Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, dhe presidenti i ShBA-së...
-
Irani në OKB: Të gjitha akuzat e SHBA-së ndaj Teheranit janë të pabazuara – të motivuara politikisht
Ambasadori i Iranit në OKB, Amir-Saeid Iravani, tha se koha, natyra dhe shkal...
-
Këshilltari i Khameneit: Irani ende zotëron rezerva të uraniumit të pasuruar
Irani ende zotëron rezerva të uraniumit të pasuruar pavarësisht sulmeve të Sh...
-
Dy eprorëve të Policisë në Pejë iu caktohet masa e ndalimit të afrimit personit apo vendit të caktuar, pezullohen nga puna
Prekë Tunës, shef i Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Pejë, dhe ...
-
Ky është 48-vjeçari që humbi jetën në një vetaksident në Lipjan
Një person ka humbur jetën si pasojë e një vetaksidenti që ka ndodhur në fsha...
-
Dalin pamjet teksa B-2 po kthehen në Bazën Ajrore Whiteman në Misuri
Fox News ka publikuar pamje teksa bombarduesit B-2 po ktheheshin në Bazën Ajr...
-
Izraeli i vendosur të çojë deri në fund ofensivën/ Netanyahu: Sulme deri në shkatërrimin e programit bërthamor të Iranit
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi para gazetarëve se Izraeli ...
-
Ndërron jetë ish-komandanti i Togut në Brigadën 114 të UÇK-së, Aziz Bardhi
Ka ndërruar jetë Aziz Bardhi, ish-komandant togu në Brigadën 114 të Zonës Ope...
-
Pilotët e B-2 kanë tualet, mikrovalë dhe një frigorifer gjatë fluturimit 37-orësh të bombardimeve në Fordow
Bombarduesit amerikanë B-2 të përdorur për të sulmuar fabrikën bërthamore të ...
-
Izrael – Iran/ OKB: Paqja nuk mund të imponohet, ajo duhet të zgjidhet
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së merr fjalën i pari në takimin në New York, ...