Lajme

Stoltenberg: Dhuna në Banjskë vitin e kaluar, e papranueshme – prandaj dërguam 1000 trupa shtesë

Autori: Gazeta inFokus 13:02 | 26 January 2024

Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit vitin e kaluar, është i papranueshëm.

“Shpërthimi i dhunës vitin e kaluar në Kosovë ishte e papranueshme”, tha ai, teksa shtoi se NATO-ja reagoi me shpejtësi, duke dërguar 1000 trupa shtesë dhe mjete të rënda luftarake.

Këto komente, shefi i NATO-s i bëri gjatë një konference për media me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, në selinë e NATO-s.

-Advertisement-

I pyetur nga gazetarët në lidhje me situatën në Kosovë, Stoltenberg u shpreh se Ballkani Perëndimor ka një rëndësi të madhe për NATO-n.

“Ne kemi një histori atje, kemi praninë atje, sepse paqja dhe stabiliteti në rajon kanë rëndësi për të gjithë NATO-n, dhe për këtë arsye ne ishim shumë të shqetësuar kur pamë një rritje të dhunës dhe tensioneve gjatë vitit të kaluar, me disa incidente shumë të rënda, veçanërisht në Kosovë, dhe kjo çoi në vendimin e komandantëve tanë ushtarakë për të përforcuar misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë me 1000 trupa shtesë, sepse NATO duhet të jetë në gjendje të sigurojë që ne po e zbatojmë mandatin tonë të OKB-së për të garantuar stabilitetin dhe lirinë e lëvizje për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

“Dhe ky ishte mesazhi im kryesor edhe kur vizitova Kosovën dhe rajonin vjeshtën e kaluar, dhe ne vazhdimisht po vlerësojmë çdo nevojë për përshtatje të mëtejshme apo prani”, tha Stoltenberg.

Sipas tij, dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “është e vetmja rrugë përpara për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme”.

Ndërkaq, kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, tha se sa i përket angazhimit të Malit të Zi ndaj Ballkanit Perëndimor, “është absolutisht e qartë pse ne po theksojmë dhe pse mendojmë se është kaq e rëndësishme për Malin e Zi, sepse ne jemi në zemër të Ballkanit Perëndimor”.

Sipas tij, është në interesin e Malit të Zi që rajoni të jetë paqësor, i begatë, dhe të mos ketë ndikim të huaj keqdashës, ndërsa shtoi se vendet e rajonit kanë mundësi të bëhen pjesë e vërtetë e NATO-s, Evropës, BE-së dhe organizatave tjera demokratike.

“Sipas angazhimit tonë, ne tashmë jemi shumë të pranishëm në Kosovë. Jemi të gatshëm të forcojmë pozitën tonë në Kosovë. Mendojmë se situata është qetësuar kohët e fundit, por siç e kemi diskutuar, jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë. Dhe është në interesin tonë të thellë kombëtar, siç thashë që ne ruajmë paqen në Kosovë, e njëjta gjë vlen edhe për Bosnje Hercegovinën, përkushtimi ynë i palëkundur ndaj integritetit territorial të Bosnjës dhe paqes është me rëndësi të madhe për Malin e Zi”.

“Ne ndajmë kufirin e madh me Bosnje-Hercegovinën. Ne kemi ofruar ndihmën tonë në drejtim të ekspertëve dhe trajnimeve për KFOR-in – për njerëzit në Bosnje, kështu që ne jemi patjetër të gatshëm të jemi aleat të besueshëm ndaj NATO-s në çdo formë dhe formë”, potencoi kryeministri i Malit të Zi, Spajiq.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Meridian Express hap marketin e ri në qytetin e Mitrovicës Veriore!
-Advertisement-

Të tjera