Sport

Stinori pranveror pritet të jetë ndër më të mirët ndonjëherë

Autori: Gazeta inFokus 12:57 | 07 February 2019

Kur kanë mbetur edhe pak ditë para fillimit të stinorit pranveror, futbolldashësit presin një stinor ndër më të mirët ndonjëherë.

Kësaj radhe stinori pranveror do të fillojë me ndeshje e Kupës së Kosovës, ku do të ketë përballje tejet interesante, e ku spikat derbi mes Prishtinës dhe Trepçës 89, dhe ndeshjet tjera të cilat janë: Ferizaj – Feronikeli, Vëllaznimi – Drita, dhe Kika – Ballkani, transmeton KosovaPress.

Pikërisht në këto ndeshje do të shihen edhe paraqitjet e para të skuadrave pas përgatitjeve të cilat ato i kanë zhvilluar gjatë pushimit dimëror.

-Advertisement-

Disa nga dy herë, disa jashtë shtetit e disa brenda në Kosovë, skuadrat e Superligës së Kosovës në përgjithësi kanë zhvilluar përgatitjet me kushtet më të mira ndonjëherë, e ku duhet t’iu falënderuar kushteve atmosferike të mira si në Shqipëri, ashtu edhe në Turqi, pasi që pikërisht këto dy shtete kanë qenë zgjedhjet e para të shumicës prej skuadrave elitare në futbollin kosovar.

Trajneri dhe analisti i mirënjohur, Muhamet Dragusha përgatitjet e ekipeve kosovare për stinorin pranveror i sheh si më të mirat ndonjëherë, pasi që sipas tij rrallë herë në Kosovë dikush nga skuadrat ka shkuar dy herë në përgatitje jashtë vendit, e që këtë vit, ka ndodhur shpesh një gjë e tillë me ekipet elitare.

Dragusha: Përgatitjet më të mira ndonjëherë

“Prej mas luftë këto përgatitjet që kanë bërë këtë sezon ekipet d.m.th të Superligës edhe të Ligës së Parë unë mendoj se kanë qenë të jashtëzakonshme, po e them të jashtëzakonshme me vet faktin se ndodh për herë të parë në Kosovë që ekipet të shkojnë për herë të dytë në përgatitje…. Mendoj që është duke u bërë një punë e mirë si nga trajnerët ashtu edhe nga kryesitë, vlen të veçohet këtu kjo përgatitja prej 3 katër klubeve që kanë shkuar nga 2 herë më të vërtetë për lojtarët është shumë e dobishme dhe besoj që do te jetë shumë më e dobishme në fushën e futbollit kur të fillojë edhe vet sezona” u shpreh fillimisht ai.

Sa i përket transferimeve këtë afat kalimtar ka pasur lëvizje shumë të mëdha në futbollin kosovar. Përpos skuadrës së Prishtinës e cila nuk ka bërë asnjë trasnferim gjatë këtij afati kalimtar, të tjera skuadra janë forcuar në repartet ku edhe kanë pasur nevojë.

Dragusha e sheh si një gjë të mirë mostransferimin e asnjë lojtarit nga skuadra e Prishtinës, dhe shtoi se e pëlqen jashtë mase politiken e tyre të cilën e kanë përdorur.

Dragusha: Skuadrat janë përforcuar aty ku kanë pasur nevojë

“Politika e klubit futbollistik të Prishtinës është me të vërtetë për tu pëlqyer dhe me të vërtetë është për tu pëlqyer ky fakt, pasi të sjellët në gjysmë sezon dhe të përshtatet shumë shpejt është shumë problematike. Dihet që klubi i futbollit Prishtina nuk ka pasur shumë probleme këtë sezon dhe me ardhjen e fundit që I kanë bërë në fillim të sezonit i kanë mbushur ato zbraztira që i kanë pasur dhe mendoj që tashmë ata kanë vepruar mirë edhe pse ndoshta kish me qenë mirë edhe ndonjë futbollist kishte me ardhë” tha ndër tjerash Dragusha.

Ai më tutje foli edhe për ekipet tjera duke përmendur rikthimin e Kone tek Feronikeli dhe Adenis Shalën që sipas tij nuk është një lojtar i dëshmuar shumë, mirëpo është një ndër lojtarët më të mirë për të ardhmen.

Sipas Dragushës dy pretendentët kryesor për titull pritët të jenë Prishtina dhe Feronikeli që sipas tij nuk kanë ndonjë rival tjetër në luftën për titull.

Ndërkohë që gazetar i njohur kosovar, Arlind Sadiku u shpreh se tanimë ekipet janë vetëdijesuar dhe e kanë marrë shumë më seriozisht se herëve tjera përgatitjet për sezonin pranveror, dhe kjo pritet të bëjë këtë stinor tejet interesant.

Sadiku: Tanimë skuadrat janë vetëdijesuar

“Sa i përket përgatitjeve për edicionin pranveror besoj që skuadrat u janë qasur shumë më seriozisht se sa në të kaluarën. E kanë kuptuar që është shumë e vështirë që të nis edicioni pranveror me një muaj përgatitje kështu që kanë pasur pauzë të gjitha klubet sa kam informacione rreth dy javë pas përfundimit të sezonit vjeshtorë dhe pastaj kanë filluar përgatitjet. Pavarësisht që ka pasur shumë borë në Kosovë, klubet nuk janë ndalur, normalisht kanë shfrytëzuar kushtet e mira që ofron Shqipëria po ashtu ato të cilat kanë pasur mundësi financiare kanë shkuar edhe në Antali por megjithatë në krahasim me të kaluarën janë shumë më të përgatitur” u shpreh fillimisht Sadiku.

Sa i përket këtij afati kalimtar Sadiku shprehet që këtë afat të gjitha skuadrat përpos Prishtinës janë përforcuar mjaftë mirë, dhe se është i befasuar mjaftë shumë më vendimin e Prishtinës që të mos bëjë asnjë transferim.

Sadiku: Jam befasuar nga Prishtina

“Besoj që Drita ka bërë disa transferime të mira sa i përket atyre aspekteve të cilat iu kanë munguar gjatë sezonit vjeshtor. Jam befasuar me Prishtinën që nuk ka bërë asnjë transferim edhe pse kjo mund të ketë impakt pozitiv te ekipi, sepse klubi tanimë është harmonizuar dhe besoj që për trajnerin Mirel Josa që e njeh ekipin mirë , lojtarët e njohin shumë mirë njëri tjetrin janë të komponuar dhe besoj që Prishtina për këtë fakt mund të jetë favorit për sezonin pranveror”, pohoi Sadiku.

Sadiku ndër tjerash bëri me dije që Prishtina që 6 vite nuk e ka fituar titullin e kampionit në Superligën e Kosovës, andaj edhe ky fakt do të jetë një motiv shtesë për futbollistët e skuadrës nga kryeqyteti që më në fund të kthejnë trofeun në Prishtinë dhe të festojnë për herë të parë në stadiumin e rinovuar tashmë stadiumin “Fadil Vokrri”.

Java e 18 e cila është edhe java e parë e stinorit pranveror në Superligën e Kosovës do të luhet me datat 16/17 shkurt, ku pritet të ketë ndeshje tejet interesante dhe ku spikat derbi i kryeqytetit mes Prishtinës dhe Flamurtarit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera