Lajme

Stavileci rritë stafin në kabinet dhe i paguan në kundërshtim me ligjin

Autori: Gazeta inFokus 13:21 | 06 July 2017
Kabineti i ministrit në detyrë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka tejkaluar numrin e të punësurave jashtë listës së pagave.Në vitin 2016, në kabinetin e ministrit ishin të punësuar 22 persona ku 17 prej tyre paguheshin nga lista e pagave ndërsa pesë zyrtarë me kontrata të rregullta paguheshin nga kategoria mallra dhe shërbime, shkruan AktivPress.

Zyra Kombtare e Auditimit për këtë ministri ka bërë të ditur se janë evidentuar se ishte tejkaluar numri i stafit të Stavilecit në katër pozita më tepër.

“MZHE kishte tejkaluar numrin e stafit të lejuar për kabinetin e ministrit për katër (4) pozita. Pagesa e zyrtarëve që kanë marrëdhënie të rregullt pune nga kategoria mallra dhe shërbime është në kundërshtim me nenin 11 të ligjit të buxhetit 05/L-071 dhe nenin 33 të rregullës së thesarit 01/2013, ku theksohet se të gjithë të punësuarit duhet të paguhen nga lista e pagave”, thuhet në raportin e auditimit.

-Advertisement-

Sipas ZKA-së me rregulloret në fuqi është i përcaktuar numri i këshilltarëve që mund të anagazhdojnë ministrat dhe zëvendësministrat.

“Me Rregulloren nr. 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së Kryeministrit dhe Ministrave është përcaktuar numri i këshilltarëve që mund të angazhojë çdo ministër dhe zëvendës ministër. Me ligjin e buxhetit 2016, Kabineti i Ministrit kishte të planifikuar 18 punëtorë”, thuhet ndër të tjerash në të gjeturën e raportit.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, tejkalimi i numrit të punësuarve nga numri i buxhetuar dhe pagesa e tyre nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve ndikon që buxheti nga kjo kategori të shpenzohet për qëllime tjera të paplanifikuara. Më tej thuhet se, kjo rrezikon përmbushjen e objektivave të synuara me buxhetin e planifikuar.

“Ministri duhet të sigurojë se respektohet korniza ligjore në lidhje me numrin e stafit të lejuar me buxhet dhe të gjithë zyrtarët që kanë kontrata të rregullta duhet të paguhen nga lista e pagave”, rekomandon ZKA./AktivPress

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Birra të ftohta e me shumë ZBRITJE veç në Viva Fresh!
-Advertisement-

Të tjera