Lajme

Statuti i Asociacionit, presidentja Osmani: Kosova duhet ta ketë draftin e saj, nuk mund të diskutohet versioni i Vuçiqit

Autori: Gazeta inFokus 14:31 | 02 May 2023

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar sot se Kosova duhet ta ketë draftin e saj për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se nuk mund të lejojë një draft të tillë nga një ekip menaxhues që kontrollohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Një deklaratë e tillë e presidentes Osmani vjen në ditën kur në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

E para e shtetit pas akademisë përkujtimore për masakrën e Studimes së Vushtrrisë ka folur edhe për çështjen e personave të zhdukur me dhunë në luftën e fundit.

-Advertisement-

“…Çështja e të zhdukurve me dhunë është pika e pare e agjendës nga ajo që u prezantua në BE. Është hap i rëndësishëm në dialog me Serbinë, do ta detyrojë Serbinë të hapë arkivat se ku gjenden dëshmitë e mbi 1600 të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë…”, tha Osmani, gjersa theksoi se ka shumë dyshime në atë çfarë do të zbatojë Serbia.

Presidentja Osmani duke folur edhe për çështjen e Asociacionit tha se drafti i hartuar nga Republika e Kosovës duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe qëndrimin e shkruar të ShBA-së.

“…Pritjet e mia janë që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj, nuk guxojmë të lejojmë që drafti i një të ashtuquajtur ekip menaxhues që në realitet është draft i Vuçiqit të bëhet bazë  e negociatave, ta kemi draftin tonë që është në përputhje të plotë me Kushtetutën, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, me qëndrimin e shkruar të ShBA-së, dhe siguron që nuk preket territorialiteti dhe integriteti i shtetit”, u shpreh presidentja.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday në Comodita Home: Përfito 100€ extra zbritje në dyshekë
-Advertisement-

Të tjera