Lajme

Statistikat e ASK-së: Po rritet numri i veteranëve të UÇK-së, po zvogëlohet numri i invalidëve të punës

Autori: Gazeta inFokus 07:56 | 26 July 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë më i zëshmi sa ishte në opozitë për rritjen e numrit të veteranëve të UÇK-së, duke i akuzuar kundërshtarët e tij politik se këtë gjë po e bëjnë veç për vota.

Por, çuditërisht numri i veteranëve të UÇK-së vazhdon të rritet edhe gjatë mandatit të tij si kryeministër, ndonëse lufta në vend ka përfunduar 25-vite më parë, raporton portali “FrontOnline”.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), numri i përgjithshëm i veteranëve të UÇK-së në qershor 2024 ka shkuar në 37103, nga 36830 sa ishin një vit më parë. Për një vit, nga qershori 2023 në qershor 2024 në Kosovë janë shtuar 273 veteranë të UÇK-së.

-Advertisement-

Derisa numri i veteranëve të UCK-së është rritur, sipas ASK-së ka rënie të numrit të pensioneve të invalidëve të punës nga 51 sa ishin në qershor 2023 në 42 në qershor 2024.

Rreth 150 mijë pensionistë i marrin nga 100 € në muaj

ASK ka bërë të ditur se në Kosovë janë rreth 200 mijë pensionistë, prej të cilëve 149.504 pensionistë të moshës, të cilët i marrin nga 100 euro në muaj dhe mbi 48 mijë pensionistë kontribut pagues.

Ka rënie edhe të numrit të pensioneve të “Trepçës”, krahasuar me jë vit më parë. Nga 1528 pensionistë sa ishin në qershor 2023, në qershor të këtij viti numri ka rënë në 1239, përkatësisht 18.9% më pak.

Rënie ka edhe te skema për pensionet invalidore (-17,6%); skema e ndihmës sociale (-9,0%); skema për pensionet familjare (-6,2%); skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës
(-1,3%); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1 %).

Rritje e përfituesve nga skemat e pensioneve

Në muajin qershor 2024, krahasuar me muajin qershor 2023 kishte rritje të numrit të përfituesve nga: Skema për Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike (13,8%); skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara(11 %); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (8,4%), skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/’91 deri në vitin shkollor 1998/’99 (5,7%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (3,3%); Skema e pensioneve bazike të moshës (0,9%); Skema për veteranët e luftës (0,7%); Skema e kompensimeve për personat e verbër (0,7%);

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Presidenti i UNI z. Alejtin Berisha, folës mbi temën “Women’s Role in Artificial Intelligence Development” në DOKUTECH, edicioni i 11-të
-Advertisement-

Të tjera