Starlink-u funksional tani edhe në Kosovë – Çfarë do të thotë kjo dhe si funksionon
Autori: Gazeta inFokus 22:23 | 21 December 2024
Miliarderi amerikan Elon Musk njoftoi të shtunën vonë se rrjeti i tij privat satelitor i internet, Starlink, është funksional tani edhe në territorin e Kosovës
Musk, pronari i kompanisë hapësinore amerikane, SpaceX, shkroi në X: “Starlink tani edhe në Kosovë”.
Muaj më parë, Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në Kosovë njoftoi se e kishte autorizuar kompaninë amerikane Starlink për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të Kosovës.
Çfarë do të thotë kjo?
Me Starlink-un Kosova do të përfitojë internet pa ndërprerje, në çdo cep të territorit, edhe në situata të jashtëzakonshme.
Starlink-u i ka rreth 6.000 satelitë, të cilët gjenden rreth 500 kilometra mbi Tokë, në orbitën e ulët të planetit.
Kjo do të thotë se ata janë rreth 65 herë më afër Tokës sesa satelitët tradicionalë të palëvizshëm dhe, për dallim prej këtyre të fundit, satelitët e Starlink-ut janë vazhdimisht në lëvizje dhe sigurojnë që vonesat në komunikim të jenë 10 herë më të vogla.
Anëtarja e bordit të ARKEP-it, Rrezarta Duraku Rizaj, kishte thënë në nëntor për Radion Evropa e Lirë se leja për operim për Starlink-un ishte hap i rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në Kosovë.
“Autorizimi i Starlink-ut ka më së shumti impakt në rritjen e sigurisë nacionale, sidomos në periudhë konfliktesh. Kjo, për faktin se pjesa dërrmuese e infrastrukturës së Starlink-ut gjendet në hapësirë dhe është e paprekshme nga dëmtimet e mundshme në kohë lufte apo katastrofash natyrore në Tokë”, ka thënë Duraku – Rizaj.
Ajo beson se kjo përparësi mund të shfrytëzohet nga bizneset dhe nga institucionet qeveritare, sidomos ato të sigurisë, të cilat menaxhojnë infrastrukturë kritike.
Si funksionon?
Porositjen e shërbimeve do të mund ta bëjë secili në faqen e Starlink-ut, duke kërkuar adresën më të afërt.
Pas porosisë, Starlink-u do t’ia dërgojë klientit pajisjen marrëse, e cila lidhet me satelitët në hapësirë.
Rrezarta Duraku Rizaj tregoi asokohe se marrësi i përdoruesit është i vogël, portativ dhe mund të përdoret në lokacione të ndryshme, si për shembull në mal, në terrene të vështira, e vende të tjera ku nuk ka qasje të mirë në internet.
Përcaktimi i çmimeve do të bëhet varësisht prej fuqisë blerëse lokale të secilit shtet.
“Tarifimi përbëhet nga dy komponentë: blerja e hardverit në fillim, terminali me pajisjet përcjellëse që blihen një herë, dhe një tarifë mujore që do të varet nga planet e shërbimit që janë të disponueshme në faqen e internetit”, tregoi ajo.
Shpejtësia e internetit që ofron Starlink-u është 120 deri në 250 megabit për sekondë (mbps), varësisht se a bëhet fjalë për plane individuale apo për biznese.
Operatorët në Kosovë, aktualisht, mundësojnë internet më të shpejtë. Ekonomive familjare u ofrohet internet deri në 500 mbps në kuadër të pakove të kombinuara me shërbime televizive, me çmime deri në 35 euro.
Darsej Rizaj e pranon që sa i përket shpejtësisë, Starlink-u nuk iu bën konkurrencë operatorëve lokalë, por është plan i mirë rezervë, në rast të dështimit të linjave tokësore.
Starlink-u pati marrë gjithë vëmendjen në shkurt të vitit 2022, kur Rusia nisi luftën në Ukrainë, dhe për pasojë ukrainasve iu shkëputen linjat e internetit.
Vendimi i Muskut për të mbuluar Ukrainën me internet ishte konsideruar jetik për shumë operacione të ushtrisë ukrainase, por edhe për rimëkëmbje të infrastrukturës së energjisë dhe komunikimit.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të dielën
Për të dielën parashikohet të mbajë mot me diell. Acar i fortë në orët e mëng...
-
CNN: Arabia Saudite e paralajmëroi disa herë Gjermaninë për të dyshuarin për sụlmin e mbrëmshëm
Arabia Saudite u dërgoi disa herë paralajmërime autoriteteve gjermane për të...
-
Shtatë të lënduar në një aksident te Dheu i Bardhë
Shtatë persona janë lënduar si pasojë e një aksident që ka ndodhur te Dheu i ...
-
Starlinku në Kosovë, Osmani: Mirësevjen në Kosovë
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanis...
-
Elon Musk njofton: Starlink tashmë është edhe në Kosovë
Starlink, platforma e internetit satelitor të Starlink Services, LLC, një deg...
-
Tri orë pritjet për hyrje nga Jarinja
Pritjet për të hyrë në Kosovë nga pika kufitare në Jarinje, tashmë po zgjasin...
-
Hetimet në Varagë, ekspertiza e lartë solli FBI në Kosovë
Dëmi u shkaktua tre javë më parë. E se kush qëndron prapa këtij akti terro...
-
Kurti sërish i bën thirrje mërgatës që të regjistrohet për votim
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përsëri ka kërkuar nga dia...
-
KQZ thirrje për rritje të daljes në zgjedhje: Vota juaj mund të ndikojë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i ka ftuar të gjithë qytetarët e vendit që të...
-
Mbi 2 orë pritjet për të hyrë në Kosovë
Fluksi i pritjeve sa vjen e shtohet nëpër pikat kufitare të Kosovës. Sipas...
-
Qytetari ankohet për kolona kilometrike në Podujevë
Rruga Podujevë-Prishtinë, thuajse është ”bllokuar”, nga kolonat e gjata të kr...
-
VV-ja bëhet anëtare e Internacionales Socialiste, e falënderojnë kryeministrin spanjoll për mbështetje
Lëvizja Vetëvendosje është bërë anëtare me të drejta të plota e Internacional...