Sport

Spezia e eliminon Romën nga Kupa e Italisë

Autori: Gazeta inFokus 00:02 | 20 January 2021

Roma është eliminuar nga Kupa e Italisë, pasi është mposhtur nga Spezia me rezultat 4-2, në takimin e luajtur në kuadër të 1/8 së finales, shkruan Gazeta inFokus.

Serinë e golave në këtë përballje e hapi sulmuesi bullgar, Andrey Galabinov, i cili shënoi nga pika e bardhë në minutën e gjashtë për rezultatin 0-1 për Spezian.

Mysafirët ishin të furishëm në fillim të ndeshjes dhe në minutën e 15’ e dyfishuan epërsinë me anë të mesfushorit italian, Riccardo Saponara, i cili realizoi një supergol për shifrat 0-2.

-Advertisement-

Vendasit arritën ta ngushtonin rezultatin në minutën e 43’ falë golit të Lorenzo Pellegrinit, i cili shënoi nga penalltia.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat 1-2 për Spezian, kurse në 45 minutat e dytë romakët barazuan shifrat 2-2, me golin e realizuar nga Henrikh Mkhitaryan.

Koha e rregullt e këtij ballafaqimi përfundoi me rezultat 2-2 dhe skuadrat u deshtë të shkonin në vazhdime dy herë nga 15 minuta.

Më të filluar pjesa e parë e vazhdimeve, Roma mbeti pa dy lojtarë në fushë, pasi Gianluca Mancini dhe portieri, Pau Lopez u ndëshkuan me karton të kuq.

Epërsinë prej dy futbollistëve më shumë në fushë e shfrytëzuan mysafirët, të cilët realizuan dy golat e fitores me anë të Daniele Verde, i cili shënoi në minutën e 107’ për rezultatin 2-3, kurse për rezultatin përfundimtar 2-4 u përkujdes Riccardo Saponara, i cili realizoi në minutën e 119’ golin e tij të dytë personal në këtë takim.

Pas kësaj fitoreje Spezia ka kaluar në çerekfinale të Kupës së Italisë, aty ku do të takohet me Napolin me 27 janar në stadiumin ‘Diego Armando Maradona’./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera