Lajme

Specialja ua vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Autori: Gazeta inFokus 16:58 | 16 May 2024

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit për Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i DhSk-së, Michael Doyle, gjatë konferencës javore në të cilën jepen informacione të përditësuara lidhur me punën e kësaj gjykate, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Doyle tha se vendimi është marrë më 15 maj, në të cilin, thuhet se Trupi Gjykues ka konstatuar se për të dy të akuzuarit vazhdon të ekzistojë rreziku që të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera.

-Advertisement-

“…më 15 maj, në vendime më vete për secilin, Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke konstatuar se për të dy të akuzuarit vazhdon të ekzistojë rreziku se do të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera kundër atyre që perceptohen se janë kundër UÇK-së, përfshirë dëshmitarë që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë çështje gjyqësore dhe/ose pritet të paraqiten para Dhomave të Specializuara të Kosovës. Gjykatësit konstatuan gjithashtu se komunikimet e të akuzuarve mund të kufizohen në një mënyrë që zvogëlon mjaftueshëm këto rreziqe vetëm me anë të zbatimit të kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, tha Doyle.

Ai gjithashtu tha se në këtë çështje gjyqësore në të cilën të akuzuar përveç Selimit dhe Krasniqit janë edhe Hashim Thaçi dhe Kadi Veseli, është miratuar kërkesa e Prokurorisë që një dëshmitar të japë dëshmi përmes video-lidhjes.

“Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, më 10 maj, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht një kërkesë të Mbrojtjes për zgjatjen e afatit për parashtrimin e përgjigjes ndaj kërkesës së Prokurorisë për të përfshirë materiale shtesë në listën e provave materiale. Materialet në fjalë kanë të bëjnë me dëshmitarët, të cilët Prokuroria synon të thërrasë për të dhënë dëshmi në qershor dhe korrik të këtij viti. Më 14 maj, Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët miratoi një kërkesë të Prokurorisë që një dëshmitar të japë dëshmi nëpërmjet video-konferencës, duke theksuar rreziqet për sigurinë dhe faktorë tjerë të cilët i ngriti Prokuroria. Gjykatësit ndryshuan gjithashtu datat e planifikuara për dhënie të dëshmisë nga dëshmitari për 27 dhe 28 maj”, tha ai duke shtuar se seanca e radhës në këtë çështje gjyqësore është caktuar të martën me 21 maj duke filluar nga ora 09:00 e që si gjithnjë do të jetë me 45 minuta vonesë në transmetim.

Duke kaluar tek një çështje tjetër gjyqësore, Doyle tha se Administorja ka njoftuar gjykatësin e procedurës paraprake në lidhje me caktimin me kusht të Dr. Felisiti Geri si mbrojtëse e Ismet Bahtjarit dhe Toby Cadman si mbrojtës i shalës.

“Në çështjen gjyqësore të Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës, më 13 dhe 14 maj, Administratorja njoftoi Gjykatësin e Procedurës Paraprake në lidhje me caktimin me kusht të Dr. Felisiti Geri, si mbrojtëse të Ismet Bahtijarit dhe të z. Tobi Kadman si mbrojtës të Haxhi Shalës, pasi mori kërkesat nga të dy mbrojtësit për ndihmë juridike sipas Rregullores për Ndihmë Juridike të DHSK-së”, tha ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Një vit i suksesshëm përtej pritshmërive
-Advertisement-

Të tjera