Lajme

Specialja ia vazhdon paraburgimin Ismet Bahtijarit

Autori: Gazeta inFokus 16:28 | 29 July 2024

Në seancën e parë,  para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtijari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.

-Advertisement-

Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera