Fokus

Specialja e vitit| Gjykata që tundi komandantët

Autori: Halil Berisha 17:29 | 01 January 2020

Ishte mesi i vitit 2015, kur Kuvendi i Kosovës miratoi formimin e një gjykate me seli jashtë Kosovës.

Kësisoj edhe u formua Gjykata Speciale me vendndodhje në Hagë të Holandës, shkruan gazeta inFokus.

Por, që nga atëherë, aktivitetin më të madh specialja e pati këtë vit, tre vite pas formimit.

Në fakt, dridhjet për njerëzit më të fuqishëm të UÇK-së nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e udhëhequr nga amerikani Jack Smith filluan në muajin e parë të 2019-ës.

Më 11 janar publike u bë lajmi se u ftua ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku, shkruan gazeta inFokus.

Thuajse në të njëjtën kohë u ftua edhe komantanti tjetër, Rrustem Mustafa-Remi.

Këta bashkë u nisën për në Hagë, për t’u intervistuar nga hetuesit e zyrës së Jack Smith.

Për këto ftesa ndaj dy prej njerëzve më të fuqishëm të UÇK-së reagoi edhe shefi i shtetit, Hashim Thaçi. Këto, ky i quajti të padrejta.

“Ndaj çlirimtarëve tanë, në emër të drejtësisë ndërkombëtare po bëhet padrejtësia më e madhe”, pati thënë mes tjerash Thaçi, ku edhe përmendi krimet e kryera nga regjimi serb, e që ato nuk po gjykohen.

Në këtë kohë u ftua edhe Sylejman Selimi, Ish-Komandanti i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.

Pas tyre, u intervistua edhe ish-bashkëluftëtari i Remit, Nazif Mehmeti.

Një tjetër politikan e ish ushtar i UÇK-së që u ftua nga specialja në fillimvitin e 2019-ës ishte edhe Blerim Kuqi i AAK-së.

Në mesin e politikanëve që u ftuan nga specialja nuk i shpëtuan as ata të LDK-së.

Më 14 mars u bë publike ftesa ndaj asamblistit të LDK-së në Suharekë Bashkim Ndrecaj, shkruan gazeta inFokus.

Megjithatë, primatin e të ftuarve nga Haga e mban PDK. Nga kjo parti u ftua edhe Shukri Buja, ish-deputet i PDK-së.

Në mesin e shumë të ftuarve ishin edhe Naim Maloku, Ramiz Qeriqi, Flamur Hoti, Rrahim Hashimi, Osman Karpuzi, Salih Lajçi e Ismet Tara.

Por, një ftesë tjetër, tronditi edhe komplet skenën politike, e cila që nga atëherë ende nuk është kthjellur.

Më 19 korrik, erdhi ftesa më e rëndë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Tani para hetuesve do të dal kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan gazeta inFokus.

Por, Haradinaj, me të marrë ftesën mori edhe një vendim, që në speciale të mos shkoj si shef qeverie, andaj edhe me lot në sy dha dorëheqje për herë të dytë nga posti më i rëndësishëm në qeveri për shkak të gjykimeve e dyshimeve ndaj tij për krime lufte.

“Pas kësaj dorëheqje mandatin ia kthej popullit, ju jeni të parët që ju informoj. Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa krijuar vakuum, do i informojë zyrtarisht gjitha institucionet relevante, do i mbes gjithnjë besnik atdheut, ishte ndër t’i shërbej vendit. Dorëheqja është e parevokueshme”, ka thënë ai.

“S’e kam zgjedh këtë realitet. Nuk mendoj se e meriton t’ia bëj këtë Kosovës dhe nuk e bëj”, tha Haradinaj.

Kështu, tanimë papritur skena politike në Kosovë mori tronditjen e saj. Kryeministri u dorëhoq, e vendi filloi të përgatitet për zgjedhje të jashtëzakonshme.

E pas intervistimit nga hetuesit e speciales, Haradinaj tregoi se para tyre nuk e tha as edhe një fjalë.

“Sot jam paraqitur si i dyshuar për të kryer obligimin ligjor. Kam pranu këshillën ligjore për mos me u përgjigj fare në pyetje, me këtë kam kry obligimet ndaj gjykatës në bazë të ligjit. Obligime të tjera nuk kam”, ka thënë Haradinaj sapo ka dalë nga ndërtesa e Speciales.

Por, specialja nuk u ndal, shkruan gazeta inFokus.

Tani u ftua edhe një figurë shumë e rëndësishme politike, Jakup Krasniqi nga Nisma Socialdemokrate.

E edhe më i shkurtë se Haradinaj pas intervistimit në speciale, ishte Jakup Krasniqi.

“Ne e kryem një obligim që e kemi pasur, pra obligim ligjor, besoj që e kryem detyrën komfor ligjeve që janë në fuqi”.

Por, jo veç ushtarët e politikanët, në speciale u ftuan edhe gazetarët. Nuhi Bytyqi që ishte gazetar në kohën e luftës gjithashtu doli para hetuesve.

Para tyre doli edhe një mjeke e luftës e politikane e pasluftës, Time Kadrijaj nga AAK e Ramush Haradinajt, shkruan gazeta inFokus.

Nga kjo parti u ftua edhe Lulzim Kabashi, i cili ishte edhe kandidat për kryetar të Prizrenit.

E pa një ftesë të tillë nuk shpëtoi edhe Sokol Bashota, ish kryetari i Klinës nga radhët e PDK-së, por edhe Safete Hadërgjonaj, deputete e kësaj partie.

Nga kjo parti, mori ftesën e speciales edhe një mjek i luftës, Fadil Beka.

Arrestime e aktakuza jo, por në intervistë si të dyshuar e dëshmitarë u ftuan edhe Kadri Kastrati, Nuredin Ibishi, Elmi Bytyqi e Zenel Shala.

Ndërsa, tani kur vendi ishte në kohë zgjedhjesh, erdhi edhe një ftesë e madhe nga specialja.

Tani kryetari i PDK-së, e në kohë lufte fillimisht shef i shërbimit të zbulimit e kundërzbulimit pastaj edhe shef i Shërbimit Informativ të Kosovës, i njohur si SHIK, u ftua komandant “Luli”, në politikë i njohur me emrin e tij të vërtetë, Kadri Veseli, shkruan gazeta inFokus.

Edhe për këtë ftesë reaguan figura të shumta shtetërore, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama këtë e quajti të padrejtë.

“Sado e padrejtë ftesa për në Gjykatën Speciale për luftëtarët e UÇK, nuk mbetet tjetër veçse e drejta për të treguar të vërtetën për të drejtën e fituar me luftë nga një popull, që pa Ushtrinë Çlirimtare do të ishte ende i mohuar në të drejtën e tij! Solidarë me Kadri Veselin”, ka thënë Rama.

Pas intervistimit, Kadri Veseli, për qytetarët e Kosovës doli të flas përmes një video-mesazhi.

“E kam përfunduar intervistën. Vitet 90’ta kanë qenë vite të rënda për popullin tonë, një nënshtrim para Serbisë për spastrim etnik, dmth për gjenocid kundër popullit tonë. Ne iu kemi kundërvënë, Lëvizja jonë çlirimtare ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përballje me gjenocidin serb. Lufta e UÇK-së ka qenë përballje me spastrimin etnik, të cilën ka synuar Serbia ta bëjë në Kosovë”, pati thënë Veseli.

Por, këto deklarata nuk i bënin përshtypje speciales e cila nuk ndali hovin e saj, ftoi edhe Ramiz Lladrovcin, kryetarin e Drenasit nga partia e Veselit.

Tani nga specialja ftesa morën edhe Xhavit Elshanin, Halil Çadrakun, Durmish Gashin e Gani Krasniqin e Vetëvendosjes.

Nga kjo parti, ftesë mori edhe një njeri i rëndësishëm i para dhe pas luftës, Rexhep Selimi.

Politikan tjetër që u ftua nga specialja gjatë këtij viti është edhe Zafir Berisha i Nismës Socialdemokrate e Smajl Latifi kryetari i Rahovecit, shkruan gazeta inFokus.

E në mesin e edhe shumë të fturave të tjerë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ishte edhe babai i Jetlir Zyberajt, Bedriu, këshilltarit të ministrit të punëve të jashtme, Behgjet Pacollit./Gazeta inFokus/

Të tjera