Specializimi lë pa mjekë ambulancat
Autori: Gazeta inFokus 08:04 | 29 March 2021
Ambulancat e Mjekësisë Familjare në Drenas dhe Suharekë kanë mbetur pa mjekë, pasi ata kanë fituar të drejtën e specializimit.
Shkëlqim Hajdaraj nga fshati Abri, në Komunën e Drenasit, tha se mungesa e mjekëve në ambulancat më të afërta, po paraqet problem për ta.
Ai tregon se familjarët e tij dhe bashkëfshatarët, po detyrohen që të udhëtojnë mbi 13 kilometra, deri në Drenas, që të marrin shërbime shëndetësore, pasi të njëjtat nuk po mund t’i marrin më në ambulancën e fshatit.
“Unë kam pasur një rast me nënën time, për shkak të problemeve që ka me tension. Kur kemi shkuar në ambulancë, ajo ka qenë e mbyllur dhe është dashur të bëjmë një zgjidhje tjetër për të shkuar në Drenas”, tha Hajdaraj për Radion Evropa e Lirë.
Se qytetarët po detyrohen që të udhëtojnë me kilometra të tërë për të arritur te Qendra më e afërt e Mjekësisë Familjare, e pranojnë edhe zyrtarët e këtyre dy komunave.
Kryetari i Komunë së Suharekës, Bali Muharremi, tha për Radion Evropa e Lirë, se nga komuna e tyre, 48 mjekë kanë fituar specializimin.
“Kemi infermierë, kemi motra medicinale, por na mungojnë mjekët edhe besoj se pas muajit prill do t’i plotësojmë (vendet) me mjekë të rinj shtesë dhe do të funksionojë komplet Komuna e Suharekës, siç ka funksionuar përpara. Është e drejt e tyre (mjekëve), mirëpo është bërë (specializimi) pa planifikim. Është dashur së paku të bisedohet për kuadro të reja që duhen”, tha Muharremi.
Më herët gjatë marsit Radio Evropa e Lirë ka raportuar lidhur me specializimet e mjekëve. Nga Odat e Mjekëve kanë thënë se situata me specializimet është një “katrahurë”, pasi sipas tyre, ky proces është bërë pa planifikim të duhur.
Në Komunë e Drenasit, 18 mjekë kanë fituar specializimin, tha Arsim Haxhiu, që udhëheqë Drejtorinë e Shëndetësisë të kësaj komune. Ai tha se tashmë ata kanë nisur procedurat që të plotësojnë këto vende boshe.
“Janë gjashtë ambulanca të Mjekësisë Familjare që për momentin janë të mbyllura, gjë për të cilën i kemi njoftuar edhe qytetarët që të kenë mirëkuptim, për shkak të mungesës së mjekëve që ka ardhur si pasojë e specializimeve të cilat Ministria (e Shëndetësisë) i ka shpallur gjatë fundvitit të kaluar dhe kanë filluar specializimet, me kontratë me ministrinë”, tha Haxhiu.
Kosova, prej vitit 2016 nuk kishte hapur konkurse për specializantë. Në mënyrë që ta plotësohej numri i specializantëve për vitet e humbura, Ministria e Shëndetësisë më 30 korrik të vitit 2020 hapi konkursin për të pranuar rreth 1.500 specializantë. Deri tash janë thuhet se janë pranuar rreth 1.300 të tillë.
Specializimi i mjekëve bëhet atëherë kur një student i mjekësisë mbaron fakultetin, mirëpo duhet të specializohet në një drejtim të caktuar.
Haxhiu thotë se konkursi Ministrisë së Shëndetësisë për specializantët e rinj, ka shkaktuar probleme për komunën e tij.
“Konkursi i fundit pak na ka çrregulluar, për arsye se në kujdesin parësor shëndetësor ekskluzivisht shkojnë mjekët të cilët specializojnë mjekësinë familjare. Ndërsa, këta mjekë që kanë shkuar me kontrata me ministrinë janë të fushave të tjera, të cilët faktikisht duhet t’i plotësojmë pas largimit të tyre dhe nënshkrimit të kontratave me ministrinë”, tha Haxhiu.
Qytetarët të cilët kanë nevojë për mjekë, nëse nuk kanë mundësi që të udhëtojnë drejt ndonjë Qendre të Mjekësisë Familjare në komunat e tyre, mund të presin edhe ekipet mobile familjare, pasi për momentin, për ta nuk ofrohen zgjidhje tjera.
Por, Shkëlqim Hajdaraj nga fshati Abri, tha se pavarësisht se Komuna e Drenasit ofron shërbime mjekësore përmes ekipeve mobile, këto ekipe nuk i janë përgjigjur thirrjeve, kur bashkëfshatarët e tij kanë pasur nevojë për shërbimin e tyre.
“Në fshatin tonë ka pasur kërkesa, por ekipet (mobile) nuk kanë ardhur. Ato ekipe nuk kanë ardhur asnjëherë”, shtoi ai.
Komuna e Drenasit ka më shumë se 35 fshatra dhe një numër të popullatës prej rreth 59.000 banorësh.
Fshatrat që kanë mbetur pa mjekë në ambulanca janë: Sankoci, Nekoci, Vasileva, Bainca, Abria dhe Gradica me Dobroshevc.
Kurse, në Komunën e Suharekës në fshatrat Nishor, Doberdolan, Grekoc, banorët e të cilëve kanë mbetur pa ambulanca për shkak të ikjes së mjekëve.
Të tjera
-
Dhuña ndaj grave, raporti i DASH kritikon Qeverinë dhe gjykatat për dënime të lehta
Në raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 202...
-
Mësohet identiteti i 25-vjeçarit nga Kosova që vd*q tragjikisht në Itali
Një ditë më parë mediat kanë raportuar për vdekjen e një 25-vjeçari shqiptar ...
-
Lajçak shkruan për “çështjen e dinarit”: U ngushtua hendeku mes palëve, pres propozime në takimin tjetër
Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka bërë përmbledhjen rutinë të një jave pun...
-
“Baba i kriptovalutave”, kjo është pasuria gjysmë milionëshe e liderit të PDK-së, Memli Krasniqi
I pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi këtë vit ka arritur t...
-
Qeveria mban mbledhje elektronike, merr dy vendime
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhje elektronike, në të ...
-
Joseph: Osmani e mundi Vuçiqin në Këshill të Sigurimit
Profesori i Universitetit `Johns Hopkins` në SHBA, Edward Joseph, për mbledhj...
-
Këshilli i Etikës merr vendimin për profesorin Xhevat Krasniqi
Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë ve...
-
Ramiz Qeriqi thotë se gjatë kohës së luftës i ka raportuar Fatmir Limajt dhe jo Rexhep Selimit
Dëshmitari Ramiz Qeriqi tha se gjatë kohës së luftës kur ka shërbyer në Krojm...
-
PE voton për liberalizimin e vizave për kosovarët që mbajnë pasaporta serbe
Parlamenti Evropian ka votuar të martën në favor të liberalizimit të vizave p...
-
LDK për raportin e DASH për Kosovën: I dha vulë paaftësisë së Qeverisë dhe korrupsionit
Lidhja Demokratike e Kosovës duke reaguar ndaj raportit të fundit të Departam...
-
Stano: Për masat ndaj Kosovës vendos Këshilli… në bazë të raportit të Borrellit
Bashkimi Evropian tha se Këshilli i Ministrave do të diskutojë për masat ndaj...
-
Kamberi takohet me Von Cramon, diskutojnë problemet e diskriminimit të shqiptarëve në Luginë
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi është takuar me eur...