Spanja shpall tre ditë zie kombëtare! Shkon në 95 numri i viktimave nga përmbytjet, rrugët kthehen në lumenj
Autori: Gazeta inFokus 08:17 | 31 October 2024
Përmbytjet e mëdha në Spanjë i kthyen rrugët e fshatrave në lumenj, shkatërruan shtëpitë, ndërprenë transportin dhe vranë të paktën 95 njerëz në fatkeqësinë më të rëndë natyrore që ka goditur kohët e fundit këtë vend evropian.
Stuhitë dhe reshjet që filluan të martën dhe vazhduan të mërkurën shkaktuan përmbytje në të gjithë Spanjën jugore dhe lindore, duke u shtrirë nga Malaga dhe deri në Valencia. Përrenjtë me baltë përmbysën me shpejtësi të madhe automjetet në rrugë, ndërsa mbeturinat dhe sendet shtëpiake rrotulloheshin në ujë. Policia dhe shërbimet e shpëtimit përdorën helikopterët për të evakuuar njerëzit nga shtëpitë e tyre dhe gomone për të arritur tek shoferët e bllokuar mbi makinat.
Shërbimet e urgjencës në rajonin lindor të Valencias konfirmuan të mërkurën 92 të vdekur. Dy viktima të tjera u raportuan në rajonin fqinj Castilla La Mancha, ndërsa Andaluzia jugore raportoi një vdekje.
“Dje ishte dita më e keqe e jetës sime”, tha të mërkurën Ricardo Gabaldón, kryebashkiaku i Utielit, një qytet në Valencia, për transmetuesin kombëtar RTVE. Ai tha se gjashtë banorë humbën jetën dhe të tjerë nuk gjenden.
Qeveria e Spanjës shpalli tre ditë zie duke filluar nga e enjtja.
“Për ata që kërkojnë të dashurit e tyre, e gjithë Spanja ndjen dhimbjen tuaj”, tha Kryeministri Pedro Sánchez në një fjalim në televizion.
Personeli i kërkim-shpëtimit dhe mbi 1,100 ushtarë nga njësitë e reagimit të shpejtë të Spanjës u dislokuan në zonat e prekura. Qeveria qendrore e Spanjës krijoi një komitet krizash për të koordinuar përpjekjet e shpëtimit.
Një qytet i Valencias, Paiporta, pësoi humbje të jashtëzakonshme. Kryebashkiaku Maribel Albalat tha për kanalin RTVE se mbi 30 persona vdiqën në qytetin me rreth 25,000 banorë. Ndër ta ishin gjashtë banorë të një azili për të moshuarit. Edicionet e lajmeve transmetuan pamje të të moshuarve në karrige dhe karrige me rrota në një shtëpi të të moshuarve në Paiporta, disa duke bërtitur me tmerr të dukshëm ndërsa uji u ngjitej mbi nivelin e gjunjëve.
Shërbimi kombëtar i motit në Spanjë tha se ra më shumë shi në tetë orë në Valencia sesa në gjithë 20 muajt e mëparshëm, duke e quajtur përmbytjen “të jashtëzakonshme”.
E vendosur në jug të Barcelonës në bregdetin e Mesdheut, Valencia është një destinacion turistik i njohur për plazhet e saj dhe pemët e agrumeve. Rajoni ka gryka dhe shtretër lumenjsh të vegjël që gjatë pjesës më të madhe të vitit qëndrojnë plotësisht të tharë, por që mbushen me shpejtësi me ujë kur bie shi. Shumë prej tyre kalojnë përmes zonave të populluara.
Spanja ka përjetuar stuhi të ngjashme gjatë stinës së vjeshtës në vitet e fundit. Asgjë, megjithatë, nuk mund të krahasohet me shkatërrimet e dy ditëve të fundit, të cilat të sjellin në mendje përmbytjet në Gjermani dhe Belgjikë në vitin 2021, nga të cilat u vranë 230 persona.
Numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet ndërsa rajone të tjera vazhdojnë të raportojnë për viktima dhe përpjekjet e kërkimit vazhdojnë në vendndodhje që janë të vështira për t’u arritur./VOA
Të tjera
-
Opozita as sot nuk voton pjesëmarrjen në seancë
Partitë opozitare sërish nuk e kanë votuar pjesëmarrjen në kuvend, njëjtë siç...
-
Përmbytjet në Spanjë, flamujt evropianë para selisë në Bruksel ulen në gjysmështizë
Të paktën 95 persona raportohet se kanë vdekur nga përmbytjet në Spanjë, dhe ...
-
Rama: Kryeqyteti, i vetmi që ka krijuar Sektorin për Çështje të Kategorive të dalura nga lufta e UÇK-së
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se kryeqyteti është i vetmi që ...
-
Pritet ndalimi i përdorimit të pijeve energjike nën moshën 18 vjeç në Kosovë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot për seancën e radhës plenare. ...
-
Policia në kërkim të 21-vjeçarit nga Prizreni, kërkon ndihmë nga qytetarët për arrestimin e tij
Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për arrestimin e një p...
-
Tërhiqet ministri Murati, Asociacioni i Komunave thotë se është shtyrë zbatimi i normës tatimore progresive për prona komerciale
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se Ministria e Financave ka sht...
-
47 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë
47 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë. Nga ...
-
Sërish përplasje para Kuvendit të Shqipërisë mes deputetëve të PD-së e Gardës
Deputetët e përjashtuar të opozitës janë rikthyer sërish në Kuvendin e Shqipë...
-
Sulmohet fizikisht një polic në Pejë
Është arrestuar një person në Pejë, pasi i njëjti duke mos i përfillur urdhra...
-
Njihuni me humanistin kosovar që po bënë punë të jashtëzakonshme me fëmijët që kanë nevojë për shërim jashtë vendit
Gjatë emisionit Doktor Plus është diskutuar për çështjet humanitare shëndetës...
-
Kurti drejt Zvicrës për takim me mërgatën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon takimet me mërgatën. Kësaj...
-
“Ka që e lypin dallamen edhe me miniq”, “Çmimi shkon deri në…” – Shitësja e veshjeve tradicionale tregon rastin epik që i ka ndodhur me vjehrra
Gjylshahe Hoxha një grua nga Prizreni e cila cilësohet si njëra nga gratë me ...