Lajme

Spanja hap zyre ndërlidhëse në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 10:45 | 31 May 2021

Ditë më parë Greqia njoftoi se do ta rrisë nivelin e marrëdhënieve me Kosovën, deri sa këtë javë Kosovën e viziton Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë.

Por, edhe një shtet tjetër duket se ka ndërruar qëndrim.

Spanja, e cila konsiderohet si shteti më rigjid ndaj pavarësisë së Kosovës, shumë shpejt pritet të hapë një zyre ndërlidhëse në Prishtinë.

-Advertisement-

Demokracia.com  ka mësuar se Spanja tashmë ka vendosur ta hapë zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë.

“Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Spanjës, Joseph Borrell, tash përgjegjës për Politikën e Jashtme të BE-së, ka luajtur rol përcaktues në këtë hap”, ka thënë një diplomat i mirëinformuar për këtë portal.

Zyra ndërlidhëse e Spanjës, njëjtë sikur zyra ruse dhe ajo kineze do të hapet në UNMIK, por duke i informuar edhe institucionet e Kosovës për ekzistimin e saj.

Mësohet se Borell po e garanton hapjen e zyrës spanjolle në këmbim të konstruktivitetit të kryeministrit Kurti dhe si shenjë që pesë vendet anëtare mosnjohëse të BE-së mund ta njohin Kosovën nëse ndodhë nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ditëve të fundit është përfolur plani francez, i cili parasheh të drejta më të mëdha për serbët në veri, jetësimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe të drejta shtesë për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, në shkëmbim të liberalizimit të vizave dhe njohjes nga pesë shtetet e BE-së.

Brenda kësaj marrëveshjeje, e cila po përflitet në qarqet diplomatike, nuk do të jetë edhe njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.

Edhe këshilltari i ekipit negociator të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Veton Surroi, ditë më parë theksoi se anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk është parësor.

Sipas Surroit, e rëndësishme tani është ta kemi njohjen nga pesë shtetet e BE-së.

Demokracia.com në ditët e ardhshme do t’iu mbajë të informuar për detajet shtesë të ndryshimit të qëndrimeve të Spanjës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera