Sport

Southgate optimist që Anglia do të gjejë rrugën drejt trofeve

Autori: Gazeta inFokus 18:18 | 08 October 2021

Trajneri Gareth Southgate ka thënë që Kombëtarja e Anglisë e di që është afër që të fitojë trofe, ku kjo e fundit është duke u përgatitur që ta sigurojë kualifikimin tutje për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.

“Tre Luanët” pësuan humbje në finale të Kampionatit Evropian Euro 2020 në “Wembley” nga Italia, tre vite pasi që u eliminuan në fazën e gjysmëfinales të Kupës së Botës nga Rusia, përcjell KosovaPress.

Kanë kaluar 55 vite që nga koha kur Anglia e fitoi trofeun e saj të fundit, ku asokohe u shpall kampione e botës në vitin 1966, dhe tani janë shumë afër kualifikimit për në Botërorin “Katar 2022”.

-Advertisement-

Kombëtarja e Anglisë gjendet në vendin e parë me katër pikë larg pozitës së dytë në Grupin I, dhe këtë muaj do të zhvillojë ndeshje si mysafire kundër Andorrës dhe si vendase kundër Hungarisë.

Trajneri Southgate ka qenë i kënaqur me sjelljen e lojtarëve që nga humbja në finale kundër Italisë, dhe beson që ditëve pa trofe tek Anglia është duke iu ardhur fundi.

“Ajo që më pëlqen nga ndeshjet e muajit të kaluar është që nuk kishte ndjenja të dëshpërimit në sjelljet e lojtarëve. Kishte ndjenja dhe dëshira për t’u përmirësuar, që të jemi të sigurt që hapi i radhës të jetë i duhuri, dhe që të mbajmë standardet sa më lartë çdo ditë”, tha Southgate.

“Fillimisht, na duhet të kualifikohemi, ky është qëllimi këto pesë ose gjashtë ditët e ardhshme, të arkëtojmë gjashtë pikë. Por sigurisht që është e qartë që ne jemi afër, që jemi të renditur në mesin e më të mirëve në botë, që rezultatet tona për një kohë të gjatë kanë qenë të mira, por e dimë që herën e ardhshme duhet të jemi më të suksesshëm”, shtoi trajneri anglez.

Kombëtarja e Anglisë ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë si mysafire kundër Andorrës, kurse tre ditë më vonë do të jetë vendase e Kombëtares së Hungarisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera