Sot votohet raporti për Kosovën në Komisionin e PE-së: Pesëshes së BE-së i bëhet thirrje për njohje
Autori: Gazeta inFokus 11:45 | 26 April 2023
Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian voton sot për raportin për Kosovën dhe amendamentet e paraqitura nga deputetët për këtë raport. Drafti i raportit ishte paraqitur nga Viola Von Cramon-Taubadel, që është raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian(PE), ndërsa në këtë raport janë paraqitur mbi 300 amendamente nga deputetë të ndryshëm.
Drafti i raportit përmban pikat e përgjithshme ngjashëm me raportet e viteve të shkuara, por merr parasysh edhe zhvillimet që kanë ndodhur ndërkohë. Me këtë raport do të mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të saj dhe përcaktimin e qartë gjeopolitik.
Ndërkaq, përshëndetet edhe vendimi i shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, i cili proces u përmbyll të martën më 25 prill kur vendimi edhe u botua në Gazetën Zyrtare të BE-së, pasi më herët ishte nënshkruar nga Parlamenti dhe Këshilli i BE-së.
Parlamenti Evropian ka insistuar për shumë vjet që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt. Së fundi u arrit pajtimi edhe mes PE-së dhe Këshillit të BE-së për këtë çështje.
Një thirrje që Parlamenti Evropian e përsërit secilin vit në raportet për Kosovën, është përfshirë në tekst edhe kësaj radhe. Kjo është thirrja për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Fton vendet anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet sovran, që ta bëjnë një gjë të tillë”.
Pikërisht për këtë pikë janë paraqitur shumë amendamente, sidomos nga deputetët nga Spanja dhe vendet tjera që nuk e njohin Kosovën, duke tentuar që referencat për shtetësi të Kosovës të hiqen nga raporti.
Sa i përket situatës në Kosovë, në tekst thuhet se Kosova pa pasur një periudhë të stabilitetit politik pas zgjedhjeve të vitit 2021 dhe u bën ftesë autoriteteve të Kosovës që të ndërmarrë më shumë veprime për t’u përballur me sfidat gjatë rrugëtimit evropian.
Edhe këtu përsëritet se “dinamika e procesit të integrimit do të varet nga progresi që do të arrijë për sundimin e ligjit, të drejtave themelore dhe normalizimin e raporteve me Serbinë.
Parlamenti Evropian përshëndet përshtatjen e Kosovës me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sidomos dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
Gjithashtu, PE-ja mbështet edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin e vendit për t’u përfshirë në programin e Partneritetit për paqe të NATO-s.
Në këtë tekst, po ashtu, përshëndetet përkushtimi për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por shprehet shqetësim për gjendjen e Gjyqësorit në Kosovë që, sipas tekstit, “vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjes së panevojshme politike”.
Keqardhje shprehet për ndikimin negativ që ka pasur atmosfera e polarizimit politik në punën e Kuvendit dhe u bëhet ftesë deputetëve të opozitës që t’i japin fund praktikës së abstenimit.
Sa i përket lirisë së shprehjes në Kosovë në tekst përshëndetet fakti se në Kosovë “ka një mjedis të gjallë pluralist medial”, por shprehet shqetësim për fushata të sulmeve ndaj gazetarëve hulumtues. Në veçanti shqetësim ngrihet për mungesën e lirisë së shprehjes në veri të Kosovës dhe dënohen ashpër sulmet ndaj gazetarëve në komunat veriore.
Sa i përket mediave në tekst vetë raportuesja Von Cramon ka paraqitur një amendament ku kërkon që të respektohet pavarësia e transmetuesit publik, RTK-së, dhe të sigurohet që zgjedhja e stafit udhëheqës të jetë transparente dhe e bazuar në kriteret profesionale pa ndërhyrje politike.
Në tekst bëhet thirrje edhe për një angazhim të sinqertë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për një dialog, i cili do të forconte besimin e ndërsjellë.
Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e BE-së, përsëritet thirrja që të dyja shtetet të angazhohen në frymën e kompromisit për të arritur “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve, të bazuar në njohjen e ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Po ashtu, bëhet thirrje edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialog, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Nga BE kërkohet që ta bëjë më dinamik procesin e zgjerimit duke e quajtur këtë si politikën më të suksesshme të BE-së për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në Evropë.
Deputetët e Parlamentit Evropian përmes propozimeve për amendamente kanë kërkuar që të forcohet roli i BE-së në rajon. /rel
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...