Sot vendoset fati i Kurtit dhe kandidatëve për deputetë që kanë probleme me ligjin
Autori: Gazeta inFokus 07:35 | 20 January 2021
Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë vetëm edhe sot kohë që t’i verifikojnë listat e partive politike, të cilat mund të kenë kandidatë me dënime të formës së prerë në tri vitet e fundit. Procesi i verifikimit ka filluar që nga e hëna.
Listat e partive politike me kandidatët për deputetë do t’u nënshtrohen verifikimit në gjashtë institucione.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Janë dërguar në 6 institucione shkresa të veçanta për të kërkuar konfirmimin e përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtyre shkresave, i janë bashkangjitur edhe lista e kandidatëve për deputetë që janë dorëzuar në KQZ. Neni 29, që flet për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatit, tregon se kush nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet”, ka thënë Elezi.
Për procesin e verifikimit të kandidatëve janë deklaruar edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
“Ne si KGjK tashmë e kemi një databazë në të cilën janë të regjistruar të gjithë personat e dënuar me Aktgjykime të formës së prerë. Të dhënat nga ky regjistër mund të verifikohen në një kohë shumë të shkurtër dhe të shpejtë. Dy ditë, për të bërë këtë verifikim janë mëse të mjaftueshme për ne si institucion. Procesi i verifikimit është fare i thjeshtë, meqë thjeshtë verifikohet nëse ndonjë kandidat i subjekteve politike ekziston në këtë databazë apo jo.”
Në rast se KGJK-ja gjen se persona që kanë kandiduar për deputetë kanë dënime të plotfuqishme, Komisioni Qendror Zgjedhor duhet t’ua refuzojë certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.
Në listat e kandidatëve për deputetë të partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, janë përfshirë disa persona të dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tre vjetët e fundit.
Lëvizja Vetëvendosje ka 10 kandidatë me aktakuza aktive, dhe dy kandidatë të dënuar në tri vjetët e fundit. Në mesin e tyre janë Albin Kurti e Albulena Haxhiu, të cilët janë dënuar me kusht në shtatorin e vitit 2018 për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.
AAK’ja ka tetë kandidatë më aktakuza aktive. PDK’ja ka katër kandidatë me aktakuza aktive dhe një të dënuar në tri vjetët e fundit.
Nisma ka një me aktakuzë aktive dhe dy të dënuar në tri vjetët e fundit. Njëri prej tyre është Besnik Berisha, ish-udhëheqës i Divizionit të Prodhimit të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht për “zbulim të fshehtësisë zyrtare” në mars të 2018-s.
Lista Serbe ka një me aktakuzë aktive dhe një të dënuar. Milan Aritonoviq nga Lista Serbe është i dënuar me 500 euro gjobë nga gjykata për raportim të rremë të pasurisë.
Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ka vetëm një kandidat me aktakuzë aktive.
Këto janë të gjitha institucionet nëpër të cilat do të kalojnë listat e deputetëve për verifikim:
Germa ‘e’ në nenin 29 thekson se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është e) pjesëtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët nuk janë pjesëtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kemi kërkuar nga ky institucion të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë pjesëtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Germa ‘c’ në nenin 29 thekson se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: c) pjesëtar i Policisë së Kosovës. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët nuk janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës kemi kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Germat ‘b’ dhe ‘k’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: b) pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës; dhe k) pjesëtar i forcave të armatosura të ndonjë shteti. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët përmbushin edhe këtë kriter, kemi kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë pjesëtarë të forcave të armatosura të Kosovës.
Germa ‘g’ në nenin 29 thekson se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: g) përfaqësues diplomatik. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët nuk janë përfaqësues diplomatik, kemi kërkuar nga Ministria e Jashtme të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë përfaqësues diplomatik.
Germat ‘a’, ‘p’ dhe ‘q’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: a) gjykatës apo prokuror në Kosovë ose gjetkë; p) me anë të vendimit të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit. Prandaj, kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë gjykatës; nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe nëse janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit;
Germat ‘o’, ‘r’, dhe ‘s’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person të cilit o) me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it i është hequr e drejta për të qenë kandidat; r) ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i; dhe s) ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhëri të PZAP-it. Prandaj, kemi kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë subjekt i vendimit të PZAP-it për t’iu hequr e drejta për të qenë kandidat; nëse kanë dështuar të paguajnë gjobën e vënë nga PZAP-i; dhe nëse kanë dështuar t’i përmbahen ndonjë urdhri të PZAP-it.
Në frymën e obligimeve kushtetuese dhe ligjore për bashkëpunim ndërinstitucional ne kemi kërkuar nga këto institucione që në afatin më të shkurtër të mundshëm, por jo më vonë se më 20 janar 2021, në orën 12:00, të na përgjigjen në kërkesat tona për verifikim
Të tjera
-
Mbesa e kosovarit të burgosur në Serbi: Nuk e dimë si është trajtuar
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka konfirmuar arrestim...
-
Beogradi i cakton 30 ditë paraburgim kosovarit të arrestuar para dy ditësh në kufi, MPJ thotë se i është keqësuar shëndeti
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka konfirmuar arrestim...
-
Lajçak: Mandati im si ndërmjetës deri më 31 gusht – me lidershipin e ri të BE’së nis një fazë e re e procesit
Miroslav Lajçak së shpejti do ta lë postin e emisarit special të BE’së për Ba...
-
Vetëaksident tek Llesna në Prishtinë (PAMJE)
Një vetëaksident trafiku ka ndodhur para pak minutave tek Llesna në Prishtinë...
-
Vrąsja e intelektualëve të Mitrovicës 25 vjet më parë, Kurti: Serbia ua mohon familjeve të drejtën për të ditur të vërtetën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar zhdukjen e intelektualëve të M...
-
Anulohet pjesëmarrja e Kurtit në tubimin e opozitës së Maqedonisë së Veriut sonte në Berlin, çfarë ndodhi?
Bekim Qoku Këshilltar i Jashtëm Politik të Kryeministrit Albin Kurti për marr...
-
Murati: Marrëveshjet e deritanishme janë marrë vetëm me serbët e Kosovës
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se deri më tani, marr...
-
Ky është rreshteri i NJRSH-së që u suspendua nga IPK-ja, dyshohet se e rrahu keq një qytetar
Sedat Ramdani, rreshter në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në rajonin e Prizren...
-
17 vjeçari e th*rr me thíkë një person në Ferizaj, arrestohet brenda dy orëve
Sot në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt pranoi një informatë se në udhëk...
-
Durmishi i përgjigjet Pal Lekajt: Pse po rren?
Zëvëndësministri i Infrastrukturës, Hysen Dumishi, i ka reaguar ish-ministrit...
-
Stano: Arrestimi i zyrtarëve policorë të Kosovës nga Serbia, shqetësues
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë të ...
-
Një muaj paraburgim për kosovarin e ndaluar në Serbi nën dyshime për kríme ĺufte, thonë familjarët
Një gjykatë serbe ia ka caktuar masën prej një muaji paraburgim të pr...